KULTURË

Pavarësia/ Historianët: Shqipëria u çlirua mes datës 28 e 29 nëntor

09:17 - 28.11.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli

 

Është mbajtur dje në Akademinë e Shkencave konferenca “Rrugëtimi i Shtetit të Pavarur Shqiptar nga krijimi drejt integrimit europian”. Konferenca shkencore u mbajt në kuadër të 105-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë, nga Akademia e Studimeve Albanologjike.
Para mediave, prof. Beqir Meta, drejtor i Institut të Historisë tha mbi identitetin politik të shqiptarëve pas Shpalljes së Pavarësisë se gjatë dhjetëvjetëshit të parë kur vjen puna për t’u përballur nuk e kanë pasur përgatitjen e duhur dhe kanë shfaqur dobësi. “Populli ishte i papërgatitur mirë nga ana kulturore, politike për të ndërtuar shtetin, edhe pse dëshironte në pjesën më të madhe autonominë edhe pavarësinë nga Perandoria Osmane. Ndërtimi i shtetit, bazohet mbi një substancë njerëzore jashtëzakonisht solide, me marrëdhënie ekonomike, politike edhe institucione të forta, të cilat e kanë validitetin për të përballuar shtetin”,-tha Meta.
Krahasuar me atë kohë, prof. Meta tha se në vitin 1990 shqiptarët ishin të papërgatitur, por jo për të ndërtuar shtetin, por për të ndërtuar një shtet që funksionon mbi institucione demokratike. “Nuk ishte i përgatitur, nuk kishte eksperiencë, nuk kishin traditë, sepse periudha e komunizmit e kishte errësuar vetëdijen edhe ndërgjegjen. Duhet që ta kapërcenin këtë, gurin e Sizifit do ta ngrinin me vështirësi dhe do të përgjunjeshin, do të ngriheshin sërish etj”.
Duke renditur problemet, që janë të ngjashme me ato të 100 viteve më parë, Meta vërejti se kemi probleme madhore të institucioneve, që nga qeverisja, parlamenti, parlamentarizmi pa tradita. Shtoi se parlamenti në periudhën e Zogut ka qenë më i fuqishëm, por ishte mësuar pa opozitë, pa zgjedhje të lira edhe të hapura, ndërsa në kohën e komunizmit ka qenë fiktiv, një grup politik që ndiqte vijën e partisë. Tashmë futemi te institucioni i zgjedhjeve, zgjedhje që blihen dhe manipulohen etj.


“DUAM BABËN”
Është kaq e njohur shprehja. Përtej ironisë, nevoja për babanë, kompleksi i Telemakut, është i njohur edhe në filozofi. Ne, nuk e vrasim dot babanë, ne e kërkojmë. Në një qasje paralele, prof.Meta kujton se “Kur nisi kryengritja në Shqipërinë e Mesme, kishte shumë elementë pro-osmanë ende, osmanizmi nuk ishte larguar nga Shqipëria dhe aq më tepër kur panë kiamete të mëdha, që kombi shqiptar u copëtua në mes, që ushtritë ballkanike masakruan me mijëra shqiptarë. Kjo bëri që t’i ktheheshim idesë, që më mirë ishim me Perandorinë osmane, sepse ishim më të fortë edhe më të mbrojtur. Kjo ka disa arsye, jo se ata kanë qenë antikombëtarë. Por është një ndërgjegje e paplotësuar kombëtare, e cila në përballje me vështirësi të mëdha, kthehet mbrapa”. Për të, kjo ka qenë një lloj lëvizje dëshpëruese e këtyre elementëve që dëmtoi shtetin kombëtar, duke i shtuar edhe shumë telashe. Po kështu lëvizja vorio-epirote e mbështetur te Greqia, por që bazohej tek elemente ortodokse edhe shqiptare, te skepticizmi që kishin për ndërtimin e një shteti kombëtar.
ANËTARËSIMI NË BE
Për Metën, anëtarësimi në BE nuk është një qëllim për të marrë një patentë e për ta tundur, as që fitojmë para e asgjë. Synimi ynë kryesor është që ne të ndërtojmë shtetin tonë, institucionet tona, që të jenë të konkurrueshme me BE-në, të arrijnë një farë niveli, që të prodhojnë vlera për shoqërinë e për shtetin. Për profesorin, BE-në duhet ta shohim si një pikë arritjeje. Anëtarësimi sa më i shpejtë në BE, ndoshta edhe pa i arritur këto parametra do të ishte me vlerë vetëm në një pikë, me një motiv: që duke u futur brenda këtyre institucioneve të kishte një presion më të madh që institucionet e paarrira e të paplotësuara shqiptare të demokracisë (e kur them institucione jo vetëm politike, por edhe sociale, e kulturore, arsimore, kulturore) dhe vetë ndërgjegjja shqiptare që është një institucion më vete, të arrinte të bënte hapa sa me shpejt, që të shërbente si një magnet, si një forcë shtrënguese, detyruese, që shqiptarët të bënin një progres sa më të shpejtë.
RISHKRIMI I HISTORISË
I sheh historianët me ndërgjegje më të qartë. Është proces, e nuk është punë e lehtë. “Është çështje reflektimi në gjithë atë mori ngjarjesh, faktesh e fenomenesh që ka ndjekur historia e shoqëria shqiptare”, -thotë ai. “Kumtesat e sotme iu referoheshin burimeve britanike e diplomatët britanikë a Foreign Office e kanë parë procesin e shtetformimit si një proces elementesh. Ata kanë bërë ato kritika të ashpra për procesin e shteformimit në vitet 1920-1924, sepse kanë parë diferencat që kishte elita politike shqiptare. Duke i studiuar ne këto, mund të nxjerrim konkluzione e ky është qëllimi i historisë”,-tha ai, duke shtuar se analiza e “Analiza e tyre na ka ndihmuar edhe ne, për t’u rritur e formuar si historianë sepse e kemi pasur kontaktin me këto burime shumë të kufizuar, dhe fokusin e analizës sonë e kemi pasur shumë të shtrembëruar, sepse shtrembëronin konceptet tona ideologjike të së kaluarës”. 100 vite më pas, e pikat e përbashkëta me shqiptarët e 1912-ës a 1920-ës janë disa. “Po, keni të drejtë. Janë të huajt që na vënë në shina, dhe kjo nuk është çështje nihilizmi, nënshtrimi apo inferioriteti. Kombet e përparuara që kanë ndërtuar institucione të fuqishme, demokratike, kanë bërë histori. Është fat që na gjenden pranë. Çështja është që t’i dëgjojmë”.
ESAT TOPTANI E DATA 28
Meta pranon se një pjesë e madhe e tezave të tij kanë gjetur vend në kurrikulat shkollore. Duke kujtuar një debat të kahershëm e pyes mbi figurën e Esat Toptanit. “Është një figurë që ka dritëhijet e veta. Ka një kontribut për mbrojtjen e Shkodrës që është evidentuar”. E pyes, sërish, “Pra, nuk e ka shitur Shkodrën”? “Sigurisht që Esati ka qenë mbrojtës i Shkodrës. Ai ka bërë një marrëveshje me malazezët, në rrethana shumë të vështira, kur nuk kishte ushqime e municione e të tjera, dhe pas një vendimi të Fuqive të Mëdha që Shkodra i përkiste Shqipërisë”,-thotë Meta. Shton se ka mendime të ndryshme edhe në Francë e Angli për personalitete të ndryshme. “I njihen këto Esatit siç i njihen marrëveshje të hapëta e të fshehta me serbët e me grekët, që t’i jepnin atij mbështetje e suport për t’u bërë sundimtar i Shqipërisë për të realizuar objektivat e veta”.
A janë të qartë tanimë historianët, nëse Shqipëria u çlirua më 28 apo më 29 nëntor? Meta qesh. “Të gjithë historianët janë në një mendje që gjermanët janë larguar nga Shkodra, nga qyteti i Shkodrës, mbrëmjen e e datës 28 nëntor, duke gdhirë 29-a. Janë larguar gjatë kësaj nate. Dhe me siguri ka zgjatur edhe pas orës 12:00 se nuk kishte si lëviznin para orës 12, se një ushtri ka shumë organizime konvencionale e nuk mund të largoheshin brenda disa orësh të mbrëmjes. Janë larguar në këtë mbrëmje. Nëse ata kanë ikur mes dy datave nuk është faji i historianëve. Dhe partizanët kanë hyrë në datën 29 në mëngjes. Nga ana tjetër, partizanët hynë në Shkodër pa luftë, e kishin rrethuar Shkodrën, por nuk po luftonin me gjermanët”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.