Ekonomi

Dermatologia, Monika Fida: Sekreti për një lëkurë 20 vite më të re, si të eliminoni rrudhat

09:57 - 04.12.17 gsh.al

 



Voltiza DURO

 

Plakja e lëkurës dhe rrudhat janë ndër shenjat që vitet lënë pas, proces ky i pashmangshëm, por që ndikohet edhe nga një sërë faktorësh të jashtëm. Ekspozimi gjatë nën rrezet e diellit, pirja e duhanit dhe alkoolit, por edhe prekja nga pluhuri përshpejtojnë procesin e plakjes së lëkurës dhe krijimin e rrudhave, aq të padëshiruara, veçanërisht nga femrat. Në një intervistë ekskluzive për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, dermatologia Monika Fida, doktoreshë e Shkencave Mjekësore, njëkohësisht pedagoge në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë tregon një sërë faktorësh të brendshëm e të jashtëm që ndikojnë në plakjen e lëkurës. Sipas saj, kujdesi duhet të fillojë që në moshë të re dhe më tej zbulon sekretin e një lëkure të shëndetshme, që iu tregon 20 vite më të re.

Cilat janë disa nga ndryshimet që pëson lëkura me kalimin e viteve?
Komponentët e lëkurës ndryshojnë me moshën. Një karakteristikë është që lëkura e personave të rinj përmban më shumë qeliza yndyrore se lëkura e personave në moshë më të madhe. Kjo është një arsye pse lëkura e plakur duket më transparente dhe më e hollë se lëkura e moshave të reja. Gjithashtu, mbajtja e ujit në lëkurë dhe përbërja e lëkurës si keramidet, acidi hialuronik, polisaharidet, glicerina etj., ndryshojnë me moshën.
A bëhet më delikate lëkura në moshat e mëdha?
Lëkura e plakur është gjithashtu më e ndjeshme ndaj reaksioneve alergjike, më sensitive dhe irritohet më shpejt se sa lëkura e re dhe kjo si rezultat i dobësimit të sistemit imun. Por vlen të theksoj se lëkura e thatë nuk do të thotë që është një lëkurë me rrudha. Në pamje të parë lëkura e thatë mund të duket më e rrudhur, por jo që ka shenjë barazimi ndërmjet këtyre të dyjave. Pra, formimi i rrudhës është një proces kompleks dhe nuk varet nga lloji i lëkurës që personi ka.


Cilët janë disa nga faktorët që ndikojnë në krijimin e rrudhave?
Plakja e lëkurës dhe krijimi i rrudhave është një proces fiziologjik shumë i komplikuar, ku ndikojnë një sërë faktorësh. Në faktorët e jashtëm mund të përmendim dëmtimin nga dielli, pluhurin, dëmtimin nga radikalet e lira, pirjen e duhanit dhe alkoolin, ndryshimet e temperaturave etj. Ndërsa faktorët e brendshëm që ndikojnë në plakjen e lëkurës janë predispozita gjenetike, plakja kronologjike fiziologjike, mungesa hormonale, problemet e sistemit imun. Tërë këta faktorë si të brendshëm dhe të jashtëm veprojnë duke paraqitur kështu lëkurën më të plakur dhe me rrudha.
Sa ndihmojnë kremrat hidratues në eliminimin e tyre?
Një person me lëkurë të yndyrshme ka vetinë që të realizojë vetë deri diku zbutjen e saj apo hidratimin, pra përmban përbërës yndyrorë ose ujë, gjë e cila ndihmon që lëkura të duket më e lëmuar dhe e hidratuar edhe pa ndihmën e një kremi hidratues. Është fakt që hidratimi i lëkurës me kremra nuk ka efekt shumë të gjatë në parandalimin e rrudhave.
Si mund të parandalohet plakja e lëkurës?
Nëse qëllimi juaj është që të keni një lëkurë sa më të shëndetshme dhe të dukeni në një moshë 30- vjeçare edhe kur ju jeni 50, atëherë duhet t’u përmbaheni planeve ekzakte, duke luftuar fort agjentët e jashtëm dëmtues të lëkurës. Këto plane dhe skema trajtimi të shtrira në kohë planifikohen nga mjeku juaj dermatolog në bashkëpunim me ju. Është pikërisht kjo që duhet të bëni, të ndërtoni një strategji dhe plan për të parandaluar plakjen e lëkurës. Sot ekzistojnë dhe përdoren gjerësisht një sërë procedurash që mund t’ju ndihmojnë në lidhje me këtë.
Cilat janë disa nga këto procedura që mund të aplikohen për minimizimin e rrudhave?
Nëse paraqitja e rrudhave dhe vijëzimeve të lehta rreth syve dhe rreth buzëve është shumë shqetësuese për ju, atëherë është koha për të marrë në konsideratë përdorimin e acidit hialuronik, të ndonjë produkti fillers tjetër ose toksinës së botulinës (Botoks). Procedura të tjera për mirëmbajtje të lëkurës që aplikohen shumë në këtë grupmoshë dhe që realizojnë përmirësim të dukshëm janë: Mesoterapia, PRP injeksione plazme, lazer i fraksionuar, radiofrekuenca, dermaroller. Gjithsesi, këto procedura duhet të aplikohen vetëm nga mjekë dermatologë ose kirurgë plastikë të kualifikuar dhe me eksperiencë në këtë fushë.
Kur duhet të fillojë kujdesi ndaj lëkurës?
Pavarësisht se cilës moshe i përkisni, regjimi juaj duhet të përmbajë mbrojtje ndaj diellit si dhe të pini sa më shumë ujë gjatë ditës, në mënyrë që të hidratoni lëkurën tuaj dhe të largoni toksinat nga organizmi. Procedurat e kombinuara realizojnë një përmirësim të lëkurës tuaj. Frekuentoni mjekun dermatolog për të realizuar planin tuaj të personalizuar, për të kryer procedurën në luftën kundër rrudhave. Edhe me një buxhet të vogël, ju mund të kryeni diçka duke frenuar kohën e duke mirëmbajtur lëkurën tuaj.
Cilat janë disa nga rekomandimet tuaja në luftën kundër rrudhave?
Kujdesi më i rëndësishëm për lëkurën, pavarësisht se në ç’moshë jeni është të përdorni krem mbrojtës kundra diellit çdo ditë, pavarësisht moshës. Duke përdorur kremin me faktor mbrojtës kundra diellit gjatë gjithë jetës, jo vetëm që parandaloni shenjat e plakjes së lekurës, por gjithashtu ju mbron nga zhvillimi i kancerit të lëkurës më vonë.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.