EKONOMI

‘E-kioskë’, 70 dokumente zyrtare do të jepen. Veliaj: Shmangie korrupsionit dhe radhëve të gjata

09:59 - 08.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Voltiza DURO

 

Prej janarit të 2018, qytetarët e Tiranës do të kenë mundësinë të tërheqin rreth 70 dokumente zyrtare në një e-kioskë, çka do të evitojë pritjet e gjata në radhë dhe do të rrisë transparencën. Burime nga Bashkia e Tiranës bëjnë me dije për “Gazeta Shqiptare” se ende po punohet me listat dhe përcaktimin e dokumentave që do të sigurohen online. Ndërkaq, kryebashkiaku Erion Veliaj, i pranishëm në konferencën rajonale “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes”, – tha se po punohet për të zgjeruar gamën e këtyre lloj shërbimesh. Sipas tij, kjo do të shmangë kontaktin me punonjësit dhe do të reduktojë mundësinë për korrupsion. Ky takim u zhvillua nga PNUD, ku morën pjesë kryetarë bashkish nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Moldavia dhe Ukraina. “Ajo që po bëjmë është që 70 dokumente, duke filluar nga janari, në Tiranë do të jepen në një kioskë, njësoj si bankomati. Mjafton të futësh ID, do paguash tarifën dhe e merr të printuar”,-theksoi Veliaj. Më tej, ai shtoi se në këtë mënyrë qytetarët nuk do të humbasin më 9 ditë në vit për të marrë një dokument zyrtar. “Qeveria shqiptare dhe kryeministri ka marrë një vendim shumë të guximshëm. I ka anuluar çertifikatat për nevojat e një institucioni shtetëror me një tjetër. Por, për institucionet private, për bankat, për kontrata, për noterë, ende kërkohet certifikata nga palë të tjera. Një shqiptar mesatarisht harxhon 9 ditë në radhë në marrje shërbimesh në vit. Unë besoj se kjo është mënyra më e mirë se tregon jo vetëm modernizim, por edhe shmang korrupsionin”, – tha Veliaj. Ky i fundit, gjatë konferencës, prezantoi edhe disa nisma të tjera të ndërmarra nga Bashkia e Tiranës që synojnë lehtësimin e procedurave për qytetarët dhe shmangien e mundësive për korrupsion. Respektivisht, kryebashkiaku tregoi se kalimi në sistem online të procedurave për lejet e ndërtimit; aplikacioni “Tirana ime” për denoncimet e qytetarëve si dhe programi “Open Data”; mundësojnë një proces komplet transparent, modern dhe anti korruptiv. “Qytetet pa korrupsion të së ardhmes” është konferenca e parë rajonale e këtij lloji, e cila ofron një mundësi për të shkëmbyer përvojat rreth arritjeve dhe sfidave për të parandaluar korrupsionin në nivel vendor, duke përfshirë ato në nivel qyteti, qarku apo rajoni dhe nivelet e tjera nënkombëtare të administratës publike.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.