EKONOMI

Sejko e Ahmetaj: Kushtet e reja për të marrë kredi. Bizneset e mëdha në “sitë”, BSH dhe Financat plan të përbashkët

09:32 - 08.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ornela MANJANI

 

Lufta kundër informalitetit dhe ulja e nivelit të kredive të këqija janë dy pikat kryesore të strategjisë së dakordësuar nga Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë, e cila do të startojë në 1 janar të vitit 2018. Strategjia e re u prezantua dje nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj dhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko. Në fokus të kontrolleve do të jenë bizneset e mëdha. Kompanitë e biznesit do të detyrohen të mbajnë një bilanc të vetëm, i cili do të jetë i përputhur me deklarimin e tyre në Tatime, duke frenuar abuzimin me bilancet fiktive, që nga njëra anë nxisin shmangien e detyrimeve tatimore reale dhe nga ana tjetër ndikojnë në vlerësimin e aftësisë paguese të bizneseve për llogari të kreditimit në bankat e nivelit të dytë. “Sot është fakt që kompanitë e mëdha mbajnë dy bilance, një që deklarohet në Tatime dhe një që dorëzohet në bankat tregtare për qëllime kredimarrje. Ne kemi marrë angazhim që kompanive të biznesit t’u njihet vetëm një bilanc zyrtar, që është i përputhur me deklaratën e tyre tatimore. Kryeministri e ka artikuluar si masë në ditët e fundit dhe ne po e avancojmë, besoj do të konkretizohet me të gjitha detajet teknike nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Banka e Shqipërisë, në një rregullore të posaçme në fillim të vitit 2018”, – deklaroi ministri Ahmetaj. Ministri theksoi dy aspekte në kuadër të kësaj nisme. “Së pari, reduktimi i nivelit të kredive me probleme në ekonomi. Problematika e kredive me probleme u trajtua gjerësisht gjatë mandatit tonë të parë 2014-2017. Grupi i përbashkët i punës mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë hartoi një strategji dhe plan konkret veprimi me qëllim reduktimin e NPL, ku një ndër masat e parashikuara ishte pikërisht dhënia e kredive vetëm në bazë të deklaratave tatimore. Sigurisht që ky plan masash është konsultuar në masë të gjerë edhe me bankat e nivelit të dytë dhe unë besoj që ky është momenti që të vendoset një normë e re në marrëdhënien mes bankave dhe kompanive të biznesit. Dhe ky është elementi i dytë që dua të theksoj. Në këtë fazë aktuale të aksionit tonë kundër informalitetit, ne kemi një fokus të posaçëm tek biznesi i madh, duke bërë një skanim të thellë dhe më kompleks të fenomeneve të riskut, që janë shfaqur si rezultat i të gjitha analizave tona të deritanishme. Bilancet fiktive janë absolutisht një nga fenomenet kryesore, që jo vetëm shmangin pagesën e detyrimeve tatimore, por reflektojnë edhe pasoja të tjera si deklarimi i pagave tejet të ulëta në raport me referencën e tregut të punës, duke sjellë deformime të shumëfishta në treg”. Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë ka vlerësuar me seriozitet dhe ka mbështetur në vazhdimësi nismat e ndërmarra për rritjen e formalizimit të ekonomisë. “Plani kombëtar për reduktimin e kredive me probleme përcaktoi vendosjen e kriterit rregullativ, si një detyrë të rëndësishme për Bankën e Shqipërisë, që duke filluar nga viti 2018, veprimtaria e kredidhënies të mbështetet vetëm në deklaratat tatimore. Banka e Shqipërisë e ka trajtuar edhe më parë këtë dukuri nga pikëpamja rregullative, por duke u kufizuar vetëm te kredimarrësit e mëdhenj të bankave. Koordinimi i veprimeve me organet qeveritare dhe veprimet e përshtatshme të ndërmarra kanë krijuar hapësirën e nevojshme për ta thelluar këtë masë rregullative në një bazë më të gjerë kredimarrësish”, – u shpreh Sejko.
Kreditë me probleme
Niveli i kredive me probleme është rreth 14.4% (gati 10% më ulet se viti 2013, ku arriti kulmin e 25% të totalit të kredive në ekonomi. Aktiviteti kreditues ka një gjallërim, ende modest gjithsesi, por pa diskutim që aftësia paguese e kredimarrësve është një faktor kyç në sjelljen e bankave në raport me kreditimin. Me qëllim frenimin e fenomenit të kredive të këqija dhe nxitjen e kreditimit është hartuar nisma që është një hap i rëndësishëm, i cili në vetvete përfaqëson sektorin më transparent dhe të formalizuar të ekonomisë.

Përfitimet e masave sipas BSH:

1. Për industrinë bankare, mbështetja e kredidhënies në deklaratat tatimore lehtëson ndjeshëm procesin e kredidhënies, duke i vendosur bankat në një emërues të përbashkët në leximin e të dhënave financiare. Kjo krijon lehtësi në veprimtarinë e kreditimit, duke u dhënë qartësi të lartë bankave në procesin e analizës financiare dhe përzgjedhjen e kredimarrësve, si dhe në shkëmbimin e informacioneve me njëra-tjetrën për kredimarrës të përbashkët.
2. Për bizneset dhe familjet shqiptare ky proces nxit rritjen e transparencës, çka do të përkthehet detyrimisht në uljen e rrezikut të kredisë dhe ajo që është më e rëndësishme, në uljen e kostos së financimit. Po ashtu, duke krijuar një fushë më të barabartë loje, ky proces rrit konkurrencën dhe efiçiencën, çka në analizë të fundit, ndihmon zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit.
3. Për ekonominë në tërësi, ky proces rrit qëndrueshmërinë ekonomike dhe financiare të vendit, si dhe krijon premisa për një sistem tatimor më të thjeshtë dhe për një shpërndarje më të drejtë të barrës së taksave.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.