OPINION

E kaluara “e kuqe” dhe shembuj suksesi

07:40 - 15.12.17 gsh.al
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Tibina SHANAJ




 

Spunton për këtë shkrim e mora kur mësuam për emërimin përpara disa javësh si zëvendësministre e Drejtësisë të Teuta Vodo, e doktoruar në Universitetin e Lirë të Brukselit (ULB) dhe hulumtuese pranë Parlamentit Evropian. Në fakt, për punën dhe përpjekjet e saj të palodhura, të filluara në Divjakë, pastaj në Universitetin e famshmin “La Sapienza” në Romë dhe 10 vitet e fundit këtu në Bruksel kemi lexuar në librat “Diplomacia për të gjithë” dhe sidomos librin e botuar disa muaj më parë “True Stories from Red Albania” (Ndodhi të Vërteta nga Shqipëria e Kuqe” të autorit Jorgji Kote.

Si shumë studentë dhe bashkatdhetarë të tjerë e të huaj këtu në Belgjikë, kam pasur rastin të jem e pranishme në promovimin e tij edhe në ULB në Bruksel. Siç vlerësohet në shumë komente në shtypin shqiptar dhe atë belg, ky botim i prestigjiozes “Toena” në gjuhë angleze përbën një risi në trajtimin e një teme të “nxehtë” si ajo e “ndërtimit socialist”, sidomos për ne të rinjtë, që nuk e kemi njohur e jetuar atë periudhë.

Në këtë botim të ri, ndër të tjera bie në sy se pa u zgjatur në argumente të përsëritura, autori u ka kundërvënë tezave dhe pretendimeve absurde të asaj kohe shumë modele dhe shembuj suksesi të bashkatdhetarëve tanë kudo në botë. Natyrisht, pa mbyllur sytë ndaj dukurive negative, koha ka dëshmuar bindshëm se shumica dërmuese e bashkatdhetarëve tanë jashtë vendit nuk kanë asgjë të përbashkët me “shfaqjet e huaja”, “degjenerimin borgjez e kapitalist”, “tradhtinë” e të tjera si këto. Kjo përbën një vlerë dhe specifikë të rëndësishme të autorit, që është publicist dhe diplomat me përvojë, i cili deri muajt e fundit kur doli në pension ishte në përbërje të ambasadës sonë në Bruksel; kjo e fundit dhe titullarja e saj, Suela Janina, njihen si nxitës dhe mbështetës edhe të aktivitetit të diasporës sonë dhe ne studentëve në veçanti.

Natyrshëm, vendin e nderit në këtë libër e zënë ish-të burgosurit politikë të regjimit të mëparshëm, njerëz të thjeshtë dhe personalitete të shquara të kulturës dhe artit tonë. Ndër më të dëgjuarit të kësaj kategorie përmendet intelektuali, profesori dhe historiani i shquar veteran, Sami Repishti. Autori shpreh vlerësimin maksimal për këtë personalitet poliedrik dhe patriot të vërtetë. Në shumë shkrime dhe kontribute të tjera publicistike, Repishti inkurajon dhe shprehet shumë optimist për shembujt dhe modelet pozitive të bashkatdhetarëve dhe të rinjtë në veçanti.

Një shembull tjetër i spikatur në Belgjikë është ai i 87-vjeçarit Lek Pervizi, që ka vuajtur bashkë me familjen dhe të afërmit mbi 45 vite në burgjet dhe kampet e internimit. Vetëm sepse babai i tij ishte gjeneral gjatë kohës së ish-Mbretit Zog. Pavarësisht këtyre vuajtjeve, gjatë mbi 20 viteve këtu në Bruksel Lek Pervizi renditet ndër njerëzit më patriotë, aktivë dhe pozitivë. Ai i është përkushtuar me arkivën e tij të pasur dhe ilustrative zbardhjes së realitetit të atyre viteve me libra, poezi, vizatime dhe piktura dhe me revistën “Kuq e Zi” në shqip dhe frëngjisht.

Ndër përfaqësuesit e brezave, që pas vitit 1956 emigruan në Belgjikë është ai i familjes së Ahmet Gjanajt. Shumë vite më parë, ai krijoi të parën dhe më madhen shoqatë kulturore të shqiptarëve ALBABEL, së bashku me shkollën plotësuese në gjuhën shqipe “Vatra”, me një ekip me mësues të përkushtuar shqiptarë. Në vitin 2014, Ahmeti pasi shërbeu për disa vite këshilltar komune, u zgjodh i pari shqiptar në Belgjikë deputet për Rajonin e Brukselit.

Kurse SHBA-të, që deri në vitin 1990 ishin “armiku nr. 1 i Shqipërisë socialiste, gjatë 27 viteve të fundit ka mirëpritur dhe mbështetur mijëra shqiptarë të të gjithë moshave dhe profesioneve që kanë realizuar ëndrrat e tyre në tokën e premtuar. Krahas personaliteteve të njohura, ndër njerëzit e thjeshtë të rinj, përmendet ekonomistja e lartë Jonida Molla, e cila bashkë me të atin, inxhinier Selim Molla, motrën dhe vëllain kanë disa vite në SHBA. Jonida gjeti aty hapësirat për zhvillimin e aftësive të saj në fushën e bankës dhe kontabilitetit. Me diplomimin në universitetin e dytë në Nju Jork, pas një përvoje në bankën shqiptaro-amerikane në Tiranë, tashmë Jonida është promovuar si analiste marketingu në kompaninë e njohur “Mediterranean Shipping Company” në Charleston.

Edhe “armiqtë” e tjerë të mëdhenj të dikurshëm të vendit tonë, BE dhe NATO kanë pranuar jo pak bashkëpatriotë në selitë e tyre qendrore. Krahas disa ushtarakëve në Mons, libri përmend vajzën nga Kavaja, Dorina Cani. Pas diplomimit të saj shkëlqyeshëm nga Universiteti Katolik i Leuvenit dhe një praktike disamujore në Misionin tonë pranë NATO-s, Dorina tashmë bën pjesë në stafin ndërkombëtar të NATOS në Bruksel, kurse disa të tjerë punojnë në institucionet e BE-së në Bruksel dhe gjetkë.

Edhe në Luksemburgun e vogël, krahas të mirënjohurës Hyeda El Sayed e të tjerë, ka disa vite që punon Besmira Uruçi, vajza e dy intelektualëve të shquar shkodranë, profesoreshës së ndjerë Esmeralda, ish-ministre e Kulturës dhe Dashamir Uruçi, bashkëthemelues dhe drejtuesi i shoqatës “Kosova”. Diplomimin shkëlqyeshëm nga Sorbona e famshme si juriste disa vite më parë, Besmira po e përdor si dëshmi të vullnetit të saj për më shumë dhe në aspektin profesional. Për disa vite ka qenë delegate e rinisë sonë në UNESCO dhe sekretare e përgjithshme e Universitetit Veror Franko-Gjerman të Ballkanit. Kohët e fundit është promovuar si shefe sektori në kompaninë e madhe të Fondeve të Investimit “Selectra” në Luksemburg.

Autori kujton me nostalgji mësuesit dhe profesorët e tij të nderuar të shkollës së mesme dhe të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja. Ndërmjet tyre spikat prof.dr. Eshref Ymeri, ish-shef katedre në UT, personalitet në fushën e përkthimit në rusisht, anglisht dhe italisht. Ai vazhdon prej vitesh aktivitetin e tij edhe në fushën e publicistikës, si qytetar dhe patriot i vërtetë tashmë në SHBA me familjen dhe dy fëmijët, që dhe ata spikasin për vlerat dhe profesionalizmin e tyre.

Një tjetër tezë absurde e së kaluarës që nënvizohet në këtë libër ishte se martesa me të huaj njehsohej me tradhti, spiunazh, degjenerim e të tjera dokrra si këto. Shembujt që jepen në libër janë përgënjeshtrim bindës. Kështu, mësuesja e anglishtes nga Kruja me banim në Danimarkë, Myzejen Nova (Johansen) me mbështetjen e drejtorisë së një shkolle praktike në Ronde, ku ka 20 vjet që punon si mësuese dhe të bashkëshortit të saj të ndjerë, Ejvind Johansen, kanë ftuar çdo vit për kurse 6-mujore mbi 100 të rinj dhe të reja nga Shqipëria. Për ta, Ronde e vogël është bërë një stacion madhor i ndërmjetëm për destinacionet e tyre të ardhshme. Disa prej tyre janë martuar me vendës, ose janë sistemuar me punë atje, duke krijuar dhe konsoliduar kësisoj një komunitet cilësor shqiptaro-danez.

Në libër përmenden edhe të rinj e të reja që kanë lindur në agimin e demokracisë. Këta të fundit, me gjithë vështirësitë financiare, familjare etj., po japin shembuj të kurajës dhe vendosmërisë për të krijuar imazhin dhe personalitetin e tyre të spikatur, një urë lidhëse mes të kaluarës, të tashmes dhe të ardhmes. Një kapitull i veçantë i është kushtuar shoqatës tonë studentore “Vlera” në Bruksel me vlerat, imazhin dhe pozitivitetin që përcjell për rininë dhe vendin tonë në shkollat dhe universitetet belge e më gjerë.

Shembulli përmbyllës mbresëlënës është ai i të resë Era Hajdari, e ardhur në Anversë këto 12 vitet e fundit. Me gjithë peripecitë e shumta të fillimit si adoleshente bashkë me motrën më të vogël, ajo zgjodhi rrugën më të vështirë dhe më dinjitoze, duke studiuar dhe punuar njëherazi. Tashmë, Era është menaxhere marketingu në një kompani të njohur dhe me shumë pasione për jetën, kurse Anxhela në një kompani të madhe eventesh. Në shenjë dashurie dhe patriotizmi, libri mbyllet përfundon me një vjershë shumë të bukur që Era i ka kushtuar në anglisht atdheut, vendit të shqiponjave, një kartolinë e bukur kjo për vendlindjen.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Si gjithmone,atehere dhe tani,atdhetari,gazetari e diplomati,Jorgji Kote,nuk humb kohe me gjerat e rutines se oerditshme…;ai germon,i gjen dhe i perkushtohet vlerave te kombit,atyre qe sot jane e ku nuk jane;kane luftuar me jeten e kane fituar.
    Autori i ketij libri, ka hapur nje faqe te re,ku duhet te shkruajne shume e shume te tjere;per femijet tane qe jetojne e punojne me dinjitet, ne qendrat me te zhvilluara, te Europes e te botes mbare.
    Ai shkruan per njerez te suksesshem qe kane arritur lart,ne ato vende ku nuk eshte e lehte, ku duhet pune e sakrifica te medha,per te arritur majat;ai shkruan per njerez dhe per vlera te bashkekombasve tane qe jetojne larg por qe per asnje moment nuk e kane harruar memedheun…!
    Te falemnderit JORGJI KOTE…!

    Përgjigju ↓
  2. E dashur Tibina Shanaj!
    Fjalet ne te ngrohta per ty e per familjen tende.
    Ato qe kam shkruar per autorin e librit Jorgji Kote,vlejne edhe per ty per autoren e ketij artikulli krejt ndryshe nga ato qe shkruhen sot;nga ata artikuj ku perbaltja e njeriut eshte ne rendin e pare…!
    Ndersa ti flet vetem per vlera per ata qe me mundime i preken majat e suksesit dhe me shprese e mall veshtrojne nga memedheu.
    Te falemnderit shume per vlerat qe i ke dhene familjes dhe vajzes time BESMIRA.
    Me shume rrespekt,

    Dashamir Uruci.

    Përgjigju ↓