KULTURË

Valbona Zeneli sjell librin me ese “Në opinionin tim”

08:52 - 17.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

In my opinion” është libri më i ri i Valbona Zenelit, pedagoge në Marshall Center. Libri shoqërohet me skica të djalit 12-vjeçar të autores dhe vjen me parathënie nga personalitete të shquara në fushën e sigurisë dhe gazetarisë në Europë. “NË OPINIONIN TIM… Çështje të sigurisë europiane, tregtisë dhe Ballkanit Perëndimor”, është i përbërë nga 39 kapituj dhe studion një sërë tematikash të Ballkanit Perëndimor, si: integrimi, emigrimi, korrupsioni, zhvillimi e qeverisja e mirë, teksa autorja rreket ta vendosë rajonin në një kontekst më të gjerë evropian e botëror. Kritika librin e sheh si një urë lidhëse mes Ballkanit Perëndimor e Bashkimit Evropian. Në promovimin e këtij libri, pasditen e djeshme, morën pjesë në ambientet e resortit Carlsberg në kryeqytet, Presidenti i Republikës Ilir Meta, si dhe ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu. Valbona Zeneli, është doktore në shkencat ekonomike dhe profesore e Studimeve të Sigurisë Kombëtare, por edhe Drejtore e Programit të Detit të Zi dhe Euroazisë në Qendrën Europiane të Studimeve të Sigurisë George Marshall. Presidenti Meta përshëndeti botimin e këtij libri me përmbledhje artikujsh e esesh dhe vlerësoi në mënyrë të veçantë idetë dhe tezat shumë interesante, të guximshme dhe provokative të lançuara nga dr. Zeneli, për çështje shumë sensitive për politikën dhe shoqërinë shqiptare dhe atë ballkanike. Duke u ndalur tek tema e autores për emigracionin dhe largimin e të rinjve të kualifikuar nga vendi dhe rajoni, Presidenti Meta theksoi se humbja e shpresës së të rinjve dhe pasiguria për të ardhmen e tyre është një çështje që duhet të na shqetësojë të gjithëve. Për librin e Valbona Zenelit kanë shkruar përshtypjet e tyre edhe gazetarë e personalitete të huaj. “39 “kapituj” të shkurtër që përmbledhin një numër temash, të cilat vërviten rreth një fushe të rëndësishme: Ballkanit Perëndimor. Secili kapitull është një “shtresë” kirurgjikale e një problemi, aspekti, shqetësimi, pritjeje të njerëzve që jetojnë atje – emigrimi, zhvillimi, qeverisja e mirë, korrupsioni etj. – nën mikroskopin analitik të dr. Zenelit, e lindur në Shqipëri, por që jeton dhe punon në Perëndim. Unë jam i sigurt se lexuesi do të jetë i impresionuar nga njohuria e autorit, “syri”, përshkrimi konciz dhe elegant i rajonit dhe problemeve të tij, të shikuara nga të gjitha aspektet e mundshme të analizës. Lexuesi do të përfitojë nga analiza e vendosjes së rajonit në një kontekst më të gjerë europian dhe botëror. Një përvojë mjaft edukuese dhe e këndshme, të cilën unë ua rekomandoj ngrohtësisht të gjithë lexuesve”,-Ioan Mircea Pascu, zëvendëspresident i Parlamentit Europian.




Kush është Valbona Zeneli
Ajo ka një doktoraturë nga Universiteti i Barit në Ekonominë Politike Ndërkombëtare dhe një master në Marketing Ndërkombëtar nga Universiteti i njohur “Georgetown” në Washington. Shkollën e lartë, dr. Zeneli e kreu për administrim biznesi në Universitetin e Bolonjës, ku ka mbaruar ne notat më të larta. Zeneli, gjithashtu, është diplomuar nga Programi i Liderëve në Marshall Center si edhe nga programi Edukimi Ekzekutiv i Kennedy School of Government në Universitetin e Harvardit. Në Shqipëri ajo ka punuar pranë Ministrisë së Ekonomisë (gjatë periudhës së qeverisjes Nano) dhe këshilltare pranë ish-kryeministrit Nano (2003-2005). “Armët e suksesit tim, janë prindërit, familja. Rregulli tepër strikt, disiplina shumë e fortë janë kyçi i gjithçkaje që kam arritur sot”,-ka thënë ajo në një intervistë, dhënë pak kohë më parë. Valbona është pedagogia e parë shqiptare në Qendrën Marshall, ku janë specializuar më tepër se 9.000 kursantë nga 137 vende të botës dhe 300 prej tyre shërbejnë sot si presidentë, ministra apo parlamentarë në vendet e tyre. Edhe presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka qenë një prej kursanteve në këtë qendër. Valbona, e cila ende nuk ka arritur të 40-at, thotë se një grua mund t’i bëjë të gjitha “Një njeri mund të quhet i suksesshëm kur ka çdo gjë të balancuar dhe në ekuilibër, pra të qenit nënë, grua, bashkëshorte dhe mike. Kjo nuk do të thotë të jesh e përkryer në të gjitha, por mundohem që t’i bëj detyrat në çdo drejtim. Kur e kisha djalin ende shumë të vogël, kam bërë dhe doktoraturën. Pra, asgjë nuk është e lehtë për askënd, por as e pamundur. Dhe si unë, ka shumë gra e vajza që ia kanë arritur.”

Lu do bëhej astronaut, Meta pilot

Presidenti Ilir Meta ka shkëmbyer batuta me ambasadorin Lu gjatë promovimit të librit të Valbona Zeneli. Mësohet se z. Meta i ka thënë ambasadorit Lu: “Unë i vogël pilot ëndërroja”. Kjo deklaratë e Metës erdhi pas postimit të ambasadës amerikane në “Facebook”, ku gjatë një bashkëbisedimi me nxënës të shkollës fillore Turgut Ozal, ambasadori Donald Lu u tha të vegjëlve se në moshën e tyre ëndërronte të bëhej astronaut. “Kur isha në moshën tuaj, unë doja të bëhesha astronaut. Kjo ishte ëndrra ime”,- zbuloi gjatë bisedës për programin “Meet America” ku dhe pyeti nxënësit e pranishëm se çfarë donin të bëheshin kur të rriteshin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.