OPINION

Shoqëria po polarizohet me shpejtësi, shtresa e mesme drejt zhdukjes

07:20 - 19.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Rovena HOXHA

 

Fillimi i mijëvjeçarit të ri ka shpalosur përpara nesh shumë   sfida, probleme dhe çështje që për nga natyra dhe ndikimi që kanë, dalin jashtë kufijve të ngushtë të mjedisit që duket se i shkakton, duke marrë përmasa globale. Asnjë vend në shoqëri nuk mund të jetojë i veçuar nga të tjerët. Kështu termi më i përgjithshëm, që shpreh ndërvarësinë në rritje të shoqërisë botërore, është globalizimi. Këtu përfshihet procesi i globalizmit të shek. 21, në të cilin dhe jetojmë.

Prandaj dhe, në këtë kuadër çështjet në të cilat angazhohen OJQ-të janë gjithnjë e më shumë të ndërvarura apo globalizuese. sepse globalizimi është burim i sfidave të reja për njerëzimin, dhe vetëm një organizatë globale është e aftë të përballet me sfidat globale. Ato janë çështje që nuk zgjidhen vetëm nga shteti, por zgjidhja e tyre kërkon bashkëpunim ndërkombëtar”- shprehet Kofi Annan.

Por, a kemi menduar ndonjëherë, se cilat janë fushat që bëjnë diferencën mes një të pasuri dhe një të varfëri? Shkaqet, përse të varfrit qëndrojnë të varfër dhe të pasurit pasurohen çdo ditë dhe më shumë…?
Nga një studim i kohëve të fundit theksohet, se “më të pasurit e një përqindëshit të botës aktualisht kontrollojnë 48 për qind të pasurisë botërore. Tetëdhjetë njerëzit më të pasur në botë kontrollojnë 1.9 trilionë dollarë, që është, në fakt, sasia që 3.5 miliardë njerëz kanë në anën tjetër të spektrit. Është e pabesueshme që 80 njerëz kanë pasuri të barabartë me 3.5 miliardë njerëz!” Çfarë do të thotë kjo?!!?
Pyetja që ngrihet është nëse jemi ne viktima të rregullave të krijuara nga të pasurit për ekonominë globale, apo po ndodh diçka tjetër? Ka studime të shumta, natyrisht e në vazhdim.

Por, thellimi i pabarazisë ekonomike sjell tensione sociale të shumëllojshme. Debatet për thellimin e pabarazisë po bëhen gjithnjë e më kritike. Ekspertët po e analizojnë efektin negativ të rritjes së pabarazisë në disa aspekte kryesore. Thellimi i saj tregon për dështimin e zhvillimit ekonomik, ndërsa nga pikëpamja social-ekonomike, thellimi i pabarazisë rrit me tej krizën ekonomike; shtimi i të papunëve dhe të varfërve rrit numrin e njerëzve që nuk punojnë, dhe për pasojë nuk kontribuojnë për rritjen ekonomike. Si rrjedhim, shtohet numri i të pakënaqurve, sidomos nga shtresa e mesme ndaj pushtetit të vet. Për të cilët qeveritë duhet te shqetësohen me vepra, dhe jo thjesht të interesohen për to. Aktualisht është emergjente të zgjidhen pyetje si:

– Me çfarë merren apo si mbijetojnë këta të pakënaqur ose “të pamundur”…?? A po humbet shtresa e mesme e shoqërisë tonë? Ka plane dhe programe afatgjata qeveria shqiptare për zbutjen ose përmirësimin disi të jetës se tyre? A është rritur ky numër dita-ditës? Pse?

Marrim një shembull nga vendi ynë aktualisht: kur një i papunë, i pashkollë dhe pa asnjë shpresë për të nesërmen, si ndjehet vallë, teksa ndjek televizorin me pult në dorë…Ditën e hënë: komisione parlamentare, ku asgjë nuk flitet për të, të martën lajme, asgjë për të mërkurën debate e analiza, dhe as aty askush nuk flet për të; të enjten…ditën e parlamentit, kemi shfaqje në ekran pozitë-opozitë (Rama-Basha-Berisha-Meta), përsëri asgjë nuk thuhet për të. Në mbrëmje analiza, lajme, kryeministri, debate, opinione, dhe përsëri asgjë nuk flitet për të…Ku e gjen veten ky individ? Edhe shtresa e mesme sot po gdhihet më e varfër, më e ç’ekuilibruar, madje më e fyer nga qeveria e vet e votuar.

Cilat janë prioritetet e qeverisë shqiptare “Rama 2” në pushtet? Nuk e ka fare në axhendë të tillë, përveçse “dhuratës” 3 mije lekëshe për pensionistët për festat e fundvitit!!

Ndërsa borxhi publik në Shqipëri sipas INSTAT për vitin 2016 ka shkuar në mbi 72%? Edhe për çfarë gjithë ky borxh, për lukse zyrash, ministrish, fasadash e makinash, dhe jo aspak për zbutjen e këtij hendeku klasor, e as paga e pensione, apo për të ndërtuar rrugë, shkolla apo spitale. Natyrisht, a nuk vulgarizohet më tej kjo shtresë qytetarësh që janë varfëruar më shumë? Patjetër që po! A duhen marrë masa, fonde dhe borxh për të zbutur skamjen dhe mizerjen, që i mbush më tej me zemërim? Zemërim që po kthehet globalisht në mllef, me tej në urrejtje, e më pas shpërthim, madje eksploziv, eksploziv dhe dhunë.

Treguesit janë përkeqësuar jo vetëm nga kriza globale, por sidomos nga keqqeverisja. Kjo vërtetohet nga fakti që vende të ndryshme në BE janë prekur në shkallë të ndryshme nga kjo krizë, por të gjitha vendet me institucione të dobëta janë prekur më thellë. Shqipëria patjetër, po! Qeveria shqiptare në Parlament bën shfaqjen “teatri i kukullave në ekran” çdo javë. Vetëm për shqetësimet e qytetarëve nuk flitet kurrë aty!

Dhe, kur pabarazia thellohet, dukshëm ajo polarizon shoqërinë duke e futur atë në krizë akute. Prandaj dhe, ekspertët propozojnë që zgjidhja për të ndalur thellimin e pabarazisë në të ardhura, duhet të fillojë nga rritja e barazive të mundësive për mirë-arsimim, kujdesin shëndetësor, mundësi punësimi e biznesi, që sjellin natyrisht një jetë më të mirë. Pabarazia sociale është bërë më kërcënuese për të ardhmen edhe të vetë këtyre, të “oligarkëve lubi” që nuk ngopen kurrë.

Nga ana tjetër, në   botë   vetë miliarderët po bëjnë thirrje dhe propozime për politika ekonomike dhe politika taksimi të reja që ndalin thellimin e pabarazisë, sa nuk është vonë. Kjo vërteton se rreziku është real dhe në rritje. Ndërsa, mungesa e qeverisjes globale i ka përkeqësuar sfidat sociale, të cilat kanë krijuar vatra konfliktesh dhe pasigurish në shumë vende me institucione të dobëta, fenomen që sa vjen e rritet edhe në rajonin tonë  , edhe në   Shqipërinë tonë   sa të   pasur, aq edhe të   varfër njëkohësisht.

Midis të tjerash,

“Globalizmi po ecën me dy shpejtësi të ndryshme – hapja e tregjeve, eliminimi i barrierave, reduktimi i pengesave të kompanive multinacionale në tregjet e vendeve në zhvillim – ecin me shpejtësi të madhe. Kjo ka rritur mundësinë e rritjes së fitimeve të miliarderëve të rinj, pasi ata shesin mallra dhe shërbime në tregjet deri në 7 miliardë konsumatorë.”

Studiuesit propozojnë si zgjidhje rritjen e barazisë së mundësive, duke theksuar, se nuk ka një zgjidhje të vetme për të gjitha vendet. Diversiteti i problemeve kërkon strategji të   larmishme specifike për çdo rast. Emergjente është ngritja e institucioneve të qeverisjes globale, që duhet të hartojnë strategjitë, projektet dhe aplikojnë politika dhe instrumente konkrete për t’u përballuar me sfidat globale si sëmundjet, dhuna, droga, varfërinë ekstreme, keqarsimimin, pse jo edhe zemërimin e mllefin e shtuar të të pakënaqurve në rritje.

Natyrisht, më të zotët do të shijojnë frytet e sukseseve të tyre. Por, nuk duhet harruar shtresa tjetër, ajo në mjerim e pamundësi. Kontrastet e forta sociale që po mbushin globin, nuk mund të lejojnë ty o “njeri i pasur, i zoti, i realizuar, i suksesshmi, etj., të jetosh luksin në rehatinë e komoditetit tënd, indiferent ndaj asaj “panoramës periferike gri në të zezë.. Jo, jo! E pamundur! Reagimi i tyre mund të jetë primitiv, i dhunshëm, kriminal apo banal, i organizuar ose jo, laik apo fetar, por është klithmë, revoltë që po rritet e po rritet…

Vetëm në pak muaj kemi parë Parisin, Brukselin, Stambollin etj., se si jeta u paralizua për disa orë. A menduam, se ku e ka burimin gjithë kjo gjakderdhje? Rrugët u boshatisën, u mbyllën çerdhet, kopshtet, shkollat, qendrat tregtare, kinematë dhe teatrot… Kështu jeta ndaloi brenda luksit apo varfërisë së mureve të banesës së gjithsecilit. Ky aktualitet i dhimbshëm, na bën të thellohemi shumë dhe t’i japim zgjidhje urgjente pabarazisë sociale, me qëllim që të jetojmë të gjithë me dinjitet njerëzor jetët tona dhe të fëmijëve tanë. Njerëzimi duhet të ketë të ardhme të sigurt. Kontrastet e frikshme sociale rrezikojnë ekuilibrin normal të mbarë shoqërisë sonë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.