OPINION

Çadra e përkohshme e Edi Ramës

07:32 - 20.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Nga Desada METAJ

 

Arta Marku ishte pa dyshim personazhi më i guximshëm në radhët e socialistëve. Aq sa ata që drejtonin dikur protestën e 21 janarit dukeshin si diletantë përballë një gruaje, që e kishte më të qartë se çdo rilindas në sallën e Kuvendit se vendi i saj ishte ai që mazhoranca i kishte përcaktuar, në Prokurorinë e Përgjithshme. Sikundër e kishte po kaq të qartë që procedura me të cilën po zgjidhej ishte sa antikushtetuese, aq edhe pjesë e një gare farsë mes kolegëve, kur dihej qartë se ajo do të ishte triumfuese me bekimin e Edi Ramës.

Por, votimi për zonjën Marku ishte edhe arsyeja e betejës së parë të vërtetë dhe serioze mes opozitës dhe përpjekjeve të qeverisë ‘Rama 2’ për të marrë nën hyqëm edhe Prokurorin e Përgjithshëm. Zgjedhja e paralajmëruar e një kandidati të mazhorancës apo puçi kushtetues, siç e quan Lulzim Basha, është padyshim një akt i paprecedentë i shumicës së kartonëve. Por, paksa i vështirë për t’u kuptuar dhe reaguar masivisht nga qytetarët. Debati me terma juridikë që shoqëroi këtë proces, zvarritja e hetimeve për ish-ministrin Tahiri, mosnisja e hetimeve për drejtues të tjerë të lartë, të cilët dyshohen të jenë të përfshirë në afera banditeske, padyshim që kanë krijuar një grup skeptikësh, që ende dyshojnë në vërtetësinë e lidhjeve të segmenteve të mazhorancës me botën e krimit. Dhe për të qartësuar sa më sipër, emërimi i Arta Markut vështirë se do të jetë ndihmë. Jo më shumë për emrin e ri të kryeprokurores se sa për mënyrën se si u shkua deri në seancën e votimit me tym rozë të saj.

Edi Rama ishte i qartë që në fillim se mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm do të thoshte fundi i një periudhe gjakngrirë, kur në çdo moment mund të plaste një “bombë” – dosje për të ose ndonjë nga bashkëpunëtorët e tij të afërt. Dhe për këtë si gjithmonë, ai përgatiti situatën duke nisur me procesin e zëvendësimit të Prokurorit të Përgjithshëm, që u kontrollua plotësisht nga mazhoranca.

Edhe pse u përpoq, ai nuk arriti ta përfshinte opozitën në këtë proces-kurth, që gjithsesi mori vëmendjen e ndërkombëtarëve. Ambasada amerikane dhe zyra e BE në Tiranë, pavarësisht deklaratave të opozitës dhe zërave publikë kundër zgjedhjes së një prokurori të përkohshëm, i dhanë mbështetje Edi Ramës për të zgjedhur me shumicë të thjeshtë prokurorin e ri të përkohshëm. Duke mbështetur pikërisht të njëjtin kryeministër, që nuk i kishte dëgjuar thirrjet e ambasadorit Lu për të larguar Elvis Roshin, Armando Prengën apo ndonjë tjetër. Dhe që sipas oreksit, këtë herë i dëgjoi symbylltas, edhe pse qartazi po rrezikonte të shkelte Kushtetutën dhe vetingun, aq të dashur për ndërkombëtarët. Me mbështetjen e të huajve në Tiranë dhe me një procedurë të pandodhur më parë të një shumice të thjeshtë, Edi Rama bekoi kryeprokurorin e ri, ndërsa selitë diplomatike në Tiranë u shqetësuan më shumë për dëmet materiale të protestës sesa për një prokuror të ri pa veting. Duke i dhënë edhe njëherë mbështetje Edi Ramës dhe përzgjedhjeve të tij, politikanit që në legjislaturën e kaluar kishte të paktën 6 deputetë me precedentë kriminalë e që sot ka ish-bashkëpunëtorin e afërt të akuzuar për përfshirje në organizatë kriminale. Në kohën kur opozita flet për të tjera dosje që “flenë” në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kur përgjimet që rrjedhin në media janë objekt i debatit të gjerë publik për përfshirjen e policisë në kultivimin dhe trafikun e lëndëve narkotike, kryeministri bekoi sot edhe prokurorin e ri të përkohshëm, që me gjasë do të qëndrojë në atë detyrë derisa Edi Rama të sigurohet për kandidaturat e shoqërisë civile në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Organi i vetëm që mund të zgjedhë Prokurorin e ri të Përgjithshëm është ende i paplotësuar, edhe pse në Shqipëri ka më shumë OJF se studio pikture.

Ndaj seanca e djeshme e Kuvendit, e shndërruar në arenë beteje jo aq për emrin e Arta Markut sesa për kthetrat e pushtetit që mbërthyen të vetmin institucion që nuk zotërohet nga mazhoranca, është beteja finale e opozitës me qeverinë e Edi Ramës. Çdo kompromis përballë kësaj situate do të ishte rrënimi i plotë i një opozite të paragjykuar dhe i një PD-je të përçarë. Gjë që më shumë se kujtdo i vjen për mbarë kryeministrit të frikësuar, i gatshëm ta çojë vendin në zjarr vetëm për një prokuror të përkohshëm. Që do të mund ta mbronte qoftë dhe përkohësisht nga dosjet ekzistuese apo hetimet e reja, por që me gjithë 69 votat do ta kishte gjithsesi të pamundur ta mbronte nga revolta e qytetarëve që besojnë se pushteti i Edi Ramës është mjaftueshëm i përfshirë me botën e krimit sa të largohet nga pushteti. E nëse ky është dhe qëllimi i vërtetë i opozitës, ajo duhet ta provojë këtë me çdo mjet apo mënyrë. E pas kësaj, asnjë prokuror i përkohshëm apo i përhershëm, asnjë militant që betohet në emër të socialistëve në tymin e parlamentit nuk e shpëton dot Edi Ramën. “Opinion.al”

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.