EKONOMI

Nis aksioni i pastrimit, Veliaj: Të fitojmë betejën me mentalitetin

11:10 - 22.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bashkia e Tiranës iu bashkua sot aksionit kombëtar “Pastrojmë Shqipërinë që duam”. Bashkia e Tiranës, Ministria e Mjedisit, Ministria e Arsimit, organizuan aksionin e pastrimit në aksin rrugor Qafë Kashar-Rinas ku veç përfaqësuesve të institucioneve shtetërore morën pjesë edhe nxënës nga gjimnazet e Tiranës, si dhe vullnetarë të tjerë.




I pranishëm në këtë aksion ishte dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i shoqëruar nga Ministri Blendi Klosi, ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro si dhe deputetë.

Veliaj falënderoi të gjithë ata që iu bashkuan këtij aksioni në prag të festave të fundvitit dhe ftoi të gjithë qytetarët që të marrin pjesë në pastrimin e qytetit.

“Unë besoj se nuk ka fabul më të bukur se sa në prag të vigjiljes për vitin e Skënderbeut, ne të pastrojmë njëkohësisht dy kryeqytetet tona, kryeqytetin e ri  që është kryeqyteti i Tiranës dhe atë të vjetër që është kryeqyteti i Krujës. A ka gjë më të bukur se sa të na gjejë 2018, pastër dhe të mobilizohemi të gjithë, me aq fuqi sa kemi, për të pastruar”, deklaroi Veliaj.

Veliaj ftoi qytetarët që të kujdesen më shumë për mjedisin që i rrethon,  ndërsa theksoi se beteja që duhet fituar është ajo e mentalitetit.

“Në momentin që ne pranojmë që po, ne jemi fajtorë dhe ne duhet t’i dalim zot këtij faji, atëherë kemi filluar të ndryshojmë jo vetëm logjistikën, jo vetëm fadromat, me qeset, dorezat që mbledhim. Sot ne do pastrojmë një aks ose disa akse rrugore që në totalin e tyre mund të jenë 50 kilometra rrugë por aksi më I vështirë për të pastruar është 10 centimetra. Aty është truri, mentaliteti ynë, kultura jonë, aty është sistemi ynë i vlerave dhe sfida më e madhe nuk është sot”, deklaroi Veliaj

Kryebashkiaku Veliaj vlerësoi dhe nismën e marrë nga Bashkia e Tiranës për reduktimin e përdorimit të qeseve plastike në kryeqytet, ku  është arritur të ulet përdorimi i tyre me 60 për qind, çka solli që kryeqyteti të mos kishte probleme gjatë reshjeve.

Ndërkohë që nesër, me moton “Ta pastrojmë qytetin që Viti i Ri të na gjejë pastër”, aksioni do të përqendrohet në të gjitha njësitë administrative, për të realizuar një pastrim të përgjithshëm të territorit të Tiranës. Për këtë qëllim Bashkia e Tiranës ka ftuar që të bëhen pjesë e këtij aksioni edhe të gjithë qytetarët e Tiranës, që duan të kontribuojnë për një ambient të pastër.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.