OPINION

Që leximi të bëhet mënyrë jetese

07:20 - 22.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




 Nga dr. Jorgji KOTE

 

Dikur pas punës në kopsht, një i moshuar shihej çdo ditë duke shfletuar faqet e një libri. Dy kalimtarë të rastit e pyetën përse e bënte një gjë të tillë kur ai boll kishte mësuar nga jeta. I moshuari u përgjigj duke thënë: “Nuk lexoj për të mësuar, porse leximin e kam mënyrë jetese”. Ky pohim sintetizon vlerat e shumta e të mëdha të leximit të literaturës, në radhë të parë asaj artistike, jo thjesht si zbavitje, argëtim, luks apo ca më pak për të “vrarë” kohën.

Në këtë vështrim është për t’u përshëndetur nisma e Ministrisë së Kulturës për nxitjen e leximit të librit gjatë këtij viti. Me siguri që ajo do të ketë ndikim pozitiv në përmirësimin rrënjësor të gjendjes në këtë drejtim e sidomos në shkurtimin e hendekut ndërmjet realitetit, kulturës së leximit dhe përvojës së vendeve të tjera të përparuara.

Mjafton t’i hedhësh një sy ‘websit’-it të këtij dikasteri apo të jesh i pranishëm edhe në ndonjë  veprimtari të zhvilluar gjatë këtij viti dhe bindesh lehtë se kjo platformë/strategji është në përputhje “në frymë” dhe “në germë” me praktikat ndërkombëtare.

Në fakt ka pasur edhe më parë hapa të tilla, por lëvizja e tanishme dallohet se është tërësore, e larmishme dhe me një kalendar të ngjeshur veprimtarish në të gjithë vendin, profilet dhe zhanret e saj. Pjesë aktive e saj janë edhe shkollat e të gjitha niveleve, bibliotekat, shtëpitë botuese, libraritë,  institucionet e ndryshme dhe individualitete të njohura. Kësisoj, është dhënë qartë mesazhi se leximi nuk kultivohet dhe nxitet vetëm me fushata, në raste panairesh, konkursesh dhe promovimesh; ai është dukuri e vazhdueshme, kulturë, pjesë përbërëse dhe mënyrë cilësore e të jetuarit për këdo, duke filluar nga fëmijët. Sepse, siç shprehet reformisti dhe shkrimtari afro-amerikan Frederic Douglas, “njeriu bëhet gjithnjë i lirë sapo mëson të lexojë”.

Shmangia e prapambetjes së theksuar dhe kthesa rrënjësore në këtë fushë diktohet nga kushtet dhe rrethanat e sotme, kur krahas aspekteve pozitive, modelet e sotme të argëtimit, konsumit, ‘shoë’-t dhe ekstravagancës duket se po “bëjnë kërdinë” te ne, por edhe në vende me tradita. Shumë vite më parë, ish-Kancelari emblematik gjerman, Helmut Schmidt, i cili në 32 vitet e paskancelarisë botoi mbi 30 libra, shumica “best sellers” paralajmëronte me shqetësim se “nga shoqëri leximi, Gjermania po kthehej në shoqëri shikimi”.

Nisur nga sa sipër, në këto vende ka vite që po ngulmohet dhe punohet madje fort për të krijuar një mjedis dhe terren sa më miqësor dhe inkurajues për librin dhe leximin; në radhë të parë të literaturës artistike, por edhe zhanreve të tjera përkatëse sipas rastit. Kush ka qenë jashtë vendit qoftë edhe për pak kohë dhe ka udhëtuar brenda Brukselit, Parisit, Romës, Berlinit e gjetkë, por edhe ndërmjet shteteve të ndryshme me tren, metro, tramvaj dhe avion me siguri ka parë numrin e madh të udhëtarëve që lexojnë aktivisht. Në Bruksel shpërndahet falas gazeta e përditshme “METRO” në dy gjuhë, me informacion të dobishëm nga shumë fusha, etj.

Kultura dhe pasioni për lexim që shkrimtarja e njohur Elisabeth Hardwwick e konsideron si “dhurata më e madhe për njeriun” po nguliten mjaft mirë dhe te bashkatdhetarët tanë jashtë vendit. Gjatë punës si diplomat, kam parë me kënaqësi se shumë të rinjve dhe të rejave, por edhe më të moshuarve u ndrin fytyra nga gëzimi kur u dhuron libra dhe botime prestigjioze. Ashtu si dhe në disa vende të tjera, në Bruksel ka një shkollë ku mësohet me cilësi dhe gjuha/letërsia shqipe qysh në fillore. Në aktivitete dhe shfaqje të ndryshme të Grupit të mirënjohur artistik “VATRA” të huajt dhe drejtuesit e pushtetit belg mahniten me fëmijët e vegjël që lexojnë dhe recitojnë aq saktë dhe bukur vjersha/krijime elitare të rilindësve tanë dhe  shkrimtarëve të mëvonshëm! Çfarë kontrasti me disa të tjerë, që vijnë atje për një jetë më të mirë, por që janë analfabetë dhe nuk venë dot as firmën e tyre! Edhe pse i kanë të gjitha kushtet dhe mundësitë, por jo dëshirën, sepse leximin dhe mësimin i konsiderojnë të kota dhe demode!

Me gjithë shkurtimet e konsiderueshme financiare në fushën e kulturës dhe artit, në këto vende sërish zhvillohen rregullisht Ditët e Poezisë, Romanit, Letërsisë dhe Leximit; në shumë prej tyre kanë ligjëruar edhe shkrimtari ynë i madh Kadare dhe të tjerë. Në fakt, edhe te ne po zhvillohen gjithnjë e më shumë veprimtari të tilla, por rrezja e shtrirjes së tyre deri në nivelin e shkollave dhe instancave të tjera në të gjithë territorin e vendit lë ende shumë për të dëshiruar. Leximi si dhe kultura në përgjithësi vazhdojnë të jenë “prapa liste” për pushtetin lokal.

Dallimi tjetër me jashtë është se atje shteti dhe sidomos pushteti lokal ndihmojnë duke vënë në dispozicion falas ose me tarifa fare modeste salla dinjitoze, biblioteka dhe mbështetje të caktuar financiare për shoqatat kulturore dhe autorët e ndryshëm me rastin e veprimtarive që stimulojnë leximin aktiv cilësor.

Rol të madh dhe të veçantë, por të munguar në rastin tonë në këtë drejtim ka komuniteti i biznesit në dy drejtime themelore: së pari, në sponsorizimin e veprimtarive kushtuar leximit dhe shpërblimit qoftë edhe modest material të protagonistëve dhe më të dalluarve, gjithashtu edhe pse kjo mund të duket “luks”, por në shumë vende anëtare të BE-së, në Japoni e SHBA firmat organizojnë herë pas here recensione dhe lexime të librave të ndryshëm artistikë, krahas atyre profesionalë, me pjesëmarrjen aktive të punonjësve të tyre. Në përfundim ndahen dhe shpërblimet përkatëse morale dhe materiale.

Gjithashtu, entet botuese dhe kulturore, media dhe biznesi kanë shumë mundësi që të inkurajojnë shikuesit, punonjësit dhe prindërit që të nxisin familjarët e sidomos fëmijët e tyre për të zhvilluar më tej kulturën e leximit. Carl Sagan thotë se, “një nga dhuratat më të bukura që të rriturit mund t’u bëjnë fëmijëve dhe shoqërisë është që t’u lexojnë libra”.

Padyshim që radio-televizioni, shtypi, media, teatrot, aktorët dhe njerëzit e artit kanë rolin e tyre parësor në organizimin dhe suksesin e veprimtarive të posaçme si lexime, recitime, konkurse dhe festivale të ndryshme. Ka risi të rëndësishme në këtë fushë nga të gjithë këta aktorë dhe faktorë. Radio&Televizioni dhe  disa gazeta kanë rubrika tërheqëse kushtuar botimeve të reja cilësore dhe leximit të tyre, të cilat i drejtojnë krijues dhe shkrimtarë të njohur, por kjo është sërish e pamjaftueshme. Kush ndjek televizionet italiane, gjermane, franceze, por edhe të vendeve më të vogla sheh se programet e tyre janë plot dhe me konkurse të përditshme, që kërkojnë doemos lexim aktiv nga pjesëmarrësit. Aty përfshihen aktorë të shquar dhe moderatorët më të njohur të radiotelevizionit etj., që shfaqin aftësitë e tyre tashmë si lexues shembullorë. Në vendin tonë, kjo përbën një fushë ku interesi publik nuk mungon, por ai do kapur e zhvilluar nga media jonë.

Së fundi, si në çdo fushë tjetër dhe këtu politika në të gjitha formatet dhe nivelet ka rolin e saj të rëndësishëm. Siç është trajtuar me të drejtë edhe në shtyp, ka shumë vend për ta mbështetur shumë më mirë se deri sot botimin e librave me vlerë me tarifa më të arsyeshme dhe duke lehtësuar barrën fiskale, etj. Veç kësaj, me shumë ndikim publik do të ishte referimi gjatë fjalimeve dhe prononcimeve të parlamentarëve dhe politikanëve në libra dhe autorë të përzgjedhur. Nga njëra anë, kjo do të spastronte fjalorin e tyre nga batutat shpesh pa kripë dhe me tepri, sharjet, ofendimet dhe gjuha e drunjtë; nga ana tjetër, duke cituar shkrimtarë dhe filozofë të shquar, politikanët tanë do të zgjonin dhe shtonin kërshërinë e të rinjve dhe pjesës tjetër të elektoratit për të lexuar. Natyrisht, edhe vetë imazhi i tyre do të bëhej më i pëlqyeshëm.

2018-ta, si Viti i Skënderbeut dhe ngjarjeve të tjera madhore të historisë sonë përbën një mundësi të artë për ta vazhduar me një ritëm edhe më të lartë lëvizjen e lartpërmendur të leximit. Sepse krahas aktiviteteve të tjera kulturore, me siguri që do të ketë referime, lexime dhe recitime të kryeveprave letrare mbi Heroin tonë Kombëtar me emra të mëdhenj tingëllues, Naim Frashëri, Fan Noli, Kadare dhe të tjerë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.