EKONOMI

TAP përfundon 80% të punimeve, në 2017 u investuan 400 milionë euro

09:31 - 22.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Konsorciumi Trans Adriatic Pipeline (TAP) tha së fundmi se ka përfunduar shtrimin e mbi 80% të tubave përgjatë projektit të korridorit jugor të gazit në Shqipëri dhe Greqi. Rreth 620 km nga 765 km tubacione tashmë është shtruar në Shqipëri dhe Greqi, tha konsorciumi në një postim në “Twitter” të mërkurën. Korridori jugor i gazit përbëhet nga tubacioni jugor i Kaukazit (SCP), i cili kalon Azerbajxhanin dhe Gjeorgjinë, tubacionin Trans-Anatolian (TANAP) dhe TAP, i cili parashikohet të nisë nga kufiri grek me Turqinë, të kalojë përmes Shqipërisë dhe detit Adriatik për të arritur bregun italian. Investimi i përgjithshëm i konsorciumit në Shqipëri do të jetë rreth 400 milionë euro këtë vit dhe po aq vitin e ardhshëm, ka pohuar më herët ish-menaxheri i vendit TAP Albania, Shkëlqim Bozgo. TAP planifikon të fillojë operimin në shkallë të plotë të tubacionit në vitin 2020, sipas informacionit të publikuar në faqen e internetit të konsorciumit. Aktorët aktualë të TAP janë BP, kompania shtetërore Socar e Azerbajxhanit dhe Snam i Italisë me 20% secila, Fluxys belg me 19%, Enagas spanjolle me 16% dhe Axpo zvicerane me 5%. Punimet për gazsjellësit TAP i rritën ndjeshëm investimet e huaja në Shqipëri duke i çuar ato në gati 1 miliard euro dy vitet e fundit, ku 40-50% e shumës vinte nga gazsjellësi. Një pjesë të madhe të kësaj vlere e përbënin tubat që u shtruan nën tokë. Me mbarimin e punimeve për gazsjellësin, së bashku me projektin tjetër madhor atë të HEC të Devollit, institucionet ndërkombëtare kanë paralajmëruar që duhen gjetur burime të tjera investimesh, më të qëndrueshme dhe të orientuara në ekonominë reale, me ndikim në rritjen e konkurrueshmërisë dhe produktivitetit. FMN në një raport të fundit pohonte se investimet në këto dy projekte janë sa 14 për qind e PBB-së rreth 1.5 miliardë euro. Investimet në projektin TAP janë rreth 1 miliard euro në HEC-et e lumit Devoll pak më shumë se 500 milionë euro. Të dy projektet punësojnë 3500 persona.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.