EKONOMI

Bursa për nxënësit e arsimit publik parauniversitar. Kriteret që duhen plotësuar sipas fushave

11:00 - 23.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro  – Plot 2900 nxënës të arsimit parauniversitar publik do të mund të përfitojnë bursa, nëse plotësojnë kriteret e përcaktuara për vitin mësimor 2017-2018. Ky vendim i marrë nga Këshilli i Ministrave e publikuar në Fletoren Zyrtare citon se për nxënësit e shkollave profesionale të arsimit parauniversitar do të shpërndahen plot 2100 bursa, ndërsa 800 të tjera do të jepen për kategorinë e parauniversitarit, por që nuk përfshihen në arsimin profesional. Sipas vendimit, afati përfundimtar për shqyrtimin dhe miratimin e bursave nga njësitë bazë të qeverisjes vendore, për të gjitha kategoritë e shkollave, është data 31 mars 2018. Nxënësit përfitues do të kualifikohen sipas kriterit ekonomik, rezultateve të arritura në procesin mësimor si dhe jashtë kriterit ekonomik. Të gjitha bursat dhe përfitimet e tjera janë parashikuar në buxhetin vjetor të miratuar për Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë.
Kriteri ekonomik
Në bazë të kritereve ekonomike të përcaktuara bursa mund të përfitojnë ata nxënës të arsimit parauniversitar që vazhdojnë studimet në largësinë mbi 5 km nga vendbanimi i përhershëm i tyre, familjet e të cilave kanë të ardhura mujore të pamjaftueshme, përcaktuar në bazë të vendimit. Edhe kategoria e nxënësve që banojnë në zonat rurale, që nuk kanë shkollë 9-vjeçare brenda rrezes prej 5 km, e që plotësojnë kriterin ekonomik, i bashkëlidhet këtij vendimi, madje bëhet dhe akomodimi i të miturve në konviktet publike.





Rezultatet e arritura
Bursën, gjithashtu, kanë të drejtë ta fitojnë nxënësit e arsimit profesional që kanë mbaruar vitin shkollor pararendës me rezultate të larta, pra të gjitha notat 10.
Jashtë kriterit ekonomik
Ndërkaq, bursat që fitohen jashtë kriterit ekonomik mund të përfitohen nga ata nxënës të arsimit parauniversitar publik që kanë përfituar statusin e jetimit, apo kanë humbur kujdestarinë prindërore sipas vendimit të gjykatës. Por përfitues të bursave janë edhe fëmijët që gëzojnë statusin ligjor të invalidit paraplegjik dhe tetraplegjik; ata që kanë status për arsye se nuk shikojnë e dëgjojnë, si dhe nxënësit që kanë një apo të dy prindërit me status invalidi e nuk kanë të ardhura të tjera përveç këtij pensioni invaliditeti. Më tej, nxënësit e komunitetit rom dhe egjiptian që regjistrohen dhe ndjekin arsimin e mesëm profesional; si dhe ata që janë identifikuar e trajtuar si viktima të trafikut të qenieve njerëzore dhe kanë humbur kujdesin prindëror, mund të përfitojnë bursa, në bazë të vendimit. Edhe fëmijët e punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit, të Forcave të Armatosura, të Shërbimit Informativ Shtetëror dhe të Policisë së Burgjeve, që kanë humbur jetën në krye dhe për shkak të detyrës, mund të përfitojnë bursa për arsimin parauniversitar publik. “Në fillim të çdo viti shkollor, por jo më vonë se data 31 dhjetor 2017, për këto kategori nxënësish, Ministria e Brendshme, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Mbrojtjes dhe Shërbimi Informativ Shtetëror si dhe institucionet e përkujdesit social rezidencial publik duhet të dërgojnë, në njësitë bazë të qeverisjes vendore përkatëse ku ndjekin studimet, listën e nxënësve përfitues”,-theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, bëhet me dije se për kushte ekonomike të barabarta në trajtimin me bursë, prioritet kanë nxënëset vajza. Njësitë bazë të vetëqeverisjes vendore, në pamundësi trajtimi me bursë të plotë, brenda planit të miratuar, mund të trajtojnë apo miratojnë për nxënësit dhe gjysmë burse. Më tej, njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të raportojnë, zyrtarisht, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, çdo tre muaj, për fondet buxhetore të shpenzuara dhe numrin e nxënësve që trajtohen me kuota financiare të ushqimit në konvikte e bursa. “Të gjithë nxënësit/prindërit dhe drejtoritë e shkollave profesionale paraqesin/dërgojnë, zyrtarisht, në njësitë e qeverisjes vendore, kërkesat për miratimin e bursës, për nxënësit që përfitojnë bursë, sipas kritereve të përcaktuara në këtë vendim”,-thuhet në fletoren zyrtare. Nxënësit që kanë përfituar bursë vitin e parë, me vendim të këshillit bashkiak, ku ata kanë vendbanimin e përhershëm dhe, nëse atyre nuk u ndryshojnë kriteret ekonomike dhe nuk rezultojnë mbetës e përfitojnë bursën deri në përfundim të viteve të shkollimit. Ndërkaq, gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës mësimore, nxënësit që kanë përfituar bursë nga njësia bazë e qeverisjes vendore, e përfitojnë atë edhe gjatë periudhës së zhvillimit të praktikës profesionale. Bursa jepet në formën e kuotës ushqimore ose kuotës financiare drejtpërdrejt në llogarinë bankare të nxënësit apo prindit, të çelur pranë bankave të nivelit të dytë. Për nxënësit që kanë përfituar bursë për vitin shkollor 2017-2018, drejtorët e shkollave profesionale, si dhe të shkollave të tjera të arsimit parauniversitar, dërgojnë zyrtarisht në datën 5 të çdo muaji, pranë njësive bazë të vetëqeverisjes vendore, informacion të detajuar për frekuentimin e shkollës ose praktikës profesionale nga nxënësit që përfitojnë bursë. Më tej, është vendosur që në shkollat apo gjimnazet që do të ofrojnë ushqimin në mensat apo konviktet e tyre, nxënësit, gjatë këtij viti shkollor, do të duhet të paguajnë një kuotë mujore prej 6,655 lekësh. Në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive dhe Arsimin Special, kjo kuotë është më e lartë, 7217 lekë në muaj.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.