MILOSAO

ATJONI SIPAS POETEVE

10:56 - 25.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




FLATRAT E NJE ENGJELLI

Për studentin Atjon Zhiti, që tre vjet më parë, në prag të Krishtlindjeve, iku për në Qiell, është folur shumë, bukur dhe me dashuri si për një engjëll, që endet mes nesh dhe buzëqesh mrekullisht.
Madje prej tij janë botuar dhe dy libra, që janë pritur mjaft mirë, jo vetëm brenda, por edhe jashtë vendit, njëri është përmbledhja me ese “Për atë që dua(m)” dhe tjetri një album i madh me vizatime, “Opera Atjon”.
Si të thuash, të dy botimet përbëjnë dhe flatrat e tij fërgëlluese, njëri është ai i fjalëve të mençura të një të riu dhe tjetri ai ngjyrave të ëndrrave, joshëse deri në magjepsje.
Për të kujtuar Atjonin, si dhëmbje për një bir, kemi zgjedhur nga libri i porsa botuar, “Si na erdhi ai, i ndaluari…”, i të atit të tij, Visar Zhiti, kreun “Atjoni sipas poetëve”, ku përbashkohen ndjesi dhe thënie. Personazhet qëndrorë të këtij libri janë poeti rus Evgeni Jevtushenko dhe Atjoni vetë, të cilët janë takuar një fundpranvere në Lugano, në Zvicër dhe mbase së bashku enden sërisht liqeneve parajsore.
Atjoni gjithmonë bëhet shkak që të tjerët të nxirrnin nga pjesa më e mirë e vetes…
(Staff Milosao)

 

Nga Visar ZHITI

Po Jevtushenkoja ç’do të ketë menduar për Atjonin? S’e di se si më erdhi kjo pyetje dhe pse? Vërtet si ishte Atjoni për poetët që e kishin parë? Se ja, Sebastiano Grasso-ja thoshte që Atjoni është djali që çdo prind do të donte ta kishte të vetin.
Njerëz të letrave na kanë shkruar shumë për të. Po rendit disa nga thëniet e tyre, ca i nxora nga libri i tij “Për atë që dua(m)”. Po e nis me ato për Atjonin fëmijë. Që pa lindur ende. Në letrën që na dërgonte shkrimtarja Helena Kadare së bashku me të shoqin, shkrimtarin e përbotshëm Ismail Kadare, ndër të tjera kujton ç’i kishte thënë e bija, Gresa: …kam parë Edën… vite më parë, kur ishte shtatzënë me këtë djalë… Sytë e Edës nuk i harroj, sepse kishin diçka prej Madone. Të bukur, me një tis të lehtë brenda tyre. Tisi i misterit të amësisë, do të thosha unë…
Eh, Atjoni që foshnjë takoi poetë. Nja tre vjeç ishte kur vajtëm në shtëpinë e Mario Luzit, ndër më të mëdhenjtë në Europë, dhe iu vësul librave, i nxirrte nga raftet e i flakte nëpër dysheme. Kur Eda u turr që ta ndalte, lëre, i tha gjithë urtësi Mario Luzi, të bëjë ç’të dojë, ai më dha mua librat e mi në shqip. E kishte fjalën për 5 kopjet që i sollëm nga Shqipëria, të botimit të porsadalë. Atjoni ia la në dorë, porsa ai u shfaq në derë, teksa na uronte mirëseardhjen. Xhaxhi, urdhëro… dhe nxitoi mesores. Kështu ai nisi detyrën e prurësit të lajmit të mirë.
Fëmijë i qeshur me kaçurrela… thotë poetja dhe gazetarja arbëreshe Kate Zuccaro dhe shkrimtari nga Kosova, Agim Vinca, që e kemi pasur mysafir në Romë, tregon: …ai vogëlush i bukur e simpatik, i pashoq… më thoshte: “…dalim…”
…vinte me një vrap të gëzuar në shtëpinë tonë dhe shtëpia mbushej me harenë e tij… kujton studiuesi dhe gazetari Ylli Polovina. Ballëpërballë i kishim apartamentet, kur punonim të dy në ambasadë.
Dhe shkrimtari nga Maqedonia Ahmet Selmani sikur bën vazhdimin: “…ti e merrje për dore, kur të takoja herë pas herë në Panairin e Librit… Mahnitesha… Njëherë më pate treguar për rastin kur ishit takuar me një pasardhës të Skënderbeut që jetonte në Romë, me ç’rast befas, krejt si fëmijë i çiltër, Atjoni të kishte pyetur: ‘E ku e ka shpatën?’”.
Përsëri zonja Helena Kadare kujton: … E kam ende të gjallë buzëqeshjen e tij të çiltër, kokën e bukur plot kaçurrela të zinj, teksa vraponte galerive të Muzeut të Arteve në Vjenë, për të kapur dhe kuptuar gjithçka mahnitëse të atyre tablove të mjeshtërve të mëdhenj, që po vizitonim së bashku. I them këto se nuk është diçka e zakonshme për një fëmijë të moshës së tij ai pasion dhe ajo kureshtje, për të mësuar njëherësh dhe sa më shpejt gjithçka….
Dhe shkrimtarja nga Vlora, Vilhelme Haxhiraj vazhdon: O Zot… djalë i bukur, i mençur e i brishtë… një i ri i jashtë-zakonshëm me shumë dhunti në pikturë e gjuhë të huaja, i mrekullueshëm në sjellje dhe me një humor të natyrshëm… djalosh i qeshur që u fliste me shpoti edhe prindërve, duke i konsideruar si shokë…
Studiuesi i artit, prof. Gëzim Qendro vëren: …sa të rrallë janë në këtë vend të rinjtë që mbajnë në çantë Heidegerin dhe Guy Debord-in dhe që kanë kaq shumë potencial intelektual dhe fuqi shpirtërore brenda vetes…
Duket sikur e plotëson nga Milanoja një princeshë arabe, pasardhëse e Muhamedit, pedagoge dhe përkthyese e Adonisit në italisht, Hadam Oudghiri: …plot shpresë, plot me të ardhmen e një filozofi të madh… Sebastiano e adhuronte… Edhe vajza e saj e donte shumë Atjonin.
Shkrimtari Rudolf Marku do të më shkruante nga Anglia: …kam lexuar me një emocion të rrallë dhe me admirim dy herë dy shkrime të jashtëzakonshme të Atjonit…
Në shkrimet e Atjonit ka filozofi, jo si diçka abstrakte, por të lidhur me politikën, jo në kuptimin e politikës sot, por si te grekët e lashtë, pjesë e jetës, ndërkaq të lidhura me aktualitetin… vëren antropologu Italian Mauro Geraci.
…mik me vajzën time… shton poetja italiane nga Bari, Giuseppina Scalise. U kam folur për Atjonin dhe nxënësve të mi në shkollë; u kam treguar atyre fotot e Tij në facebook; u kam thënë atyre për përkthimet që ka bërë për mua…
Shndritin mendimet e idetë e Tij si shkëndija të një gjeniu të ri!… thotë esteti (jo studiuesi) Farhat Ymeraga nga Kosova, me banim në SHBA.
Edhe shkrimtari Sami Repishti, po në SHBA, thotë: …dukej sikur zani vjen nga diku larg, shumë larg, dhe na tregon si mendon nji i ri me aftësi të rralla mendimi dhe shprehje, dhe si ndihet zemra bujare e të rinjve të pakompro-metuem nga ndeshtrashat e jetës “moderne”.
Albanalogu më i madh sot, kanadezi Robert Elsie, bën një si përkufizim kështu: Nuk kam takuar një të ri kaq të mirë, kaq fisnik dhe kaq të dashur në Shqipëri, sa Atjoni.
…rrezatonte… i hijshëm dhe i rrallë… i apasionuar pas filozofisë…kujton shkrimtari Gazmend Kapllani.
…me shqetësime përtej moshës së tij. Ndoshta dhe me një idealizëm që vetëm mosha e tij mund ta ketë… shkruan gazetari Alfred Lela, ai që e botoi i pari Atjonin.
…plot pasione e dëshirë për të transformuar pozitivisht realitetin… vlerëson doktori hebre, Viktor Marko Solomon.
…na tregoi rrugën e pastër të dashurisë njerëzore. Ai si Bir e kishte që te emri fatin e Atit tonë. Ai, djalë, si At i vërtetë, na dha shembuj të rrallë që na kujtojnë paradigmën e vërtetë nëpërmjet së cilës duhet të kemi durim, sidomos në këto prova të padurueshme… shkruan profesori arbëresh në Palermo, Sicili, Matteo Mandalá.
…Kam folur në Tetovë me Atjonin, në kohën e një dreke, por më ka mjaftuar për të kuptuar mirësinë dhe inteligjencën e tij… kaq iu desh poetes italiane Laura Garavaglia.
…djalë i jashtëzakonshëm, me shumë dhunti… përballë së keqes ndihem veç e revoltuar… kështu hidhej që nga Italia Donatella Bisutti.
Ai nuk ishte i ngjizur të ishte bashkëkohës me ne!… shprehet në mënyrë sentenciale studiuesi, inxhinier Mërgim Korça. Djalë i shkëlqyer, shembull, për jetë të jetëve; na shkruanin poeti Ndue Ukaj me të shoqen Edita.


Portretin e tij mund ta vendosësh të gdhendur në mermer si romak i hershëm, si diell pa perëndim… Ai djalë vetëm agim… kështu mendon piktori Valeri Tarasov.
Libri i Atjonit – testamenti i Tij për Shqipërinë… si Ungjilli për bashkëmoshatarët e tij fatlumë… fari ndriçues i brezit të Tij… i pranishëm përherë në jetën e përditshme të popullit të vet ose, më mirë, të pjesës së tij më të mirë… ja, ca fjali nga studimi i shkrimtarit Eugjen Merlika.
Në Universin Atjon… konkludon kritiku i artit Gëzim Tafa dhe shton se dëshira e tij ishte… për të fluturuar drejt së pamundurës, përjetësisë…
YLLATJON do ta quante shkrimtarja Eglantina Mandia, dritë e lartë dashurie për çdo shqiptar kudo që jeton…
Edhe shokë e shoqe të Atjonit të mrekullojnë me ato që thonë për të, si për një prijëtar të tyre shpirtëror. Kurse shkrimtari Preç Zogaj duket sikur u shpjegon: …zbuluam pa teprime atë që thotë poeti suedez Traströmer se ‘pa e ditur ishte hyjnor’…
…engjëll që e kam njohur… me kaq mjaftohet shkrimtari Eqerem Basha, po kështu dhe studiuesja Marisa Kerbizi: …Kerubin i mençur dhe i bukur… dhe pothuajse të gjithë në shkrimet e tyre e quajnë të tillë. …engjëll që e njohëm në tokë… shprehet shkrimtari grek Dino Kubatis dhe vazhdon: na ka ngelur e skalitur buzëqeshja e tij magjike, që i bënte njerëzit për vete, kultura e tij, njohuritë e tij për moshën e tij të re dhe dashuria e respekti që tregonte për të tjerët…
Esteti dhe kritiku i artit Luan Topçiu dëshmon: …një mik i dashur dhe i ëmbël, një engjëll i bukur që na fali gjithmonë dashuri, ngrohtësi… që e bëri miqësinë tonë më të vyer, që i bëri takimet tona më të pashlyeshme!…
Poeti Arian Leka një numër të revistës së tij “Poeteka” e mbushi me vizatime të Atjonit dhe do të fliste dhëmbshurisht për to në përurim…
Djalë i mrekullueshëm… shton Moikom Zeqo dhe ajo që ngjau, do të ishte dhe për të traumë e tmerrshme…
Të duam fort, je Dritë prej Drite dashurie dhe besimi. At’ynë, shkruajnë poetja Lulejata Dano me të shoqin Artin.
Dom Gjergj Meta, tani ipeshkëv, në shkrimin e tij “Krishtlindjet që na solli Atjoni” e sheh atë me misionin e Atij që merr mbi vete përqeshjen dhe talljen e njerëzve për të mbrojtur ata që kanë nevojë më shumë.
Dhe si për ta mbyllur u rikthehem përsëri fjalëve të zonjës Helena Kadare: Kjo fytyrë e bukur engjëllore… Ajo krijesë e mrekullueshme pra, ishte bërë për qiellin, jo për këtë botë…

Po Pani Plak e Ali Podrimja ç’do të thoshin nga qielli, e Amik Kasoruho e… në atë dritnajë të paarritshme tani për tani nga ne? Se për gjyshin poet pranë tyre, dihet përgjigjja hyjnore. Peizazhi në ballinën e njërit prej librave të tij, që e kishte vizatuar Atjoni, ishte mbartur në parajsë tashmë, ndërsa maskat e komedive të librit tjetër, të pikturuara po nga Atjoni, binin, dhe mbeteshin zbuluar fytyrat e mardhura të të rriturve, që Atjoni i thërriste “xhaxhi” ose “teta”.
Ç’të them, bir, që vazhdimisht më mëson, nuk mundem dot më shumë… Dëgjo, qeni i Sebastianos me emër poeti “Blake”, është plakur fare, mezi lëviz, por ah, sa dhemb-shurisht na u afrua, e përkëdhelja siç do të doje ti, rrinte te këmbët e Edës, nuk i ndahej, mbase ndiente erën tënde a ndonjë gjë të mistershme më shumë.

Dorën zhyt nëpër leshrat e tij
dhe unë pres, pres si ai.

Kështu shkruante Jevtushenkoja për qenin e vet, kur ishte nja 25 vjeç, më i madh se ti.
Po ç’do të thoshte tani, a do të vijë prapë? Do të doja t’i isha pranë e ta dëgjoja…
Por ja që takova një tjetër poet të madh, Adonisin, me të cilin Atjoni ishte njohur dhe po më brente ajo kërshëria atërore të dija përshtypjen e tij. Ndenjëm vetëm në një tryezë jashtë në tarracë në një hotel në Strugë. Më dha një puro të shtrenjtë, nga këto tymoste Fidel Kastro, (…trashëgimtar i Stalinit…), më tha në anglisht, janë prodhuar për atë, por, ngaqë atij nuk i duhen më, i gjejmë ne…
Tjetër lloj ishte hakmarrja e poetëve në Perëndim ndaj diktatorëve…
Pastaj menjëherë nisëm të flisnim për Atjonin tim. E mbante mend mirë. Kur i tregova një foto në celular, ku ai kishte dalë me tim bir, atij ia kisha marrë, Adonisi më tha: unë kam më shumë se aq… Atjonin e njoha në shtëpinë e mikut tonë poet, Sebastiano Grasso… Atjoni e iluminonte poezinë, sepse ai vetë ishte pothuajse një poemë magjike…
U përlota. Lexuesi duhet të jetë kështu apo poeti? Cilët e iluminojnë poezinë?… Duke qenë dhe vetë pothuajse një poemë magjike? Ky, ky është poeti. Që shihet te lexuesi i tij si te vetvetja. Poeti duhet të jetë dhe si një Atjon i poezive të pashkruara, i atyre shkëndijave që shkaktojnë poezitë.
Iu luta Adonisit të ma shkruante atë që porsa tha. Mbi një copë letër ai bëri arabeska, po e hidhte në gjuhën e tij në arabisht, pastaj, kur takuam Sebastianon, ia tha në frëngjisht, dhe ai e përktheu në italisht. Dhe u botua në disa gazeta.
Adonisi i mitologjisë u vra nga një derr i egër… xhelozi, hakmarrje ndaj aftësive të tij, bukurisë… ah, derri i egër shndërrohet në motor të zi sot në mjediset urbane… nuk shoh dot motorë… kur turren aq shpejt nëpër natë… mbi derrin e zi, që rivret… Ah… mos hip pas në atë motor-derr-të-egër… Jo, mos me ata!
Afërdita erdhi atje, te vendi i aksidentit, kur dëgjoi rënkimet… dhe spërkati gjakun me nektar, nga ku doli anemonia, e cila i shkund petalet… si lotët… dhe nga era më e lehtë, nuk duron dot. Dhe gjaku i Adonisit në çdo pranverë e bën të kuq lumin e tij… poezinë.
Rruga ndanë shtëpisë së tij në Tiranë tani ka emrin “Rruga e Atjonit” dhe bashkohet me Rrugën “Faik Konica”, për të cilin Atjoni kishte shkruar “një guximtar dhe një symprehtë që s’ka pasur paraardhës”…
Ndërsa miqtë e tij në Milano, kur duan ta takojnë Atjonin, e gjejnë dhe në afreskun në muret e “Osteria di Via Pre” buzë lumit Navilia, ku ai shkonte shpesh.
Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Giffoni” jep çmimin e përvitshëm “Atjon Zhiti”. etj.
Adhuruesit e Adonisit presin çmimin Nobel për poezinë e tij. E Jevtushenkoja ç’do të thoshte për atë, mikun e tij të ri, Atjonin? E kujton? Po ai foli me gjuhën e trupit, pranoi të mbështetej pas krahut të atij dhe kjo i shpreh të gjitha ç’mund të thoshte.
Po, po, Atjon, ti je ngaqë do të donin poetët të të kishin pranë, ngaqë je, si të thuash, përjetues i poezive të pashkruara, në fund të fundit je vetë poeti.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.