MILOSAO

Dritëroi për babanë dhe veten

10:58 - 25.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Shpëtim ÇUÇKA




 

Çfarë ndodhte në shpirtin e poetit në këtë dhjetëvjeçar? Përse mendimi i tij shkonte (a, më saktë, kthehej) te babai, domethënë te shtylla e shtëpisë, ku kishte lindur, te modeli i parë i burrit, që kishte njohur në jetë dhe që, me sa duket, më shumë se burrat e tjerët kishte hyrë në vetëdijen dhe nënvetëdijen e tij?
Malli për të shkuarën është diçka praktikisht e pashmangshme në një moshë të caktuar të njeriut. D. Agolli, siç del nga krijimet e tij, e ka ndier që në burrërinë e parë këtë mall (poemën e ka botuar që në vitin 1956). Madje ky mall e ka shoqëruar në çdo hap të jetës. Dhe, ashtu si burimet e malit, ky mall gurgullon e del në të gjitha kthesat dhe të përpjetat e jetës e të krijimtarisë së tij. Shembujt janë, si i thonë fjalës, të panumërt.
Një gjë mund të thuhet me siguri: D. Agolli, i cili u largua relativisht herët nga fshati i lindjes dhe e kaloi jetën në qytet (madje kryeqytet), e ka përjetuar thellë shkëputjen nga jeta e fëmijërisë, nga fshati i lindjes, nga natyra e vendlindjes, nga njerëzit e vendlindjes. Jeta e mëvonshme, jeta e qytetit (domethënë e kryeqytetit) nuk arriti t’ia fashiste këtë mall. Përkundrazi, ia shtoi dhe ia bëri më të mprehtë, herë me një gjë e herë me një tjetër, por kurdoherë me ato gjëra të vockëla, fryt e shprehje të shpirtvogëlsisë dhe shpirtdredharakësisë, aq të ndryshme nga mjedisi fshatarak, mjedis i rëndë, por i thjeshtë dhe i kuptueshëm, i zymtë, por i sinqertë në gëzime e hidhërime, dhe kryesorja, mjedis pune të dukshme e të drejtpërdrejtë, në takim të parreshtur, të përditshëm e të përjetshëm, me natyrën. Këto ndoshta nuk përbëjnë arsyen kryesore, por duket se janë një ndër arsyet më të forta, që e kthyen D. Agollin te figura e babait dhe, në lidhje me këtë figurë, te figura e vetes.
Duam s’duam ne, duhet ta pohojmë se të rrallë janë ata poetë tanë që kanë një lidhje kaq të thellë, kaq të pakëputshme, kaq jetësore e jetike, me jetën e popullit të thjeshtë, sa Dritëro Agolli. Dhe duhet ta pohojmë se një poet si Dritëro Agolli nuk mund të përfytyrohet duke mëtuar të marrë çmimin “Nobel”. Dritëroi është tjetër poet, tjetër brumë, tjetër njeri. Me të gjitha të mirat dhe të metat, që mund të ketë pasur, ai mbetet një shqiptar shembullor. Dhe si i tillë do t’i priste vlerësimet – apo qoftë edhe sulmet – në vendin e tij. Ai i përket këtij vendi, u përket banorëve të këtij vendi, është pjesë e tyre, qenie e dalë nga qenia e tyre. Dhe kjo e shpëton tërësisht përpara gjyqit të historisë.


Poema hapet pikërisht me figurën e babait. Dhe ç’figurë! Si e një shenjti! Figurë e shenjtit të punës:

Im atë tokën shumë e donte,
Siç donte nën e grua,
Për tokën lodhej dhe rënkonte
Dhe djersën derdhte krua.

Kur plis më plis e hidhte hapin,
I kishte hapi hije
Dhe zogjtë e malit udhë i hapnin
Me fjalë hirësie;

Kur grushtin mbushte plot me farë,
Mahnitej kush e shihte,
Dhe ra ndalte frymën në arë,
Që qejfin mos t’ia prishte;

Në këmbë si në katër kleçka
Në gur ngrinte hardhucka,
Përgjonte lart në shelg rabecka
Me thonjtë me majucka;

Me sqep lejleku bënte harqe
Rreth rruzullit të diellit
Dhe dukej sikur ndillte paqe
Nën kaltërsinë e qiellit;

Po ati im mbi plisa ecte
Me shpirt të madhërishëm
Dhe tokës shpirt me shpirt i jepte
Nga shpirti i çuditshëm;…

Në letërsinë tonë vështirë të gjenden vargje të tjera kaq të bukura e kaq të madhërishme për njeriun e punës, vargje të mbushura me kaq ngrohtësi e përmallim, me kaq vlerësim e nderim për njeriun që me punën e tij mban gjallë jetën. Dhe nuk duhet harruar që pikërisht puna, sikurse u pa edhe më lart, është tipari dallues i njeriut, domethënë shenja e tij dalluese në të gjithë mjedisin rrethues. Asgjë tjetër veç punës!
Dhe vështirë të gjenden katër vargje të tjerë, ku të përsëritet katër herë fjala “shpirt” dhe as kuptimi i kësaj fjale të mos zbehet e as tingëllimi dhe kuptimi i vargjeve të mos venitet, përkundrazi, të ngrihet lart si frymë shenjtërie.
Kaq ndjenjë ka vënë poeti në këto vargje, sa edhe ndërtimi metrik i vargut – strofa katërshe, ku gërshetohen nëntërrokëshat me shtatërrokëshat me karakter jambik – krijon muzikën e një përkundjeje të lehtë, të butë, të hijshme, pothuaj të magjishme, ku janë shkrirë e bërë njësh tingulli i fjalës me tingullin e ritmit duke na dhënë margaritarin e kuptimit. Diçka tronditëse në pakufishmërinë e së bukurës së saj!
Dhe ky njeri i punës jetëdhënëse:

Nuk kishte syze dijetari
Dhe rafte me defterë,
Po udhë i hapte shkëncëtari
Me nam të madh e vlerë.

Dhe dija e tij ishte e thjeshtë, por hijerëndë dhe e thellë sikurse është dija e vërtetë:

Ky shkëncëtar që njihte dhenë
Në fusha pas më mori;
“Mësoje, biro, abecenë
Në brazdat që lë plori.

Mësoje, biro, abecenë
E gjithë abeceve
Atje ku plisat shpinën ngrenë
Pas plugut e pas qeve…”

Janë vargje për dijen e punës, abecenë e abeceve. Dhe janë shqip, janë shkruar nga dorë shqiptari, kanë buruar nga zemër e mendje shqiptari. Sa e vetëdijshme është shoqëria jonë për një trashëgimi të tillë? Sa krenare? Në rast se shoqëria jonë sot nuk është as e vetëdijshme dhe as krenare për një trashëgimi të tillë, për çfarë është e vetëdijshme dhe krenare ajo: për mërgimin masiv? për papunësinë e pashpallur por gjithashtu masive? Për kanabisin që përmbyti gjithë vendin?
Lexojmë bisedën e birit-nxënës me babanë-mësues:

Një ditë i lodhur, i menduar,
I thashë mengadalë:
“Përse kaq shpejt m’i ke mësuar
Kaq punë e brengë e halle?”

Ai nga buzët llullën hoqi
E foli dy-tri fjalë:
“Që mos ta hajë qeni shkopin,
Pëllumbi im, o djalë!”

A e kemi ndeshur ne në jetë një të tillë shkollë të jetës? Ku mësuesi synon t’ia mësojë nxënësit ato që ai i çmon si më të vyera në jetë e si më të shenjta? Në një fjalë tonë popullore thuhet: “Zanati mësohet me të vjedhur”.
Nuk është ky shembulli i dhënë nga D. Agolli te “Poemë për babanë dhe për vete”. Dhe neve na bën nder ky shembull i poetit, ky shembull i ngritur në lartësinë e madhe të artit. Ka një fjalë të urtë në një popull fqinj: “Dija s’është për t’u nxënë. Dija është për t’u dhënë.” Poema e D. Agollit, vargjet e tij, ku flitet se si babai mëson djalin si t’i dalë zot jetës – vetëm me punë të ndershme! – është një krijim e një krijesë, që na bën nder dhe do të duhej t’u mësohej brezave të rinj që me mësimin e fjalëve të para, që me pjesët e para të këndimit (këndimit, jo leximit!).
I vyer ishte edhe mësimi i dytë i mësuesit-baba: të shtënët saktë me pushkë:

Babait një ditë i thashë prapë
Te kumbulla me fletë:
– Kjo pushkë e shkretë ç’do më japë,
Ç’do bëj me të në jetë? –

I ngriti sytë lart në pllajë
Dhe tha të njëjtat fjalë:
Që qeni shkopin mos ta hajë,
Pëllumbi im, o djalë!

Puna për jetën dhe mbrojtja e vendlindjes: ja, dy mësimet e mëdha të mësuesit-baba, që biri-Dritëro na ka lënë të gdhendura në gurin e vargjeve. Madje, siç u pa edhe më lart, ato janë mësime të të gjithë jetës së poetit. Dhe, më e rëndësishmja: janë mësime të të gjithë historisë së popullit tonë! Për fat të keq, ato nuk janë më të ditës. Njerëzit te ne bëjnë sot një jetë, si individë dhe si shoqëri, që është tërësisht në kundërshtim me këto mësime.
Dhe sikur të mendoheshim sadopak për vlerën e të tilla vargjeve e të të tilla mësimeve, ndoshta nuk do të gjenim përcaktim për të mirë se ai i Dhaskal Todhrit dhënë Tunxhit te filmi “Udha e shkronjave”: “Janë flori e shkuar floririt, o bir!”
Është interesante të vihet re fakti që kjo poemë e ka zanafillën në hapat e parë të krijimtarisë së poetit. Dhe çuditërisht, ndonëse pa pjekurinë e poemave të mëvonshme, në vargjet e saj ndihet një njomështi e një freski e përjetshme:

Nga kjo poemë e nisa rrugën
E vargjeve rinorë
Në rrokje e rima treta jugën
Dhe erën me dëborë…

Do bëj poema më të mira.
Po ti në mend do vish,
O moj e para më e vështira,
E thurur mes lajthish

Dhe do më thuash buzëplasur:
– S’më vure shumë fletë! –
Ahere ati im i dashur
Në varre do të jetë!

S’do futesh fare në botimet
E vargjeve të zgjedhur,
Do mbetesh vetëm në kujtimet
E kaltër, e pazverdhur.
……………………………

Po ti, poemë, moj naïve,
E thurur arë më arë,
Do sjellësh erën e lajthive,
Si dashurinë e parë;

Dhe thellë rreshtave të tua,
Ku zemra ime mbeti,
Do dalë e do më zgjojë mua
Çibuku i tim eti…


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.