MILOSAO

A do ta ndihmojë Reforma në Drejtësi, Trashëgiminë Kulturore?

10:50 - 25.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Ben ANDONI




Pak ditë më parë, në një seminar kombëtar me temën “Lufta kundër trafikimit të paligjshëm të pasurisë kulturore: Sfidat dhe nevoja për ndërgjegjësim” u theksua se janë plot 2400 objekte kulturore të humbura, porse në listën e objekteve të trafikuara të Interpolit rezultonin 39 syresh. Fakti se në faqen zyrtare të Interpolit mungonin të dhënat, referuar Silva Breshanit, drejtoreshës së Qendrës së Inventarizimit lidhej me mungesat e dokumentacionit, atë që identifikohet si pasaportë e objekteve.
Objektet e munguara fillojnë nga ato etnografike, arkeologjike, e vijojnë deri në veprat e artit të Galerisë Kombëtare dhe jo vetëm. Institucionet, që u mungojnë objektet prej Galerisë së Arteve por deri edhe nga muzetë edhe nga institucionet e tjerë në vend, pak herë kanë apeluar për këtë shqetësim. Më shumë se kaq, kur ndonjë gazetar është afruar pak më shumë ka marrë nga pas anatemën e dezinformimit.
Siç ndodh rëndom, por në rastin tonë mund të konsiderohet edhe si një justifikim, vjedhjet janë bërë në harkun e viteve 1990-1997, kohë e përçartjes identitare të shqiptarëve dhe përpjekjes së shumë bashkatdhetarëve tanë për të fituar pa asnjë skrupull.
Për ata që nuk e dinë: Në pasaportën e një objekti të trashëgimisë është i fiksuar imazhi, viti i realizimit, por edhe të dhëna të përcaktuara saktë, që lidhen me formën e përmbajtjen e objektit, por edhe njeriun që përfaqëson realisht pronarin.


Zyrtarja megjithë tonin optimist dhe punën e institucionit të saj, si edhe me koordinimin nxori edhe të vërteta të hidhura, mes tyre faktin se instancat që kanë pasur në pronësi shumë nga këto objekte nuk i kishin dokumentuar asfare gjatë kohës që i kishin në pronësi. Që këtu misioni për gjetjen e qindra objekteve është i dëmtuar rrënjësisht, sepse zyrtarët me neglizhencën e tyre, institucionet me pazotësinë e tyre nuk kanë mundur asnjëherë të kryejnë detyrat, për të mos thënë që s’kanë bërë dot qoftë edhe inventarizimin më elementar. Të jetë e qëllimshme? Për këtë nuk mund të thuhet asgjë sot. Por shtuar këtu edhe mungesën e shumë dokumentacioneve si rezultat i zhvillimit kaotik të vendit në këto 27 vjet, atëherë bindesh se në këtë vend ka interesim minimal për gjërat e kulturës.
Njerëzit që merren me trashëgiminë në përgjithësi kanë vetëdije jo të plotë se çfarë thesari mbartin, kurse me gjithë tonet pozitive që paraqet drejtoresha e inventarizimit nuk mund të harrohet se pasojë e kësaj gjendje janë njerëz që nuk u ka hyrë as gjembi në këmbë për gjërat që kanë ndodhur dhe që janë ende në strukturat e kulturës. Po të shtosh edhe atë që ka ndodhur me gërmimet pa leje, për skandalet që janë referuar kudo, për punën pa kriter dhe mos respektimin e autoriteteve, bindesh se institucionet kulturore nuk e kanë forcën të përgatisin dosje, të cilat mund të përballeshin para Drejtësisë. E më shumë se kaq, edhe kur ato janë përgatitur njerëzit e ligjit shqiptar janë krejt indiferentë sepse veprat e artit në Shqipëri nuk kanë frymë. Që do të thotë se kur sistemi i drejtësisë në vendin tonë është në këtë nivel që është përballë çështjeve dhe subjekteve humane mund të llogarisësh fare lehtë sesi mund të flitet për veprat e artit pas të cilave fshihet fitim që nuk vret direkt individë por vret dinjitetin e shtetit të varfër shqiptar, që më së shumti e kemi varfëruar vetë me maninë e madhe për t’i grabitur gjithçka.
Kështuqë drejtoresha e Qendrës së Inventarizimit të Pasurive Kulturore më shumë sesa apelim duhet të ndërgjegjësojë Ministrinë e Kulturës për përmirësimin e strukturave që janë zvogëluar jashtëzakonisht, ndërgjegjësimin e njerëzve të seksioneve kulturore por më shumë se kaq apelin drejt instancave qeveritare sa i përket vetë ndërgjegjësimit të njerëzve të Drejtësisë. Reforma në Drejtësi me shumë gjasë shpresojmë të ndryshojë dhe vetë edhe qasjen ndaj veprave të Trashëgimisë Kombëtare. Pritshmëria është e madhe për t’i dënuar fajtorët që e kanë përcjellë vendin në këtë nivel, si edhe për t’i kthyer vendit respektin për trashëgiminë e madhe që kanë krijuar breza të tërë.
Për fat të mirë, në tri vitet e fundit, QKIPK ka regjistruar rreth 70 mijë objekte, 16 mijë syresh në pronësi private. Një punë e lavdërueshme kur kujton se prej vitit 1995-2013 ishin regjistruar gjithsej 67 mijë, prej të cilave 19 mijë vinin nga pronësitë private.
Hapa vërtetë të mirë, por ende shumë pak përballë kësaj sëmundje që kanë shqiptarët për të dëmtuar Trashëgiminë. Kjo është arsyeja që njerëzit e kulturës presin që Reforma në Drejtësi të jetë e rreptë edhe me kundravajtësit e shumtë të kulturës, që e kanë dëmtuar pa asnjë dënim trashëgiminë kombëtare. Një nga aspektet sesi kjo reformë do të funksionojë do ta tregojë dhe ndaj qëndrimit që do të mbajë me veprat e Trashëgimisë Kulturore.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.