MILOSAO

Teatri evropian nderon BIG-ët e artit të sotëm

10:44 - 25.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Milena Selimi, Romë




Jeremy Irons, si fitues i Çmimit Evropian të Teatrit, nuk e ndryshon qëndrimin e tij. Ai mbërrin kohë përpara diskutimit në Pallatin Venecia, Romë dhe pret me qetësinë e një britaniku orën e fillimit. Veshur si një zotëri nga fshatrat britanikë duket gati e pamundur ta lidhësh me filmin aksion “Justice Leage”, Batman, apo Wonder Woman. Gjithsesi është aty, i qeshur dhe autoritar. Krejtësisht tokësor. Takimi mbahet në Salla Regia, ku Papa Pali II priti ambasadorët në shekullin e pesëmbëdhjetë. Kolegët dhe miqtë e Irons, si Fanny Ardant dhe Volker Schlöndorff, në moderimin e kritikut Michael Billington nga “The Guardian” rrëfejnë për temën e ditës: Teatri.
Prej 12 deri më 18 dhjetor, Roma priti edicionin XVI të Çmimit Evropian të Teatrit dhe edicionin XIV të Çmimit Evropian të Realitetit Teatror. Një mundësi, jo e zakonshme, për t’u takuar dhe për t’u njohur me kritikët dhe artistët fitues, për të parë shfaqjet dhe për të marrë pjesë në diskutimet në qasjen e tyre ndaj teatrit. Kjo ngjarje evropiane u zhvillua në ambientet e Pallatit Venecia, një nga ndërtimet më të rëndësishme të Romës në vitet 1455-1467. Kjo ndërtesë historike ka një kujtesë të rëndësishme që lidhet me fashizmin.
Më 16 shtator 1929, Mussolini vendosi selinë e tij në sallën e globit. Nga ballkoni i kësaj ndërtese Mussolini tërhoqi turmën në rastet më të rëndësishme, si në vitin 1940, kur deklaroi luftën ndaj Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Nga ky pallat ai dekretoi hyrjen e Italisë në luftë. Në vitin 2017, në të njëjtën sallë flitet për Teatrin Evropian. Rastësia sjell në të njëjtën sallë deklarata ndaj Francës dhe Britanisë, këtë herë duke nderuar me Çmimin Evropian të Teatrit, Isabelle Huppert dhe Jeremy Irons, dy aktorë figura emblematike evropiane, me reputacion ndërkombëtar : “Për aftësinë që kanë ‘të migrojnë’ nga dimensioni i teatrit drejt kinemasë dhe anasjelltas”.


Për herë të dytë, pas një kohe të gjatë, pas fituesit Michel Picoli, Europa Theatre Prize kthen çmimin për aktorin. Jeremy Irons, kurioz, ambicioz, cilësuar nga kritika si një aktor që tejkalon limitet fizike, nis bisedën me Michael Billington duke u shprehur se : “Aktori nuk është model i shoqërisë, por instrumenti për të kuptuar shoqërinë. Jepini hapësirë Teatrit”.
Ndërsa Isabelle Huppert shkon më tej kur flet se “Teatri është streha ime, rrezik, lojë e dashurisë, shok që të trondit. Duhet mësuar si të jetosh me teatrin”.
Çmimi Evropian për Teatrin, krijuar në vitin 1986 nderon institucione, personalitete teatrale që kontribuojnë në realizimin e shfaqjeve teatrale që sjellin një rol determinant në kuptimin dhe njohjes mes popujve.
Çmimi Evropian i Teatrit u pasurua dy vjet pas krijimit me një tjetër çmim të rëndësishëm titulluar “Realitetet Evropiane Teatrore”, që krijon hapësirë dhe vëmendje për produksione teatrale të rëndësishme dhe inovative në të gjithë Evropën, me produkte dhe stile pune të ndryshme dhe të shprehura në çdo formë, pa kufizime gjinore. Ky çmim kthen vështrimin edhe nga ato “emergjenca teatrale”, jashtë evropiane, të cilat për arsye artistike, por edhe gjeografike, sociale dhe politike, kërkojnë vëmendje, dukshmëri dhe madje forma të ndihmës dhe mbështetjes.
Edicioni XIV I këtij çmimi nderon gjashtë fitues: gjashtë personalitete të ndryshme, gjashtë rrugë të ndryshme teatrore: Susanne Kennedy, Jernej Lorenci, Yael Ronen, Alessandro Sciarroni, Kirill Serebrennikov, Teatër NO99. Dy çmime të veçanta për Wole Soyinka, shkrimtar, dramaturg dhe poet, fitues i çmimit Nobel për letërsi në vitin 1986, cilësuar një urë midis Evropës dhe Afrikës dhe regjisorin Fadhel Jaibi, ‘personaliteti tunizian i teatrit, që nuk e ka humbur kthjelltësinë dhe sensin kritik në Magreb dhe në botën arabe’.


Regjisorja Susanne Kennedy prezanton në teatrin Palladium “Virgin Suicides/Vetëvrasje Virgjëreshe” një krijim kompleks teknik që përdor pesë aktorë, dhjetëra projeksione video, që ndodhin njëkohësisht në ekranet dhe monitorët e shumëfishtë, zëra dhe një tinguj të regjistruar të muzikës, tingujve dhe zhurmave. Përsosja e këtij sistemi skenik dhe narrativ e vë shikuesin në një gjendje të ndryshuar të emocioneve. Në përgjithësi një përvojë teatrale e pazakontë.
Në Teatrin Argjentina ndjekim shfaqjen “Roma Armee/Ushtria Rome”. Në çmimin Europa, Yael Ronen mbërriti në krye të një ushtrie rome, përbërë nga aktorë dhe muzikantë të origjinave të ndryshme, Gipsy, pakicat më të diskriminuara evropiane deri në ditët e sotme. Në bazë të shfaqjes janë marrëdhëniet e vështira të romëve me Gaxhien. Një grup miks gay, reagojnë dyfish ndaj identitetit të tyre kulturor dhe seksual duke u përpjekur të zhvishen për të rifituar krenarinë e humbur. Yael, një nga regjisoret e guximshme izraelite që vendos krizat globale në thelbin e realiteteve teatrale.
NO 43- Filth e Teatrit NO99, një tjetër shfaqje e pazakontë në Teatrin Argjentina, me regjisorët Ene-Lils Semper dhe Titit Ojaso. Këmbët e 9 aktorëve zhytur në baltë për një orë e 45 minuta që vendos në provë të vështirë trupin e tyre dhe performancën. Një histori pothuajse pa fjalë, ku imagjinata është në një metamorfozë konstante. Balta jashtë dhe brenda nesh i kthen 6 meshkuj dhe 3 femra në një luftë pa brerje ndërgjegjeje , ku ata tregojnë pushtetin mbi tjetrin, joshin dhe afirmojnë identitetin seksual për mbijetesë. E gjithë shfaqja një ritëm i jashtëzakonshëm nga aktorë të jashtëzakonshëm.
Dita e fundit e Çmimit të Evropës filloi me një takim me Isabelle Huppert, kuruar nga Fernand Faivre d’Arcier. Pjesëmarrësit në takim, ndër të tjera, Michael Billington, Mario Martone, Krzysztof Warlikowski dhe Patty Smith treguan një profil të aktores Isabelle Hupper cila konfirmon mitin e aktores me famë, inteligjente dhe jo të prirur për kompromis, në zgjedhjet e saj të roleve dhe mënyrat e interpretimit, si në film dhe në teatër.
Në ndarjen e çmimeve, Jeremy Irons dhe Isabelle Huppert, dy emblemat që mund tregojnë qartë përmes personalitetit dhe identitetit se kush është Evropa lexuan në skenë në një performancë të jashtëzakonshme letrat e dashurisë të Albert Kamysë dhe Maria Casares. Ata interpretuan së bashku, ekskluzivisht për Çmimin Evropian të Teatrit, pjesën “Ashes to Ashes/Hiri në Hi” një tekst i përkryer i dramaturgut anglez Harold Pinter që kujton tragjedinë e holokaustit. Nga çastet e rralla skenike ku pushtohesh nga aktori, me fuqinë e zërit, talentit dhe mendjes, ndoshta sepse siç kujton Fanny Ardand: “Të aktrosh me Jeremy Irons është sikur të lëshohesh në vallëzim”.


Teatri mbetet një nga artet që shënjon fort identitetin evropian duke kontribuar që nga fillimet e tij në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë. Mjaft të kujtojmë se pranë fjalëve ‘dramë’ dhe ‘tragjedi’, koncepti i njëjtë i fjalës ‘dialog’, përpara se të merrte kuptim politik dhe social tregonte një formë teatrale në gjuhën skenike të Greqisë Antike.
Teatri si rrezik, teatri si kërkim, teatri si konflikt, teatri si identitet, në rrëfim të kaosit të qenies humane. “Do doja të isha një makinë” shprehej dikur Andy Warhol. “Biçikleta është një makinë, por lëvizja e saj është liri” rrëfeu regjisori Robert Wilson pas duartrokitjeve të gjata në shfaqjen “HamletMachine”, shkruar nga Heiner Müller në Çmimin Evropian të Teatrit 2017.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.