EKONOMI

Fatbardha Dusha Shtëpani: Të rihapet kopshti në fshatin Vërri të Shëngjergjit. Pse nuk duhet të mungojë arsimi parashkollor

12:10 - 26.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Prej shumë kohësh, kopshti në fshatin Vërri të Shëngjergjit pranë shkollës së mesme të përgjithshme, ka mbyllur dyert për vogëlushët e zonës. Por një ide nga bija e këtij fshati mund ta rikthejë sërish në jetë. Ajo është mësuese e ciklit parashkollor, me një eksperiencë të gjatë, si edukatore, e dëshiron të kontribuojë për vendlindjen në një formë krejt të veçantë. Në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” Fatbardha Dusha Shtëpani me dëshirën e pasionin për punën, po hedh idenë e rihapjes së këtij kopshti në Vërri të Shëngjergjit.
Teksa shikon se me sa shpejtësi po bëhen ndryshimet në kopshtet e Tiranës, ajo shprehet se vazhdimisht mendon për kopshtin e fshatit të saj të lindjes, i cili mungon. Mësuesja ka qenë frekuentuese e këtij kopshti ku sot e kësaj dite ndien nostalgji. E lindur në një familje mësuesish ajo krenohet vazhdimisht me babain e saj Veli Dusha, i cili ka qenë drejtues i shkollës së mesme prej shumë vitesh, dhe njëkohësisht iniciator që dhe Shëngjergji të kishte shkollë te mesme. Pra, Fatbardha mendon se ashtu si të parët e saj të japë kontribut të shtunën dhe të dielën për të ngritur kopshtin në fshatin e saj të lindjes. Nuk kërkon asgjë, thjeshtë ndihmën e bashkisë së Tiranës dhe të njësisë administrative Shëngjergj dhe pse jo një ndihmesë nga biznesmenët e zonës për të realizuar ëndrrën e saj. Por, paraprakisht kërkon të takojë kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj për t’i bërë prezent iniciativën që ajo ka ndërmend të marrë.





Prej sa vitesh punoni si mësuese në arsimin parashkollor?
Prej afro 30 vitesh, punoj si mësuese e arsimit parashkollor. Kam përfunduar shkollimin përkatës për këtë degë dhe e kam pasur pasion e dëshirë që prej fëmijërisë, duke ndjekur shembujt në familjen time. Tashmë, punoj prej 15 vitesh në kopshtin nr. 24 në zonën e Bërrylit në kryeqytet. Dëshira ime më e madhe si arsimtare, por edhe si bijë e fshatit Vërri të Shëngjergjit është rihapja e kopshtit për vogëlushët e fshatit.
Kur është mbyllur arsimi parashkollor në fshatin Vërri të Shëngjergjit?
Prej shumë kohësh. Në fshatin Vërri të Shëngjergjit ndodhet shkolla e mesme e përgjithshme në godinën e së cilës, mësojnë nxënësit e arsimit parauniversitar, ku përfshihet gjimnazi dhe arsimi 9-vjeçar. Vlen të theksoj që pjesë e kësaj shkolle ka qenë edhe kopshti, por prej shumë vitesh është mbyllur e për pasojë vogëlushët e parashkollorit nuk kanë ku të drejtohen.
Pse është e nevojshme rihapja e këtij kopshti?
Është e nevojshme që ky kopsht të hapet sërish për një arsimim më të mirë të brezave të rinj si dhe për t’i ardhur në ndihmë prindërve e mësuesve të klasave të para. Por nëse ky kopsht në Vërri të Shëngjergjit, rihap dyert për vogëlushët jam e gatshme që të punoj vullnetare çdo të shtunë e të diel pasi e dashuroj punën që bëj dhe dua gjithmonë të jem në ndihmë të fëmijëve.


Si iu lindi kjo ide?
Vetëm nga dëshira e pasioni që kam për punën! Edhe në këtë fshat duhet të ketë një kopsht ku prindërit të mund të dërgojnë fëmijët e tyre për t’u përgatitur për klasën e parë. Duhet të ketë një arsim parashkollor, e unë e ndjej që të shkoj të punoj vullnetarisht, pa lënë pas dore kopshtin ku jam aktualisht. Shëngjergji është një vend arsimdashës e unë dëshiroj të ndjek shembullin e babait tim, Veli Dusha, i cili kontribuoi aq fort në arsim e i dha një emër të denjë shkollës së mesme ku vetë ai insistoi, që të çelej, e u vendos më pas drejtor.
Me cilat instanca mendoni të krijoni bashkëpunim lidhur me këtë nismë?
Normalisht që me Bashkinë e Tiranës dhe njësinë administrative në Shëngjergj. Do të doja një takim me kryebashkiakun z. Erion Veliaj, i cili në këto vite i ka dhënë prioritet të lartë kopshteve, çerdheve e shkollave duke i shndërruar në një model, brenda standardeve europiane. Kërkoj dhe nga investitorët, biznesmenët një suport sado të vogël për ta vënë në jetë këtë ide në ndihmë të vogëlushëve të Shëngjergjit. Thjesht do të dëshiroja të siguroja një ambient brenda godinës, nja 3-4 tavolina e 20 karrige. Pra, është një investim me vlerë të vogël monetare, por që mbart vlera të mëdha për brezat e rinj.
Cilat janë disa nga vështirësitë që hasin fëmijët që s’kanë mundësi të marrin arsimin parashkollor?
Duke ardhur nga shtëpia direkt në klasë të parë, procesi i mësim nxënies për këta fëmijë është më i vështirë sesa një tjetër që ka shkuar në kopsht. Këta vogëlushë do të kenë probleme me mënyrën e të shprehurit, me numërimin, mbledhjen e zbritjen. Pra, ky është funksioni i arsimit parashkollor, i cili shërben si një katapultim shumë i mirë e një gur themeli në arsimin e mëvonshëm të çdo individi.


Vetë prindërit e fëmijëve të Shëngjergjit, a e ndjejnë mungesën e këtij kopshti?
Normalisht që po! Fëmijët nuk kanë mënyrë edukimi e argëtimi, njësoj siç mund t’iu ofrohej në kopsht, e si pasojë ose do dalë të luajë në rrugë, ose në shtëpi, zgjidhje tjetër nuk ka. Ndërsa arsimi parashkollor do i ndihmonte vogëlushët për zhvillimin e të folurit, artit, e në fusha të tjera.
Si do të procedoni më tej për të vënë në jetë idenë tuaj?
Do marrim iniciativa të tjera. Edhe Shoqata e Shëngjergjit “Gavril Dara i Riu” mund të investojë dhe të sensibilizojë kryetarin e Bashkisë së Tiranës për të vënë në jetë këtë nismë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.