KULTURË

Çmimi “Onufri XXIII” shkon për artisten malazeze

08:07 - 29.12.17 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Artistja malazeze Jelena TOMASEVIC është fituesja e edicionit të 23-t të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” – AU FIL DU TEMPS – Kujtesë kolektive, kujtime personale. Juria e perbërë nga tre artiste, Lumturi Blloshmi, Greta Dhaskali Lami dhe Ledia Kostandini, shpalli veprën “Mixed Memor”, 2017, mix media, ëall installation, glass, wood, paper…, 4m, si më të arrirën e kësaj ekspozite me arsyetimin: “Jelena Tomasevic arrin të përcjellë një kolazh eksperiencash njerëzore nëpërmjet narracionit dhe metaforës, në një tablo të gjerë përjetimesh. Ajo koleksionon impulset që i ofron memoria. Tomasevic filtron eksperiencën kolektive përmes një gjuhe figurative tejet simbolike, duke ofruar qëndrimin e saj personal ndaj fenomeneve të ndryshme sociale”. Në këtë edicion të Ekspozitës Ndërkombëtare “Onufri” morën pjesë dhjetë artistë nga vende të ndryshme të botës: Zeni Ballazhi, Adi Haxhiaj, Koja, Perino & Vele, Leonard Qylafi, Calixto Ramírez, Jelena Tomasevic, Vangjush Vellahu, Alketa Xhafa Mripa, Fani Zguro. Kuruar nga Gaetano Centrone, ekspozita titullohet “AU FIL DU TEMPS – Kujtesë kolektive, kujtime personale”. Ofron një itinerar ekspozues që zhvillohet në dhomat dhe ambjentet e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Kuratori Centrone përpiqet, për të gjetur një emërues të përbashkët që bashkon përvojën e shumicës mes artistëve shqiptarë, sepse filloi prej tyre në këtë hulumtim që dëshiron të jetë aktual dhe ndërkombëtar. Pas shumë studimesh ai doli në konkluzionin se Historia mbizotëron në punën e tyre. Por kuratori nuk ka qëllim të ndërtojë një ekspozitë politike (kjo nuk është në planet e tij) duke qenë se ka një dallim të madh mes elementit kulturor dhe atij socio-politik. Në këtë pikë faktori kohë bëhet një element qendror. Mënyra se si koha gërryen në kokat tona dhe çfarë mbetet e konsiderohet ex post. Dallimi midis kujtesës kolektive dhe kujtesës personale është shumë i paqartë, më shumë se sa mund të mendohet. Dhe po ashtu dallimi mes njëjësit dhe shumësit është më kompleks se sa mund të mendohet. Ekziston një apo shumë kujtime kolektive? Dhe kush i formon ato? Dhe sa kujtime personale preken nga ngjarjet e historisë? Është e panevojshme të mohohet se në këtë pjesë të botës ngjarjet historike kanë hyrë shumë në jetën e popujve. Për zgjedhjen e titullit ne kërkuam një shprehje të mrekullueshme të gjuhës frënge: au fil du temps. Në italisht, për shembull, mund të përkthehet me kalimin e kohës, por fjalë për fjalë ka bukurinë e saj në versionin origjinal: në fije të kohës. Një fije që ngjit Historinë me histori personale, duke shtyrë nga lart me zërat e ndryshëm polifonikë të një tregimi.Aktualiteti i së tashmes, historia në sfond. Ekspozita Ndërkombëtare “Onufri XXIII”, do të qëndrojë e hapur për publikun deri më datë 30 Janar 2018





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.