Intervista

Zgjedhje të parakohshme? Dhurata Çupi: PD del fituese me votë të lirë

10:02 - 05.01.18 Valentina MADANI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dhurata Çupi, deputetja e PD-së së Dibrës apelon për reflektim të çdo demokrati dhe bashkimin e çdo kontributi që i shërben PD-së dhe vendit. Ajo beson se askush nuk dëmton partinë, nëse çdokush ka synim për një Parti Demokratike të fortë për qeverisjen e nesërme. Zj.Çupi tregon për “Gazeta Shqiptare” skenarët e opozitës në përballjen e fortë kundër qeverisë “Rama”, të cilën e akuzon për lidhje me krimin e organizuar. Dhurata Çupi flet edhe për bashkëpunimin me LSI-në, duke thënë se: “PD-ja është e hapur për këdo që mendon se kjo qeveri nuk mund të drejtojë më, se kjo qeveri e kriminalizuar nuk u shërben shqiptarëve, por oligarkëve”. Deputetja e PD-së ka bindjen e plotë se nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të parakohshme, PD-ja do të dilte fituese përmes votës së lirë e të barabartë.




Znj.Çupi, si e gjen Partinë Demokratike viti 2018?
Partia Demokratike e nis këtë vit me një protestë kundër së keqes e në mbrojtje të interesave të shqiptarëve dhe të ligjit themeltar të vendit. Nisim një vit me një betejë të hapur dhe me një protestë, e cila do të jetë më e madhja e opozitës, ndërsa lideri i Partisë Demokratike, z.Basha ka nisur tashmë takimet me qytetarët për t’u bashkuar të gjithë së bashku kundër së keqes. Është koha të dëgjohet zëri i qytetarëve.

A mundi PD të gjejë vetveten pas humbjes së zgjedhjeve të 25 qershorit?
Sa u përket zgjedhjeve dhe rezultatit që Partia Demokratike mori, mund të them që analiza e vetvetes në çdo degë e çdo cep të Shqipërisë ishte serioze dhe e thelluar. Kanë dalë çështje dhe problematika për të cilat patjetër do të merren masa për minimizimin e tyre, por nga ana tjetër duke theksuar këtu se vota e shqiptarëve ishte e tjetërsuar më 25 qershor. Rezultati i këtyre zgjedhjeve përkthehet në një braktisje të procesit nga shqiptarët, të cilët morën rrugën e azilit. Përkthehet në blerje masive të votës, vetë kam qenë dëshmitare e një procesi jodemokratik, jo të drejtë dhe jo të ndershëm në qarkun ku drejtoja listën e kandidatëve për deputetë, atë të Dibrës.

Kryetari Basha ka paralajmëruar rifillimin e protestave javët e para të janarit, por konkretisht cili është qëllimi i tyre?
Ashtu siç e thashë më lart, është koha për një zgjim të ndërgjegjes së qytetarëve. Organizimi i protestës ka nisur që në muajin dhjetor në takime të vazhdueshme jo vetëm me strukturat, por me çdo qytetar të këtij vendi. Është koha për t’i dhënë fund kësaj keqqeverisjeje. Është koha për të reaguar kundër abuzimit në pushtet, është koha për t’i dhënë fund paligjshmërisë. Ne e pamë se si u shkel ligji themeltar i shtetit nga kjo shumicë dhe asgjë nuk i bën përshtypje këtij pushteti. Ngjarje të dhimbshme prodhohen çdo ditë e nga ana tjetër shqiptarët varfërohen dita-ditës. Protesta do të jetë për shqiptarët dhe me shqiptarët. Për të mos lejuar paligjshmërinë e për të hequr litarin nga fyti që kjo qeveri u ka vënë shqiptarëve.

Sekretari i përgjithshëm i PD-së, z.Ristani ka lënë të hapur mundësinë e ngritjes së “çadrës 2” deri në rrëzimin e qeverisë. Realisht a është e mundur kjo lloj rezistence e demokratëve dhe cilat janë skenarët e tjerë të protestave?
Ende nuk është vendosur se si do të jetë reagimi dhe organizimi i kësaj proteste në detaje. Lideri Basha në drejtimin e opozitës ka treguar se di të bëjë protesta e qëndresë kundër kësaj të keqeje. Protestat nën drejtimin e kreut Basha janë protestat më demokratike që janë zhvilluar ndonjëherë, por sigurisht pjesëmarrja masive në to ka treguar domosdoshmërinë për reagim. E sigurt është që kjo protestë do të jetë masive e mirorganizuar, do të jetë së pari protestë e qytetarëve të nëpërkëmbur, të mbytur nga taksat e larta, të burgosur dhe pa shpresë. E rëndësishme është se nga e gjithë kjo sjellje e pushtetit me to po zgjohet vetëdija qytetare për të drejtat e tyre.
PD kërkon krijimin e një qeverie antimafie, por si mund të arrihet një gjë e tillë?
Qeveria antimafie do të ishte zgjidhja më e mirë për vendin e të ardhmen europiane. Në një vend demokratik është e domosdoshme që qeveria të jetë e qytetarëve. Që buxheti të jetë i qytetarëve dhe për të mirën publike. Që taksat e larta të mos rriten çdo vit në kurriz të qytetarëve të thjeshtë dhe pritshmëria e tyre për cilësinë e shërbimeve publike mbetet zero. Megjithatë, dua të theksoj se kjo qeveri e kapur ka filluar të ndjejë presionin qytetar dhe jo vetëm. Edhe vendet e BE-së i kanë dhënë sinjalet e para, duke na bërë të qartë se një vend që nuk plotëson kushtet e një vendi demokratik, nuk ka të ardhme në Bashkimin Europian.

Nëse do të kishim zgjedhje të parakohshme për shkak të situatës së kriminalitetit në vend, a do të mund t’i fitonte PD-ja ato? Nëse po, PD do të bashkëqeverisë sërish me LSI-në?
Partia Demokratike fiton në zgjedhje të lira e demokratike. PD-ja është forcë e lirisë dhe e demokracisë. Fitoren në zgjedhje demokratike PD-ja e ka demonstruar ndër vite. Për këtë arsye, PD-ja insiston në një reformë zgjedhore, që garanton zgjedhje të lira e të ndershme. Ne kemi paraqitur draftin tonë përkatës që u jep zgjidhje shumë fenomeneve, që kanë tjetërsuar vullnetin e shqiptarëve që nga shitblerja e votës, sekuestrimi i kartave të identitetit apo edhe presioni. Këto fenomene të dënueshme zgjidhen përmes reformës së plotë e kjo kërkon vetëm vullnet politik. Ky vullnet politik i duhet imponuar kësaj shumice në rast se vendi mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme. Shqiptarët nuk do t’i lejojnë këta qeveritarë dhe demokratët do të jenë në krah të shqiptarëve për të larguar sa më parë ketë të keqe. PD-ja ka një ofertë për t’iu bashkuar asaj kushdo që mendon se kjo qeveri nuk mund të drejtojë më e për këdo që mendon se kjo qeveri e kriminalizuar nuk u shërben shqiptarëve, por oligarkëve.

Kanë të drejtë zërat që mbrojnë idenë se bashkëpunimi me LSI-në po e dëmton PD-në në rrugën drejt pushtetit?
Beteja e PD-së nuk është betejë pushteti, por betejë kundër së keqes. Duke bashkuar zërat e shqiptarëve kundër kësaj të keqeje, u shërbejmë atyre. Çdo zë kundër kësaj qeverie është zë për të nesërmen tonë. PD-ja është parti e koalicionit qytetar dhe e reformave të mëdha të vendit. PD-ja është opozita e vendit sot dhe oferta më dinjitoze për të udhëhequr shqiptarët.

Sa po e dëmtojnë PD-në kritiket e Bashës dhe a shikoni mundësinë e të bërit paqe mes tyre?
Çdo zë që i shërben demokracisë së brendshme në PD e mirëkuptoj. PD-ja është parti e lirisë dhe demokracisë, ku askush nuk dëmton, nëse ka synim për një Parti Demokratike të fortë për qeverisjen. Është koha për reflektimin e çdo demokrati dhe bashkimin e çdo kontributi që i shërben PD-së dhe vendit.

Si mund të ringrihet Partia Demokratike?
PD-ja është si një organizëm i gjallë, që çdo ditë lëviz, zhvillohet, përmirësohet, shërohen plagë dhe rritet dita-ditës. PD-ja është një forcë politike aktive, që premton për Shqipërinë. Jam e bindur se shqiptarët e duan PD-në në qeverisjen e vendit, prandaj në çdo degë vijon puna me analiza e konsultime për të qenë gati që ky organizëm i plotë të përballojë sfidën e zgjedhjeve në çdo kohë dhe për të mos lejuar thellimin e varfërisë në vend. Uroj që ky të jetë viti i shqiptarëve të ndershëm, që me punë e sakrifica kujdesen për familjet e tyre. Uroj që ky të jetë viti i shqiptarëve, të cilët duan që vendi ynë të jetë i sigurt për të ardhmen e fëmijëve të tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.