MILOSAO

“Dritëroi, njeriu që zbuloi shenjtërinë e Shqipërisë”

10:49 - 08.01.18 Nga Shpëtim ÇUÇKA*
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një njohës i muzikës (ndoshta Romen Rolani) është shprehur kështu për muzikën e Bethovenit: “Muzika e Bethovenit është një kriter vlerësimi për njerëzit: kush nuk e ndien, kur e dëgjon, ai ka mangësi në formim.”
Të tilla janë për ne shqiptarët vargjet e D. Agollit kushtuar babait: kush nuk i ndien, ai ka mangësi në edukim.
Thellësisht poetike, thellësisht e bukur dhe fisnikëruese vjen luzma e përjetimeve të poetit në vargjet kushtuar luftës partizane, kushtuar mundimeve dhe lodhjeve gjatë saj:




E thartë era e barutit,
E mprehtë copë e predhës,
E çjerrë vërshëllimë e plumbit,
E tmerrshme zhurmë e “Bredës”!

Të ashpra ngricat e dëborës,
Të hidhura thëllimet,
Të mpirë pesë thonjtë e dorës
Nga akujt e mundimet!

E nxehtë etja në marshime,
E rëndë peshë e setrës,
E dashur çlodhja në burime,
E shtrenjtë bukë e thekrës!

E ndritur ëndrra e lirisë,
E gjerë këngë e shpresës,
I fortë malli i Shqipërisë,
Guximit dhe qëndresës.

Të bukura, prekëse, janë shenjat e shenjta të mikpritjes së popullit për partizanët:

O ju shtëpi përmes hardhive,
Ku herët më ftoi pragu,
Ku bënte tymi hieroglife
Tek ngrihej nga oxhaku,

O ju shtëpi kala me gurë,
Ku ndjeva shpirtin tuaj,
S’ju heq nga mendja ime kurrë
Se mallin dot s’e shuaj!

I bukur në thellësinë e tij buron mësimi i mësuesit-baba për vuajtjet e luftës dhe për gjakun e derdhur nga të rënët:

Dhe nis e flet babai ngadalë,
Kur ecim zemërvrarë:
– Mos i harro në jetë, o djalë,
Këto që kemi parë!

Bukuri kanë çastet lirike të kësaj lufte për çlirimin e atdheut:

Na mbajnë mend të lartët drurë
Dhe ahet shtatepikë,
Ku shkruam emrat në lëkurë
Me bajonetë e thikë,

Ku shkruam emrat pranë e pranë
Të dy, një prind, një djalë:
“Baba e bir – dy partizanë
Prej kohësh malit dalë”.

Me emrat tanë u rritën ahet,
U ngjitën drejt përpjetë;
Çdo shkronjë e shkrur kurrë s’thahet
Po hesht e flet nën fletë.

Druvari ahun kur ka prerë
Diku në ndonjë anë,
Kapelën për nderim ka nxjerrë
Mbi trung me emrat tanë…

E, nëse ka njerëz që ngrenë zërin a nxijnë letrën kundër poetit të të tilla vargjeve, kjo thjesht do të thotë se në këto kohëra Shqipërisë nuk i ka mbetur asgjë e shenjtë, se Shqipëria nuk është në gjendje të mbrojë asgjë të shenjtë të historisë së saj. Pikërisht këtu, në këtë çështje, të shenjtërisë së disa gjërave të mëdha, ndahet e dallohet e mira nga e keqja, e drejta nga e shtrembra, thjesht i miri nga i ligu.
Dhe sa e lartë është ideja e krahasimit të bëmave të Herkulit me veprën e partizanëve! Ja, ç’vargje shkruan dora e poetit duke i vënë mendimet në gojën e mësuesit-baba:

Babai kapelen mbi sy uli
Dhe foli si qëmoti:
– Për mua s’ishte trim Herkuli,
Se bënte ç’thosh i zoti.

Për mua ky Herkul i mjerë
Veç bënte ca çudira
Dhe s’ka fituar asnjëherë
Fitore të vështira.

Ai vërtet në luftra vinte
Dhe shfaqte trimërinë,
Po vetes vlerën nuk ia dinte,
S’ia dinte as fuqinë;

Fiton ai që s’mban për vete
Asgjë, bile as dritën,
Por njerëzve ua jep në jetë
Ashtu si dielli ditën.-

Nuk duhet të shqetësohen këtu vlerësuesit dhe adhuruesit e mitologjisë së Greqisë së Lashtë. Dhe nuk ka përse përveshin buzët nga habia a qejfmbetja adhuruesit – deri në servilizëm – të çdo gjëje të huaj.
D. Agolli përmes mësuesit-baba përsërit këtu edhe një herë të vërtetën e thjeshtë, që është në të njëjtën kohë e madhe dhe e madhërishme dhe e cila u prek edhe më sipër, kur babai e mësonte djalin, me qëllim që këtij të mos ia hante qeni shkopin në jetë: I pasur nuk është mësuesi që e fsheh dijen nga nxënësit, nuk është profesionisti që e fsheh mjeshtërinë nga ndihmësi, nuk është ai që mbledh e grumbullon pasuri, ndërkohë që përreth mbretëron mjerimi. I pasur është ai njeri dhe ajo shoqëri, të cilët mbledhin dije e begati për t’ua shpërndarë të gjithë njerëzve të punës. E pasur është shoqëria që nuk ndërtohet mbi mëshirëdhënien por mbi veprimtarinë e solidarizuar të të gjithë anëtarëve.
Poeti Dritëro Agolli na zbulon, gjithnjë me gojën e mësuesit-baba, edhe thelbin e poezisë, thelbin e poezisë-këngë, thelbin e poezisë-kumt. (Sot poezia nuk është më muzikë, nuk është më këngë, nuk është më kumtare!):

Dhe kur i thosha pse ia merrte
Me mall e ligjërime,
Tim eti balli i madh i fekste
Lëruar me mendime:

– Kjo është këngë e s’është këngë,
Kjo mund të jetë fjalë;
Ajo mban halle, mall e brengë
Dhe kuvendim të rrallë;…

Lexuesi, që lexon të tilla vargje, ka mundësinë ta krahasojë këtë kuptim të poezisë si këngë e si kumt me trajtën që i kanë dhënë kësaj gjinie letrarët e sotëm. Dhe nuk do ta ketë të vështirë të bëjë dallimin: te D. Agolli pianoja e vargjeve na prek me fuqinë e mendimit dhe thellësinë e përjetimit. Te vargjet e të sotmëve nuk dëgjohet asnjë tingull pianoje. Thjesht nuk ka piano. Ka vetëm zhangëllimë kazani.
Figura e nderuar e babait për poetin është kthyer edhe në atë të mësuesit të madh të historisë reale, të historisë jo sipas këtij apo atij studiuesi pa ideale, pa botë e pa personalitet, por të historisë sipas përjetimit dhe kuptimit të njeriut të thjeshtë e të madh të punës:

Mendonte thellë e rrudhte ballë
Për luftën dhe për paqen
Dhe kur ofshante me ngadalë
Kafshonte pak mustaqen:

Çuditem, biro, nga u gjetën
Kaq faqezinj lugetër,
Që s’e kuptojnë të vërtetën
Dhe janë mendjepjepër…

Mirë italiani dhe gjermani
Me ca xhandarë e bishtër,
Po ç’desh të merrte zjarr kazani
Me laro dhe ballistër?

Këta të liq ç’i futën hundët
Në punët tona vallë,
Dhe sillen rrotull si majmunët
Dhe vijnë veç vërdallë!…
……………………………
Im atë fliste si Shevqeti
Në “Epopenë e Ballit”
Dhe ngryste vetullat i shkreti
Mbi gurin rrëzë malit.
……………………….
E tillë ish jeta jonë malit,
E madhja e vështira;
Na digjte zjarri i idealit
Na hidhte në çudira.
………………………..
I thamë vdekjes: s’ke ku vete,
Tani ne jemi zotër
Në stane, fshatra dhe qytete,
Në mal e fushë e kodër!

I madh ish universiteti
I luftës popullore,
Atje shkëlqeu e shfryu talenti
I hoveve rinore.

Diplomat tona s’i vulosën
Rektorë e dekanë,
Me majë plumbi u firmosën
Nga komisarët tanë.

Studiuesit tanë të historisë po rendin sot pas dokumenteve të arkivave, sidomos atyre të huaja. Studiuesve tanë me siguri u duken të pabesueshme, të sajuara, shkurt jo të denja për shkencën e tyre, vargjet e poetit. Kështu ka ndodhur jo një herë në historinë e njerëzimit: Historianët kanë rendur të fshijnë e të fshehin atë që kanë shkruar luftëtarët, luftëtarët e zemrës dhe të mendjes. Dhe nga këto të fshira e të fshehura të së vërtetës sigurisht, sipas ligjit të njohur të natyrës, kanë fituar e përfituar të shkruarat e gënjeshtërta. Vendin e zbrazur nga e vërteta ia kanë dhënë gënjeshtrës.
Ndryshe nga studiues-përhapësit e së gënjeshtërtës poeti e ka mbështetur gjetiu poezinë e tij:

Unë e mësova poezinë
Në këngët e fshatarëve,
E ndjeva herët bukurinë
Në vallet e vallëtarëve…

Dokumenti më i madh, na thotë ai me vargjet e tij, është vetë jeta. Vetëm se jetën duhet të dish ta gjesh, të kesh sy ta dallosh, të kesh zemër ta ndiesh, pa ta kuptosh. Dhe jo kushdo i ka këto aftësi e këto shqisa e organe për të parë e për të ndjerë. Për ta fituar një aftësi të tillë nuk mjafton të kesh mbaruar një shkollë, sado e lartë dhe famëmadhe ajo qoftë. Shkolla që nuk ka buruar nga shkolla e jetës, nga mësimet e shkollës së jetës, në fund të fundit është shkollë e mashtrimit, domethënë nuk është shkollë. Pikërisht këtë të vërtetë na thotë poeti.
E tillë, e madhe, është edhe e vërteta tjetër, që këtë radhë jeta ia mësoi vetë babait:

Dhe ta harronte fjalën “imja”,
Të thoshte vetëm “jona”,
Për stanin mos e dridhte dhimbja
Mes netëve të vona;

Të ishte dhimbja e përbashkët,
E madhe, e pamatur,
Mos ish e vogël si një ashkël,
Të ish si rrap me shpatull;

Mos dridhej veç për ndonjë shqerrë,
Që kish në stan e vathë,
Po për një stan me mijëra krerë
Dhe dhjetra tonë me djathë…

“Poemë për babanë dhe për vete” nuk mund të mos e përmbante largimin e poetit nga fshati, nga vatra e familjes, nga babai. Këtu çështja qëndron në faktin se ç’përfaqëson ky largim: një mërgim apo një largim me punë gjithsesi brenda atdheut.
Sot, ashtu si edhe një shekull më parë, populli shqiptar po njeh mërgimin. I suksesshëm a jo ky mërgim për mërgimtarin, kjo është çështje tjetër. Dhe a mund të quhet në parim i suksesshëm mërgimi, kjo gjithashtu mund të vlerësohet nga këndvështrime fare të kundërta.
Por mërgimi ka edhe një anë tjetër: mirë mërgimtari, po prindërve që e rritën atë si u vete filli? Sa prindër këto kohëra janë gjetur të vdekur pa njeri të afërm pranë?
Largimi i poetit nga fshati i lindjes, ndonëse jo mërgim, ka anën e tij mallëngjyese. Mësues-babai e përcjell të birin për në qytet me mësimet e fundit:

Im atë me çibuk në buzë
Në cep të arës heshtte:
– Po nisesh, biri im, për rrugë
Të mbetesh ndër qytete!

Qytetet mendjen ta ndriçofshin,
Po sytë i paç në ballë,
Që mos ta hajë qeni shkopin,
Pëllumbi im, o djalë! –

Vetë ndarja me fshatin ka dhembjen e saj:

Hajt, mirupafshim, fshat i dashur,
Mbeç me shëndet, korije!
Po shkoj i rritur dhe i pasur
Me përgjërim rinie!

Me vete marr burime e plisa
Dhe çerdhen e lejlekut,
Lëndina, bar, lajthi e lisa
Dhe hithrat e hendekut;…

“Poemë për babanë dhe për vete” tingëllon si diçka e pambaruar. Mund të thuhet edhe që tingëllon si diçka që nuk duhet të mbarojë, nuk ka përse të mbarojë, se edhe vetë jeta nuk ka të mbaruar. Dhe, nëse poema tingëllon si diçka e pambaruar, kjo nuk do të thotë aspak se ajo mund të përjetohet si krijim i dëshpëruar dhe dëshpërues. Veprimtaria e punës e marrë në tërësi, e punës që është kuptimi dhe thelbi i jetës së shoqërisë njerëzore, gjithashtu është diçka e pambaruar, e pambarueshme. Por pikërisht përmes saj, punës së pambarueshme, rrojnë jo vetëm njerëzit, por edhe krijimet e tyre, krijimet e tyre më të mira, që janë si një rrjedhë e paprerë.

27.
Duke mbyllur këtë shikim të zgjeruar mbi mesazhet e Dritëro Agollit e mira e kërkon të ndalemi shkurt edhe mbi vetitë dhe cilësitë e teknikës letrare të shkrimtarit dhe poetit. Jo për ta zhytur lexuesin në çështje të karakterit akademik, të cilat në përgjithësi janë të parrokshme dhe në të vërtetë janë të padobishme.
Krijimtaria letrare e D. Agollit gjallon e gjitha nga mesazhe të mira, të vyera, që nuk janë të huaja për një mendje të etur për dije dhe një zemër të etur për përjetime të shëndetshme. Këto mesazhe kanë lindur si prurje e përvojës së jetës dhe e përvojës së leximeve të autorit. Të dyja ato, përvojë dhe lexime, kanë qenë të mëdha dhe praktikisht e kanë shoqëruar D. Agollin gjithë jetën e vetëdijshme. Mesazhet e poetit dhe shkrimtarit janë ndihmesa e tij e vërtetë në jetën e shoqërisë sonë, janë zëri i tij i përhershëm, i pamort.
Ne mund të mos jemi të një mendjeje me këtë apo atë mesazh, i cili jo rrallë ka buruar edhe nga dëshpërimi, nga zemra e thyer, nga përsiatje dhe përjetime jo gjithmonë të arsyetuara me gjakftohtësi, jo gjithmonë të shtjelluara me saktësi në mendje më parë se në letër. Por mesazhet e tij janë kurdoherë të sinqerta dhe kurdoherë dashamirëse ndaj lexuesit, i cili është, si të thuash, pika e orientimit të autorit, pika e përhershme e vëmendjes së tij krijuese. Lexuesi është gjithmonë i mirëpritur, i mirëvlerësuar, i afërt si mik e shkuar mikut, si njeri me të cilin autori e ka të nevojshme, jetike, të ndajë hallet, brengat dhe gëzimet.
Dhe mesazhet e Dritëro Agollit janë të mira e të vyera, janë të afërta dhe domethënëse, jo vetëm për brendinë por edhe për trajtën letrare, në të cilën ato janë mbështjellë. Proza, për shembull, përtej strukturës së veprës konkrete, ngrihet mbi një lëndë gjuhësore, e cila tërheq e befason me ritmikën e saj, me kalimin nga një valëzim emocionesh në një valëzim tjetër, nga një regjistër i caktuar gjuhësor në një regjistër tjetër, duke qenë e gjithë kjo lëndë gjuhësore një gërshetim i shkëlqyer i mënyrave shprehëse të popullit të thjeshtë, sidomos atij të vendlindjes së shkrimtarit.
Këtu shkolla, sidomos shkolla e nivelit të mesëm dhe ajo e specializuar filologjike, mund të kishte vend për orë të tëra trajtimi praktik të kësaj pasurie stilesh dhe mënyrash të shprehuri, që jo vetëm do të tregonin fuqinë e gjuhës letrare të D. Agollit, jo vetëm do të dëshmonin madhështinë e gjuhës sonë letrare në tërësi, por edhe do të ktheheshin në një mësim konkret e praktik se si duhet ta shkruajmë shqipen për të qenë më të qytetëruar dhe për t’u ndier edhe më mirë shpirtërisht me veten dhe njëri-tjetrin. Edhe pa e përmendur si një aksiomë shprehjen “Në fillim ishte fjala” (e cila krahas përdorimit pozitiv të fjalës nuk e anashkalon aspak përdorimin negativ të saj!), ne duhet të jemi të bindur se studimi i gjuhës së autorëve mendjendritur e shpirtqëruar, sikurse ishte edhe Dritëro Agolli, është në thelb një kusht që shoqëria jonë të bëhet më e mirë dhe ta zgjedhë më mirë rrugën e përparimit të vërtetë.
Aq më i dukshëm është ndikimi i teknikës letrare në krijimtarinë poetike të D. Agollit. Këtu mund të thuhet pa mëdyshje se mjeshtëria e vargëzimit dhe e vjershërimit e D. Agollit është në tërësi më e pasura dhe më e arrira – për ndikimin që ushtrojnë vargjet e tij – në gjithë letërsinë tonë. Në veprën poetike të D. Agollit ndeshim numrin më të madh të llojeve të vargut si gjatësi dhe si ndërthurje theksesh tonikë (theksesh të këndimit poetik), numrin më të madh të rimave dhe asonancave dhe të gërshetimit të tyre, numrin më të madh të mënyrës së organizmit të strofave, kompletin më të pasur të figurave letrare dhe të mënyrave figurative të të shprehurit.
E gjithë kjo mjeshtëri vargëzimi, e gjithë kjo pasuri vargjesh, strofash, ritmesh, rimash e figuracioni, nuk paraqiten asnjëherë si diçka për efekt të jashtëm, si poza mjeshtërie. Ato janë shkrirë në mënyrë të mrekullueshme me lëndën e mendimeve dhe përjetimeve, aq sa diku vëmendjen tonë e tërheq mënyra e të thënit dhe diku ajo që thuhet, gjithçka në një ndërkëmbim të harmonishëm, që të kujton mesazhet muzikore që përcjell herë njëra dorë dhe herë dora tjetër e një pianisti.
Në përgjithësi poetika e Dritëro Agollit, veçanërisht te poemat, është e tillë, që na jep mundësinë neve, lexuesve, edhe të rrokim pothuaj si në një varg filmik botën e parashtrimeve dhe mendimeve, edhe të shohim ngjyrat e kësaj bote, edhe të dëgjojmë tingujt e saj. Poetika e D. Agollit, domethënë ndërthurja e zhvillimit të historisë së popullit me përjetimet e thella të krijuesit, është e fuqishme dhe e madhërishme, sepse ajo ka vërtetësi. Përmes kësaj poetike e drejta historike merr dritë të bukur e forcë rrëmbenjëse, ndërsa padrejtësia historike bëhet e zymtë dhe e neveritshme. Në këtë mënyrë poetika e D. Agollit luan një rol të jashtëzakonshëm për kuptimin e vetë historisë sonë dhe për qytetërimin tonë përmes gjuhës së mendimit dhe gjuhës së artit, përmes gjuhës së veprimtarisë prodhuese dhe krijuese në të mirë të gjithë shoqërisë dhe të së ardhmes së saj, me fjalë të tjera, për kthimin tonë në qytetarë të denjë të atdheut.
Është fat i madh për lexuesit shqiptarë që mund të shijojnë një vepër me kaq horizont mendimesh dhe përjetimesh si vepra e Dritëro Agollit. Është fat i madh për kulturën tonë që, po të dojë, mund të marrë pareshtur nga vepra e D. Agollit mesazhe morale dhe estetike në përpjekje për ta përmirësuar e ngritur lart jetën tonë shoqërore, shpesh – dhe sot! – aq të rreme e aq të mjerë.
Përtej qejfmbetjeve të njerëzve të veçantë dhe grupeve shoqërore – përgjithësisht shumë të vogla në numër dhe të pambështetura në argumente serioze – nga Dritëro Agolli dhe nga veprimtaria e tij letraro-shoqërore, jeta e shoqërisë sonë nuk mund të mos vërtetojë në zhvillimin e saj, sot e në të ardhmen, se te Dritëro Agolli dhe vepra e tij ne kemi ide e mesazhe, të cilat, sikur të realizoheshin, do të na jepnin të drejtë të ndiheshim të lumtur.
Dhe me lumturi nuk mund të kuptohet bollëku. Të barazuarit e lumturisë me bollëkun dhe qejfin është mjerim mendor e shpirtëror. Me lumturi mund të kuptohet vetëm jeta e realizuar nëpërmjet punës së shëndetshme të një shoqërie të mbështetur në drejtësinë shoqërore dhe barazinë praktike të të gjithë anëtarëve të tij.
Dritëro Agolli është një ndër shenjtorët e kësaj lumturie.

*Publicist dhe përkthyes.
Tiranë, maj-gusht 2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.