MILOSAO

Injoranca e kinseve të kulturës… është te porta

10:46 - 08.01.18 Nga Ben ANDONI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sfida më e madhe kombëtare në kulturë tashmë nuk mbetet vetëm të botosh dhe të gjesh mundësish të ulësh koston e prodhimit të librit, por një detyrë gati urgjente është afrimi i njerëzve që e prekin librin. Në formën më të thjeshtë konsumatorët e librit. Çuditërisht, panairi i fundit dha një pamje tjetër të situatës së librit: njerëzit ishin të etur për të blerë. Botuesit raportuan fitime mes tyre dhe të gjithë dukeshin të kënaqur. U mbyll dhe problemi mbeti aty. Në fakt, sa po ndihmohet realisht procesi i librit në vend? Për hir të së vërtetës ka gjithnjë e më shumë aktivitete për të. Nga Ministria e Kulturës ka një aktivitet të përvitshëm, të titulluar : “Takohemi për një libër”. IDMC prej pak vitesh i është shtuar të gjithë këtij procesi duke i dhënë një fizionomi ndryshe. Kurse që nga viti 2000, “Poeteka” organizoi në mënyrë shumë interesante lexime dhe aktivitete për librin, të cilat i vazhdon tashmë me një logjikë tjetër, por sërish shumë aktivisht.
Të gjithë në ditët që përshtaten dhe i kushtohen librit mundohen të bëhen më të paqëm dhe të sugjerojnë tituj dhe lexime. Bashkohen autorë, përkthyes, funksionarë, shumë VIP-a që shoqëria jonë i prodhon me thasë, mëtues intelektualë dhe të gjithë kumtojnë që nga sipër. Autori dyshon në leximet e vetë tyre dhe preferencat reale pse të gjithë i fshehin. Ngaqë s’kanë guxim të tregojnë nivelin, por edhe pse duhet të rrinë me maskë të gjithë kohën. Kumtojnë vetëm me lloj-lloj pamjesh duke pulitur sytë: Duhet që të lexoni në këtë mënyrë! Nga auditorët i ndjekin të tjerë, zakonisht mbledhur me një lloj detyrimi, sepse aktivitetet në masë sot janë më shumë për qoka. Në këto aktivitete social-kulturore, pak njerëzit që vinë u duhet të ndajnë më shumë dukjen. Një takëm njerëzish, që e kanë kthyer në modë, nuk lënë moment pa u dukur dhe pa e përshfaqur kinse-kulturën. Për fat të keq, nga këta persona, që shpesh duhet të jenë edhe shpërndarës kulture kemi vetëm qoka. Qoka dhe qoka pafund. Kjo vjen që nga promovimet, reklamat free të librave dhe sidomos ndihmat me interes që i bëjnë njëri-tjetrit. E të dish sesa libra të mirë humbin në këtë tollovi, atëherë të kap trishtimi. E para ndodh nga botuesit, që e mbyllin qarkun vetëm me librat me të cilat fitojnë sakaq sapo i botojnë prej sponsorizimeve ose kontributit të vetë autorëve. E dyta prej një grushti të pakët njerëzish me influencë që e kanë targetuar kulturën shqiptare dhe që i bëjnë bllokadë çdo gjëje që s’është e tarafeve. E treta prej mungesës së një politike të drejtë për librin dhe konfuzionit të Ministrisë së Kulturës, që nuk e përball dot si duhet këtë mision.
Nga Ministria e Kulturës, njerëzit e librit presin një sërë ndihmash që fillojnë në lehtësimin e procesit, por edhe në uljen e frikshme të TVSH-së, piraterinë dhe mbi të gjitha inkurajimin e letrave shqipe jashtë vendit. Që të thuash se nuk ka punuar Ministria e Kulturës atëherë do të jesh zhgënjyes sepse realisht është punuar, por nëse kjo punë ka impakt atëherë kjo ka vërtetë nevojë për debat. Dhe debat të hapur. Ka vend për të diskutuar për ndihmën që u jepet disa librave që përkthehen, kur mund të ndihen shumë më tepër autorë shqiptarë dhe mbi të gjitha çmimet dhe kriteret për to. Kjo e fundit jo vetëm nuk respektohet por tashmë është kthyer në një makth për komunitetin e artistëve të librit që presin pak më shumë vlerësim.
Se nga mund të filloj shërimi i librit kjo mbetet për t’u parë dhe është e vështirë të thuhet. Në një vend që është në krizë në të gjitha fushat, libri është nga të fundit që përbën problem. Veç kësaj, problemet që ka bota sot me globalizimin dhe teknologjinë po japin prej kohësh efekt në vend. Shqipërisë i shtohet dhe një problem shumë më i madh nga të gjitha dhe që ka të bëjë me shkatërrimin e shkollës kombëtare dhe kurrikulës së saj. Mësuesit mbartin gjithnjë e më shumë dobësi të pafundme dhe frikën ekzistenciale të heqjes nga puna, fakt që i bën të jenë selektiv, kurse liberalizimi i teksteve dhe tarafet i ka bërë fëmijët të përballen me libra që nuk përmbajnë cilësinë e vërtetë. Fëmijët shqiptarë dalin të paditur për sa i përket leximit, sepse vetë leximi është një proces që duhet kultivuar dhe mësuar. Njësoj janë të paditur me disiplinat e tjera të artit dhe kjo po na bën gjithnjë e më shumë një shoqëri të kërcënuar prej injorancës dhe agresivitetit të kinseve që pas tymnajave të fjalëve patetike fshehin cilësinë e vërtetë. Ndaj librit sot afrohen gjithnjë e më pak veta sepse janë të velur nga klithmat dhe lëbyrjen e ndyrë që sjellin kinset, që kanë pushtuar Tv-të, rubrikat dhe shpallin e shpallin libra, që pas emisionit nuk i kujton askush. Armiku (lexo: injoranca që po prodhojnë kinset) është tek porta.





Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.