Intervista

Kryebashkiaku i Ulqinit: Tirana zyrtare e Prishtina s’e kane ngritur kurrë zërin për ne

10:00 - 08.01.18 Rezarta DELISULA
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Që prej vitit 2016 Nazif Cungu drejton Komunën e Ulqinit ku dominojnë shqiptarë e ky është mandati i dytë që ka fituar ai që nga viti 2011, ndërkaq që udhëheq edhe Forcën e Re Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës. Edhe pse shqiptarët përbëjnë 5 për qind të popullsisë në Malin e Zi, sipas kryetarit të Ulqinit, as Tirana zyrtare e as Prishtina nuk e kanë ngritur zërin për mungesën e përfaqësimit të shqiptarëve në administratën shtetërore. Këtë muaj Mali i Zi do të ketë zgjedhjet lokale, ndërsa Nazif Cungu na shpjegon në një intervistë dhënë për “Gazeta Shqiptare”, situatën ku ndodhen shqiptarët dhe projektet për të përmirësuar jetën e tyre.




Ju jeni kryetar i Bashkisë së Ulqinit që prej dy vjetësh dhe tani në janar 2018 kemi sërish zgjedhje lokale. Pse është krijuar kjo situatë?
Faktikisht në Mal të Zi ndryshe nga Shqipëria, kryetari i komunës zgjidhet nga Kuvendi (këshilli i komunës) komunal dhe qytetarët votojnë për këtë Kuvend. Para dy vitesh, unë jam zgjedhur kryetar nga ky Kuvend, i cili është votuar nga qytetarët në vitin 2014. Pra, bëhet fjalë për një mandat të plotë të pushtetit vendor në Ulqin dhe zgjedhjet po mbahen në kohën që u takon. Partia që unë drejtoj ka këmbëngulur me partnerët e koalicionit që zgjedhjet të mbahen të rregullta e jo të parakohshme për ta futur procesin politik të komunës sonë në normalitet. Në këtë mënyrë, gjithashtu kemi dëshmuar se nuk ka nevojë për zgjedhje të jashtëzakonshme, pasi banorët e komunës së Ulqinit janë të pjekur politikisht dhe se institucionet tona demokratike janë të konsoliduara.


Si një njeri që keni që prej viteve ’80 në administratën e Komunës së Ulqinit, mund të na bëni një prognozë të pozicionit të shqiptarëve në shtetin malazez?
Problemet e shqiptarëve në Mal të Zi janë të shumta, duke nisur nga përfaqësimi politik. Reformimi i sistemit zgjedhor, që është bërë pak vite më parë ka ulur në mënyrë dramatike përfaqësimin politik të shqiptarëve në Mal të Zi. Kështu, nëse më parë partitë shqiptare kishin 3-4 deputetë në parlament, tanimë kanë vetëm 1, edhe pse formalisht përbëjmë pothuaj 5% të popullsisë. Diskriminimi politik në të kaluarën dhe ekonomik në të tashmen ka bërë që të vazhdojë plaga e rëndë e emigracionit dhe të rinjtë në mungesë perspektivë të vijojnë largimin nga trojet e tyre drejt të afërmve që i kanë në diasporë, kryesisht në SHBA. Më të prekura janë Plava e Gucia, Kraja e Ana e Malit. Megjithatë, së fundmi ia kemi dalë t’ia ndryshojmë kahun situatës dhe falë pjesëmarrjes sonë në koalicionin qeverisës është ushtruar presioni i duhur për të përmbushur disa prej kërkesave kryesore të shqiptarëve të Malit të Zi. Kështu për shembull po merren masa për të gëzuar përdorimin e lirë të simboleve kombëtare dhe gjuhës shqipe, ndërkohë që ka pasur probleme në të kaluarën. Kjo u mundëson shqiptarëve që të jetojnë krenar me gjuhën, simbolet dhe traditat e veta në trojet e tyre që gjenden në Mal të Zi. Po ashtu, pas një përpjekjeje shumëvjeçare ia kemi dalë të përmbushim kërkesën e formimit të komunës së Tuzit në Malësi. Kemi bërë të mundur miratimin e Planit Hapësinor të Komunës së Ulqinit sipas kërkesave tona. Në kuadër të këtij plani kemi mbrojtur Ullishtën e Valdanosit dhe Kriporen, që kanë qenë të rrezikuara si dhe kemi marrë hapat e parë për të integruar bregdetin tonë me atë të Velipojës, duke parashikuar një pikë të re kufitare në Bunë. Po ashtu, për herë të parë pas dekadash kemi mundësuar investime infrastrukturore serioze në Komunën e Ulqinit. Të gjitha këto synojnë nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës për të ndalur kështu emigracionin masiv që kemi pasur.


Si ka qenë angazhimi juaj në këto dy vjet si kryetar, vështirësitë që keni hasur dhe ku jeni fokusuar?
Unë e kam marrë Komunën e Ulqinit në një situatë shumë të vështirë ekonomike, në prag të falimentimit të plotë të buxhetit. Madje, kjo është edhe arsyeja përse këshilli komunal në mes të mandatit të tij vendosi që të ndryshonte kryetarin e komunës. Si pasojë e abuzimeve, paaftësisë dhe keqqeverisjes së drejtuesve të mëhershëm, Komuna e Ulqinit ishte zhytur në borxhe të rënda me palë të treta dhe pjesa më e madhe e punëtorëve të ndërmarrjeve komunale nuk merrnin pagat prej një periudhe shumë të gjatë. Kuptohet, si rrjedhojë shërbimet komunale ishin shumë të këqija për mos të thënë inekzistente dhe mundësia për të bërë investimet që kërkon përgatitja për sezonin turistik ishte shumë e vogël. Prandaj, gjëja e parë që kam bërë kur kam ardhur në krye të komunës ka qenë eliminimi i abuzimeve, pra i atyre shpenzimeve të pajustifikuara apo korruptive. Po ashtu, ka qenë shkurtimi i shpenzimeve parazitare të reprezentacionit apo udhëtimeve zyrtare të komunës, të cilat i kemi përgjysmuar. Po ashtu, kemi kursyer për sa u përket shpenzimeve operative, konsumit të rrymës karburanteve e tjera. Përpos kësaj, jemi përpjekur që të konsolidojmë buxhetin edhe duke hartuar projekte dhe bërë lidhje serioze me donatorë për të marrë fonde të tjera të huaja dhe ia kemi dalë me sukses që të bëjmë investime domethënëse infrastrukturore me fonde nga jashtë. Për më tepër, përmirësimi i ndjeshëm i administrimit të qeverisjes me efikasitet dhe efiçencë nga ne, si dhe prania jonë në koalicionin qeverisës qendror e ka bërë më të lehtë kërkimin e më shumë fondeve nga Podgorica për Komunën e Ulqinit. Kështu, përveç rrugës Ulqin-Muriqan që po shkon drejt përfundimit, ne kemi bërë përgatitje për fillimin e investimeve në infrastrukturën bazë të kanalizimeve, furnizimit me rrymë e ujë, të cilat krijojnë një terren joshës për investime të mëdha të drejtpërdrejta të huaja. Të gjitha këto përpjekje kanë sjellë rezultatet e para, duke tërhequr investitorë seriozë në komunën tonë sikurse është rasti i kompanisë “Karisma”, e cila do të investojë dhjetëra milionë euro në rivierën e Ulqinit. Nuk është rastësi që OSCE para pak javësh e përzgjodhi komunën tonë si më të mirën në Mal të Zi për sa i përket tërheqjes së investitorëve.
Ju jeni në krye të partisë Forca e Re Demokratike, do angazhoheni sërish në zgjedhjet lokale?
Po patjetër që do të angazhohem, unë mendoj se puna vetëm sa ka filluar. Forca e Re Demokratike që unë drejtoj futet në këto zgjedhje krenare, sepse ka përmbushur një pjesë të mirë të programit të saj politik dhe të platformës elektorale me të cilën jemi future në zgjedhjet e kaluara. Pra, kemi një bilanc të qartë dhe shumë arritje, të cilat na e bëjnë më të lehtë që të shkojmë tek qytetarët për të kërkuar sërish besimin e tyre. Ne kemi punuar intensivisht, duke hartuar projekte e duke përmirësuar mjedisin biznesor për të afruar investitorë të mëdhenj dhe kemi vendosur kontakte të mira që duan ende punë për t’u materializuar. Pra, kurrsesi nuk duam të lëmë në mes atë që kemi nisur, që është rimëkëmbja ekonomike e Komunës së Ulqinit. Po ashtu, një pjesë e projekteve infrastrukturore që kemi hartuar e për të cilat kemi kërkuar fondet ende janë në procesin e tenderimit apo projektimit teknik dhe ne duam që t’i çojmë në fund, pasi vetëm partia jonë ka integritetin, përkushtimin dhe profesionalizmin e duhur për t’i realizuar ato.


Si është situata e partive politike në Malin e Zi, sepse ne shqiptarët kemi një shprehje që na ndjek nga pas dhe që është: Më lehtë merremi vesh me të tjerët se me njëri-tjetrin?
Keni të drejtë që e shtroni këtë pyetje, pasi përçarja na dobëson dhe bashkimi bën fuqinë. Forca e Re Demokratike, që është partia kryesore shqiptare në Mal të Zi, vazhdimisht bën thirrje për bashkim dhe për krijimin e një listë unike shqiptare. Në çdo rast, ne e kemi mbajtur hapur derën për bashkëpunim me partitë e tjera shqiptare rivale, sikurse ndodh edhe tani me qeverisjen e Ulqinit. Ne besojmë se ato që na bashkojnë janë shumë më të shumta dhe të rëndësishme se gjerat që na ndajnë, prandaj vazhdimisht bëjmë thirrje që të lihen mënjanë inatet, hatërmbetjet apo ndasitë tona të vogla për t’u bashkuar për një kauzë më të madhe, interesin kombëtar. Megjithatë, ka aktorë politikë për të cilët më shumë rëndësi ka egoja apo interesi i tyre i ngushtë personal dhe refuzojnë të bashkohen. Gjithashtu, nuk mund edhe ta përjashtoj faktin që ka faktorë të huaj, të cilëve u intereson përçarja e shqiptarëve të Malit të Zi dhe e realizojnë këtë gjë nëpërmjet bashkëpunëtorëve të tyre në partitë shqiptare.
Po politika shqiptare çfarë roli ka pasur te ju, apo është indiferente?
Ne kemi kërkuar e vazhdojmë të kërkojmë nga Republika e Shqipërisë dhe e Kosovës mbështetje për mbrojtjen e të drejtave të popullit shqiptar në Malin e Zi, duke synuar që t’i japë fund diskriminimit, asimilimit dhe emigracionit. Diskriminimi i vazhdueshëm politik që ka rëndur për dekada me radhë në kurriz të popullit tonë ka shkaktuar asimilimin ose braktisjen në një pjesë të mirë të trojeve tona dhe këto dy procese negative vazhdojnë ende sot. Për shembull, edhe pse kanë marrëdhënie të mira me Podgoricën, as Tirana e as Prishtina zyrtare nuk e kanë ngritur zërin ndonjëherë për mungesën e përfaqësimit të drejtë të kuadrove shqiptarë në administratën shtetërore. Ne sot jemi grupi etnik më keq i përfaqësuar në strukturat shtetërore me vetëm 1% punësim, ndërkohë që përbëjmë 5% të popullsisë. Përpos kësaj, ne kemi kërkuar ndihmë në përpjekjet tona për të për të përmirësuar gjendjen ekonomike në trojet tona, për shtuar investimet infrastrukturore dhe për të përmirësuar shërbimet publike. Një tjetër ndihmë e madhe që mund të na jepej nga Shqipëria mund të ishte mundësimi i bashkimit të faktorit shqiptar në Mal të Zi. Unë nuk e përjashtoj edhe që në përçarje politike të partive shqiptare të kenë dorë armiqtë tanë tradicionalë, duke iniciuar apo inkurajuar elementë të infiltruar përçarës brenda shqiptarëve dhe në këtë sfidë padyshim që na duhet ndihma e Shqipërisë.
Cilët janë miqtë tuaj në politikë? A keni takime me politikanë shqiptarë e çfarë ju sugjerojnë?
Ne bashkëpunojmë me të gjithë aktorët politikë në pushtet apo opozitë, pasi zgjedhja e tyre është çështje e brendshme e votuesve të Shqipërisë. Shpesh na sugjerojnë durim në kërkesat tona për hir të stabilitetit të Malit të Zi apo rajonit, apo klimës së mirëkuptimit, mirëpo frika ime është se ndërkohë që durojmë, emigrimi e asimilimi po vazhdon e këtu do ngelen gjithnjë e më pak shqiptarë. Prandaj jemi përpjekur që t’iu tregojmë se forcimi i faktorit shqiptar në Mal të Zi nuk shkon ndesh me interesat e Malit të Zi apo të integrimit evropian. Ne u themi se ky forcim u shërben jo vetëm interesave tona kombëtare, por edhe interesave të Malit të Zi, pasi ne jemi faktor konstruktiv për konsolidimin e këtij shteti dhe këtë gjë e kemi dëshmuar me votën tonë vendimtare në referendumin e pavarësisë në vitin 2006. Po ashtu, ne jemi konstruktivë për sa i përket edhe integrimit Euro-Atlantik, duke i mbështetur këto dy procese me këmbëngulje e pa kushte.


Po me politikanët malazezë si i keni marrëdhëniet?
Mali i Zi ka pasur për një kohë të gjatë një krizë të brendshme politike, që ka pasur madje edhe protesta të shumta dhe një tentativë të dështuar për grusht shteti. Forca e Re Demokratike e ka hapësirën shumë të kufizuar të manovrimit dhe bashkëpunimit, pasi qëndrimet e opozitës janë radikale e shkojnë ndesh me interesat tona kombëtare. Kështu, për sa i përket politikës së jashtme dhe orientimi gjeopolitik, opozita e Malit të Zi ka pasur qëndrime të qarta pro-ruse kundër anëtarësimit tonë në NATO, si dhe kundër Kosovës. Madje, personalitete dhe analistë të rëndësishëm nga brenda dhe jashtë Malit të Zi kanë folur edhe për ndërhyrje të Moskës dhe Beogradit në politikën e brendshme të Malit të Zi nëpërmjet instrumentalizimit të partive serbe, financimeve të fushatave kundër NATO-s dhe formave të tjera. Ne bashkëpunojmë me pjesën pro-evropiane të politikës malazeze, pra me koalicionin aktual qeverisës. Përveçse mbështesim agjendën e integrimit evropian, nëpërmjet koalicioni ne shtyjmë përpara axhendën tonë kombëtare për përmbushjen e të drejtave tona si pakicë etnike dhe deri tani jemi të kënaqur me këtë bashkëpunim, pasi një pjesë e kushteve që kemi vendosur kur bëmë koalicionin janë përmbushur. Po ashtu, për vitin e ardhshëm kemi përfshirë mbi 10 projekte për Komunën e Ulqinit në buxhetin e qeverisë, çka lë të kuptohet që ky bashkëpunim do të vazhdojmë më tutje.
Meqë jeni në fund të mandatit po ju pyesim për prioritetet që keni në politikë, ku do fokusoheni këtë vit të ri?
Ne si forcë politike do të vazhdojmë të fokusohemi tek mbrojtja e të drejtave tona kombëtare, tek mbrojtja gjuhës dhe e trashëgimisë sonë kulturore. Po ashtu, do të vazhdojmë me investimet infrastrukturore, që synojnë modernizimin e infrastrukturës dhe tërheqjen e investitorëve, që do të hapin vende të reja të punës. Në administrimin e komunës ne do të vazhdojmë të fokusohemi tek shkurtimi i shpenzimeve parazite dhe abuzimet dhe tek rritja e efiçencës dhe transparencës për sa i përket menaxhimit të buxhetit.

KUSH ESHTE NAZIF CUNGU

I lindur në Ulqin më 13.05.1958, ku dhe kreu shkollën fillore dhe gjimnazin.
Studimet e larta i kreu në fakultetin për Turizëm dhe Tregti të Jashtme në Dubrovnik.
Prej vitit 1983-1987 punoi në Komunën e Ulqinit si kryeshef për ekonomi, buxhet dhe financa.
Nga viti 1987 deri 1991 punoi si drejtor komercial në NTH “Riviera e Ulqinit”.
1991-1993 jetoi dhe punoi në Zvicër në hotelin “Alpenblick” dhe “Krone”.
Pas kthimit nga Zvicra më 1997 ishte drejtor marketingu në kompani private në Ulqin deri sa po atë vit hapi kompaninë e tij, ku janë punësuar mbi 100 vetë.

Prej vitit 2011 deri 2014 ishte kryetar i Komunës së Ulqinit.
Nga viti 2005, kryetar i Forcës së Re Demokratike dhe që prej vitit 2016 kryetar i Komunës së Ulqinit.

Zgjedhjet
“Në Mal të Zi ndryshe nga Shqipëria, kryetari i komunës zgjidhet nga Kuvendi (këshilli i komunës) komunal dhe qytetarët votojnë për këtë Kuvend. Para dy vitesh, unë jam zgjedhur kryetar nga ky Kuvend, i cili është votuar nga qytetarët në vitin 2014. Pra, bëhet fjalë për një mandat të plotë të pushtetit vendor në Ulqin dhe zgjedhjet po mbahen në kohën që u takon. Partia që unë drejtoj ka këmbëngulur me partnerët e koalicionit që zgjedhjet të mbahen të rregullta e jo të parakohshme për ta futur procesin politik të komunës sonë në normalitet”.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.