MILOSAO

Kryeheroi shqiptar, si e shikonin polakët në shekullin XVI?!

10:45 - 08.01.18 Nga Martin Bielski
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

.….Me këtë Mehmet pati të bëjë edhe Skënderbeu, i cili zhvilloi shumë luftëra në mbrojtje të lirisë së Shqipërisë. Mehmeti i kërkoi haraç kurse Skënderbeu nuk ia dha. Atëhere Mehmeti dërgoi në Epir një ushtri me 30 000 veta që i udhëhiqte komandant Hamzai (Amesi), ndërsa me persët bëri një besëlidhje për t’u marrë kryesisht me Skënderbeun. Kur ky mësoi për këtë dyndje të re të turqve, u ngjit në male dhe ndërtoi një qytet të ri, pikërisht në rrugën që përshkonte armiku, tamam në malin e Modrisë (Modrzysz), prej nga do të jepnin lajmin, me të shtëna topi se armiku po vjen. Skënderbeu i vendosi luftëtarët në vende të fshehta, në lugina e rrëzë maleve, me shpresë se do t’i pikaste turqit në kthesa e monopate të ngushta, në cilat detyrimisht do të zbrisnin nga kuajt e do të mbroheshin si këmbësorë. Këmbësorët e tij do të ishin vendosur sipër tyre e do ti qëllonin sikur të vrisnin zogj. Të tjerëve do t’u binin nga prapa e do të bënin kërdinë. Mehmeti shumë nga këta ushtarë i kishte blerë me para të madhe duke i çliruar nga pengu. Mehmeti pati humbje pa hesap dhe iku i shpartalluar. Pas Hamzait erdhi Debrea (Debreas), komandanti i dytë turk, me 30 000 ushtarë. Këtij nuk i pëlqente të lëvizte maleve, prandaj priste në fushë. Skënderbeu i ndau luftëtarët e tij në tri pjesë dhe u ndesh me ta. Beteja zgjati se luftonin forca të barabarta. Debrea i bëri shenjë me dorë Skënderbeut që të ndesheshin në dyluftim. Ai me kënaqësi e pranoi. Në dyluftim u vu re se shtizat i kishin të ndryshme. Skënderbeu kishte si gjithmonë shtizën e vetë me një pjesë metalike e më të rëndë, kurse tjetri e kishte ushtë tërësisht prej druri me majë hekuri. Lëshimi i shtizave ishte i rrufeshëm. Ajo e Skënderbeut e qëlloi armikun nën mburojë aq fort sa ai ra nga kali. Turqit e kapën për ta ngritur se kujtuan se ra i gjallë, por Debrea kishte vdekur dhe ata u hutuan e u përfshinë në një pështjellim të paparë. Tanët i mundën deri në fund dhe pak prej tyre arritën të ikin. Shqiptarët patën në këtë kohë shumë përfitime.
Skënderbeut, ky sukses në fillim të sundimit të Mehmetit, i dha mundësi e të drejtë t’i kërkonte mbretit të Puljes (Apulije) Alfons Ferdinandit, me të cilin kishte marrëdhënie të mira, ushtarë për të marrë Beratin, që ishte në duart e turqve. “Italjanët janë luftëtarë të mirë për të pushtuar kështjella” – i shkruante në letër Skënderbeu. Në përgjigje mbreti i Puljes i shkruante se “Italianët më mirë dinë të merren me gra se sa me kështjella”. Mbreti Alfons i dërgoi 3 000 ushtarë dhe pará e po të ishte nevoja mund të dërgonte dhe më shumë. Atëhere Skënderbeu rrethoi Beratin dhe filloi ta sulmonte fuqishëm.




Atëhere Skënderbeu rrethoi Beratin dhe filloi ta sulmonte fuqishëm. Të rrethuarit duke pasur shpresë se do t’u vinin ndihma e do t’i shpëtonin, kërkuan besëlidhje për një muaj. Në se ndihma nuk do të vinte gjatë kësaj kohe, atëherë do ta dorëzonin Beratin. Skënderbeu gaboi dhe u dha besën. Mehmeti sa e mori vesh këtë ujdi, nuk vonoi të dërgonte komandant Sebalin me ushtri të madhe për të shpëtuar të rrethuarit. Sebali iu shmang rojeve të Skënderbeut dhe u doli prapa shpine luftëtarëve të tij të vendosur poshtë kështjellës. Brenda në kështjellë hyri fshehtas një i dërguar i turqve, që i njoftoi se kishte ardhur një ushtri e madhe. Të rrethuarit morën zemër dhe sulmuan luftëtarët e Skënderbeut përballë ndërsa Sebali i godiste nga prapa. Atje mbetën të vrarë 5 000 luftëtarë nga më të mirët. Vetë Skënderbeu mezi u largua. I erdhi shumë keq për Muzakën (Musaciusa), i cili ishte toger në ushtrinë italiane. Nga dëshpërimi i madh kafshoi buzën e poshtme sa e gjakosi, se kështu e kishte zakon. Megjithatë, Skënderbeu prapë mblodhi forcat, i goditi turqit dhe vrau shumë nga ata. Me dorën e tij vrau në dyluftim Sanxhakbeun me emrin Barah (Barach). Beteja zhvillohej edhe natën. Sebali festoi triumfin e kësaj beteje, duke dërguar njoftim te Mehmeti dhe siç e kanë zakon kryen tmerre ndaj popullsisë së krishtere. Të vrarëve u rripnin lëkurën e kokës dhe pastaj kokat i rrokullisnin si gjyle. Moisiu, që i kishte shërbyer shumë Skënderbeut, ishte i dyshuar si shkaktari i kësaj disfate, sepse u hodh te turqit. Skënderbeu dërgoi pará në këmbim të robërve. Ata nuk i dorëzuan, përkundrazi i rropën të gjallë dhe lëkurën e veshën. Mehmeti më vonë dërgoi në Epir Moisiun, të cilit i dha pak ushtarë, me që njihte vendin dhe njerëzit si dhe i premtoi peshqeshe të mëdha në qoftë se e kapte Skënderbeun. Ai u mund dhe vetë mezi shpëtoi. Mehmeti dyshonte tek ai, veç kësaj atë e urrenin të gjithë. Moisiu duke venë re këtë shpërfillje, gjeti rastin e duhur dhe ia mbathi për në Epir. Duke i shpjeguar disa arsye i ra në gjunjë Skënderbeut me rripin të varur në qafë dhe iu lut që të tregonte për të mëshirë. Skënderbeu hodhi poshtë të përfolurat, tregoi mëshirë dhe e pranoi Moisiun. Turqit, pas kësaj ikje, i dhanë shpejt e shpejt peshqeshet e premtuara të ardhurit tjetër nga luftëtarët e Skënderbeut, nipit të tij, Hamzait (Amesê), i cili u shkëput nga lidhjet me principatën shqiptare dhe u hodh te turqit. Një pasha me ushtri të madhe u nis drejt Epirit, për të vënë në krye të principatës së Shqipërisë, Hamzanë. Hamzai ishte tashmë i turqizuar dhe të folurën e zakonet i kishte turke. Princat fqinjë, kur dëgjuan këto synime të këtij pashai në krye të kësaj ushtrie, i afruan ndihma Skënderbeut, pa ua kërkuar. Pashai u mund por vetë me vështirësi shpëtoi kokën, kurse Hamzai u kap i gjallë dhe u dërgua me burgim të përjetshëm në Pulje te mbreti Alfons. Në fushë të betejës mbetën 20 000, veç robërve e të plagosurve, të cilët ua dërgoi mbretërve të krishterë në të gjitha vendet ku ishin. Kështu shkruajnë gjerësisht Volaterani dhe Marini. Në këtë betejë vuri nderin e tij në vend edhe Moisiu, të cilit iu dha posti i kryeplakut të Dibrës së Poshtme.
Mehmeti, pas këtyre ngjarjeve i kërkoi Skënderbeut besëlidhje për dy vjet. Skënderbeu nuk desh t’ia jepte sepse e dinte që po përgatitej për të pushtuar Konstandinopojën. Por u detyrua ta bënte këtë paqe sepse Alfonsi i Puljes i kishte kërkuar ndihmë, madje i kishte dërguar edhe anijet për transport. Në këtë kohë, francezët, Picenaci e të tjerë, e kishin rrethuar e i kishin marrë shumë porte mbretit napolitan dhe ai nuk mund t’u përulesh atyre. Skënderbeu kapërceu detin me 5 000 kalorës me kuajt e tyre dhe vajti në Pulje. Atje tri herë radhazi, njëra pas tjetrës i mundi ushtritë armike të mbretërve, deri sa i detyroi të kërkonin besëlidhje. Mbreti i dha dhurata këto qytete të Puljes: Monte, Gargano, Benevento, Simponte, Bari, me të gjitha të ardhurat e tyre, përveç argjendit, arit, armatimit dhe pajisjeve të tjera ushtarake. Atij i dhanë shumë dhurata, secilit veçmas, po ashtu edhe princër të tjerë. Ky ishte mbreti Alfons, gjyshi i mbretëreshës sonë Boni, nga nëna.


***
Në këtë kohë të besëlidhjes me Skënderbeun, perandori turk Mehmeti, pushtoi shumë mbretëri në Azi, në Greqi, në Itali, mori dhe Konstandinopojën. Prej këtyre sukseseve u bë shumë krenar dhe mendoi që Skënderbeun ta kap ose ta ndjekë derisa të pranojë të bjerë nën urdhrat e tij. Nisi kundër tij komandant Sinen (Synê) me 20 000 ushtarë dhe pas tij Hasan beun (Assamabega) me 30 000 ushtarë që të kapnin Skënderbeun. Skënderbeu i ndihmuar nga miqtë mblodhi 8 000 luftëtarë dhe i doli në pritë Sines, në një vend të ngushtë, natën, në malet e Mokrës (Mokr¹). E mundi Sinen por ky mezi shpëtoi dhe iku. Zuri shumë robër dhe të gjithë i nxorri në shitje. Paret ua ndau luftëtarëve. Po kështu ia punoi dhe Hasan beut në malet e Ohrit (Okryda), të cilin e mbylli së bashku me ushtrinë natën, në ato male. Turqit nuk mund të dilnin nga asnjë anë se ishin të rrethuar nga male të lartë shkëmbore, kurse përballë kishin luftëtarët e Skënderbeut që i goditnin pa ndërprerje dhe i dëmtonin rëndë me të gjitha llojet e armëve. Hasan beu, megjithë që u përpoq e u rropat rripave e gërxheve nuk mundi të ikte. Një shigjetë e harkëtarëve shqiptarë e kishte plagosur keq në krahun e djathtë dhe i kishte rrjedhur shumë gjak. Kur nisi të agojë i thirri Skënderbeut : “O Skënderbe, ku je, më dëgjo pak. Kundër kujt shkon, kundër kujt mpreh shpatën tënde. E di dhe e kuptoj që ke të drejtë, prandaj dhe Zoti të jep mbarësi, por një gjë mbaj mend nga unë, se nuk është mirë gjithnjë të fitosh, prano të humbasësh edhe ndonjëherë. Më madhështi ndjen kur bën vepra mëshire se sa kur je fitimtar. Lavdia do të jetë tëndja, në qoftë se tregon për mua mëshirë dhe më lë të lirë me këta pak njerëz që më kanë mbetur se shumica e ushtrisë sime u shua. Pra jepu lutjeve të mia sot fitore”. Skënderbeu u kthye nga të tijtë dhe u tha: “Nuk ka gjë më therëse se disfata. Asgjë nuk është më e çmueshme se mendja. Sa kënaqësi ndjejmë kur na flasin me fjalë të mira e mirënjohje. Duke qenë gjithmonë fitimtarë, nuk e kemi ditur se mund të mundemi nga lutjet”.


Mori përkrahu Hasan beun dhe i tha: “Kënaqu, ti sot më munde” dhe urdhëroi luftëtarët e tij që ta strehonin në një tendë dhe t’ia mjekonin plagën sa më mirë.
Ushtria e tretë turke po vinte pas tyre dhe nuk dinte çfarë u kish ndodhur dy ushtrive të tyre pararendëse. Ajo udhëhiqej nga Jusuf beu (Lusembeg). Për Skënderbeun nuk ishte e papritur ardhja e kësaj ushtrie. Ai i preu rrugën me luftëtarët e tij dhe në marshim e sipër e mundi, ndërsa Jusuf beu me vështirësi shpëtoi. Pas tyre erdhi Karaz beu i Natolisë (Karazbeg natolski), që njihesh edhe si Pashai aziatik, një burrë i moshuar, që i kishte shërbyer edhe sulltan Muratit e kishte qenë shok me Skënderbeun. Duke dëgjuar se Skënderbeu ishte bërë i pathyeshëm atje në Shqipëri dhe ushtri të shumta të sulltanit kishin pësuar disfata tronditëse, ai vullnetarisht i kërkoi perandorit të shkonte në luftë në Epir e të hakmerresh kundër Skënderbeut për ato bëmat që u kish bërë ushtrive të perandorit. Perandori ia plotësoi dëshirën dhe i dha aq ushtarë sa desh. Skënderbeu, kur mori vesh lajmin se Karaz beu në krye të një ushtrie prej 50 000 veta ishte drejtuar kundër tij, u tha luftëtarëve që kishte pranë disa fjalë të goditura, siç dinte ai: “Unë më shumë i druhem viteve të tija se sa trimërisë dhe numrit të njerëzve, sepse përvoja është fuqi, të cilën të rinjtë nuk e kanë. Por deri sa nuk iu frikësova në vitet e rinisë, në pleqëri nuk do t’i trembem”. Këtë radhë mblodhi më shumë luftëtarë se herët e tjera, të cilët vinin me dëshirë se kishin besim te zotësia e tij si prijës ushtarak. Karaz beu mblodhi në Maqedoni rreth 4 000 ushtarë të cilët i nisi si pararojë për të vëzhguar e ndjekur Skënderbeun. Ky u doli përpara atje ku nuk e prisnin dhe i shpartalloi. Tani i gatshëm qëndronte në pritje për fillimin e betejës me Pashain aziatik. Karaz beu, në krye të një ushtrie të madhe, hyri në trojet shqiptare dhe u ndal në vendin e quajtur Lihnidas (Linad). Prej këtu i dërgoi lajm Skënderbeut se kërkonte të ndeshesh në dyluftim me të në mënyrë kalorsiake, në fushë të hapur dhe jo hajdutçe pas skutave. I kërkoi gjithashtu të mos përdorte dredhitë, të mos i bënte prita dhe të mos e sulmonte në prapavijë. Skënderbeu iu përgjigj se do të ishte më mirë të shtrihej në spital, si i sëmurë, nën kujdesin e grave, se sa të qëndronte në ushtri. U përgatit Skënderbeu të ndeshesh me të, por moti qëlloi me shi të rrëmbyer. Ra tri ditë e tri net rresht shi pa ndërprerje. Gjithandej ushtria turke ishte në ujë. Ditën ngjiteshin në mal kurse natën zbrisnin në kampin e zhytur në ujë. Pas ditës së tretë, të ligështuar dhe të rraskapitur morën rrugën nga erdhën dhe u larguan nga trojet shqiptare.


***
Mehmeti, kur e pa se me forca ushtarake dhe me luftë nuk po e mundte dot Skënderbeun, mendoi të përdorte një rrugë tjetër të djallëzuar, me hile e dredhi, për ta mposhtur. Dërgoi tek ai përfaqësuesit e tij me peshqeshe të kushtueshme, duke i kujtuar se në vitet e rinisë ishin shokë dhe nën kujdesin e babë Muratit, u rritën e u edukuan bashkë. Ai i shkroi Skënderbeut – “Prandaj edhe tani miqësinë time mos e refuzo. Ti nuk do të kesh asnjë dëm, në qoftë se lejon që njerëzit e mi të kalojnë nëpër Shqipëri për të shkuar në Venedik, që tregtarët tanë të udhëtojnë lirshëm me mallra, si tanët tek ty dhe tuajt në shtetin tim. Për miqësi të sigurt, të më japësh Gjonin (Jan) djalin tënd në kujdestari dhe stërvitje, që të mësohet tek ne ashtu si u mësove ti. Ti vetë, të vish tek ne kur të duash, vetëm me një letër bese nga ana jonë. Shpata ime do të kthehet gjithmonë kundër çdo armiku tënd. Nga Konstandinopoja 1461 pas lindjes së Krishtit”. Përgjigja ishte me këto fjalë. “Gjergj Skënderbeu Kastrioti (Jerzyk Skanderbeg Kastriotus) kalorës i Krishtit, princ shqiptar. Mehmetit, perandorit të Turqisë. S. D. (Salutem dici – Dërgoj përshëndetje). Në letrën që më shkruaje Mehmet, më kujtoje shoqërinë tonë të viteve të rinisë, të cilën në qoftë se e përtërijmë do të jetë e qëndrueshme dhe e ndryshme. Përsa i përket lejes që kërkon, me anë të së cilës do të kalosh përmes vendit tim dhe të shkosh në shtetin e Venedikut nuk mund të ta jap sepse me ata kam miqësi të lidhur me përbetim. Ndërsa për tregtinë ndërmjet vendeve tona jam gati ta nisim. Lidhur me djalin tim Gjon, birin e vetëm që kemi, të cilin dashuria atërore e mbron, sidomos në vitet e vegjëlisë, është e pamundur ta shkëpus nga gjiri i familjes e ta jap në duar të huaja e pastaj ta kërkoj që të kthehet përsëri shëndosh e mirë. Nga ana tjetër, kjo do të kërkonte dhe një vendim nga familja fisnike, të cilët nuk janë mësuar të jetojnë në qetësi, me shtëpi të boshatisur e vetëm me gra dhe nuk duan që nga paqja të bien në plogështi. Shkruar në tendat në Epir”. Mehmeti, pasi lexoi letrën shkroi përgjigjen, që ia dërgoi përsëri me Mustafanë. Kjo ishte një letër për besëlidhje. Skënderbeu ia tregoi Këshillit, për t’i marrë mendimin në se pranonin. I lejoi të gjithë të hynin në dhomë, sepse ishin njerëz të munduar, që e kishin ndihmuar në luftëra e beteja të vazhdueshme. Vendosën paqen midis tyre, por kjo nuk zgjati shumë se turqit kishin bërë shumë dëme në disa prona në kufi dhe në këtë mënyrë kishin thyer besëlidhjen me Skënderbeun. Kur ia thanë Mehmetit, si ankesë të Skënderbeut, urdhëroi menjëherë që gjithçka e rrëmbyer t’u kthehesh pronarëve si dhe dëmet e bëra të paguheshin. Në të vërtet as gjysma e tyre nuk u shpërblye. Turqit me forca të mëdha lëvizën drejt Peloponezit, në qytetet venedikase në Greqi. Venedikut i morën shumë qytete dhe i shkaktuan dëme të mëdha. Për këtë arsye, deputeti i Venedikut Gabriel Trinizani, me një përfaqësi shkoi tek Skënderbeu. Venediku i lutej që me turqit të prishte besëlidhjen, meqenë se ata të parët e shkelën atë dhe i premtonte njëkohësisht se do të ishin me të në çdo rast nevoje, pa kursyer shpenzimet dhe njerëzit , deri në orën e fundit. Skënderbeu mblodhi Këshillin dhe u konsultua me ta. Ata dhanë mendimin që ta mbante fjalën edhe me paganët (myslimanët osmanë A.T.) edhe me të krishterët. Atëhere deputeti venedikas, shkoi te Pal Engjëlli (Angelus Pawe³) arqipeshkvi i Durrësit (Dyrachium), i cili ishte i respektuar dhe farefis me Skënderbeun. Venedikasit iu lutën që të bind Skënderbeun të ngrejë armët kundër Tiranit Mehmet. Arqipeshkvi shkoi te Skënderbeu me këtë dërgatë venedikase dhe i tha këto fjalë:
“Mbretërinë e bekuar, Zoti ia jep njeriut të mirë – thotë Platoni (Plato). Skënderbe, këtë mund ta themi dhe për principatën shqiptare, mbi të cilën Zoti ty të ka vënë, që atë me vepra të mira ta mbash. Tani është e ditur Skënderbe se këtë besëlidhje Mehmeti nga ty e peshkoi me dinakëri pagane, sepse ndryshe nuk mund ta huante. Ai, pasi të pushtojë fqinjët e tu, do të hidhet tek ty dhe do ta ketë të lehtë të të futë në rrjetën e vetë. Nuk do ta ketë të vështirë të gjejë shkak për ta shkelur besëlidhjen, siç bën zakonisht. Kujto çfarë u ka bërë të tjerëve, çfarë bëri me Rashën, me Despotin, me ilirët, me bullgarët, me trapezuntët apo me Konstandinopojën. Nuk i mori me forcë, por me dinakëri. Të njëjtën gjë bëri dhe me ty Tirani jo shumë kohë më parë. U beson ende premtimeve të tija dinake. Fjalëve të tija hileqare t’u zësh besë. Kujt ia mbajti fjalën. Kush dinakërinë e këtij Tirani e ka kuptuar ndonjëherë. Ligësitë e këtij Tirani nuk është mirë të fshihen, se kështu do të ruhen nga ato dhe të tjerët. Siç duhet të krenohemi me virtytin, ashtu duhet të dënojmë ligësinë. Atëhere me të drejtë, tiranëve e të ligjve, që kanë edhe Zotin kundër, nuk do t’u zërë besë njeri në fjalë dhe në vepra. Kush vepron ndryshe, do të thotë se miraton veprimet e tyre. Populli Otoman, a e di si e nga u formua, nga maskarenjtë e poshtër e banditë, prandaj i dëbuan nga tokat e tyre. Në Azi, tradhtisht shtinë në dorë shtetet e të tjerëve, pa miratimin e të zotëve. Më vonë edhe brezat pas ardhës ecën në gjurmët e të parëve, si Murati, i cili siç dihet mbretërinë e një tjetri mori me tradhti. Vëllezërit e t’u i helmoi dhe pastaj erdhi ky Mehmeti, më mizori nga të gjithë. Vëllain e tij e mbyti, mbretin boshnjak e vrau, të tjerët i mbylli në burg, ca i verboi dhe Konstandinopojën, duke qenë në besëlidhje, e pushtoi. Nuk ua them dot të gjitha se koha nuk do të më mjaftonte, çfarë tiranët u kanë bërë njerëzve paqësor në botë. Edhe ti i di. Prandaj mos i beso tash e tutje atij Tirani dhe qëndro larg miqësisë dhe besëlidhjes me të, sepse disa herë i ka shkelur. Gjithmonë ji i kujdesshëm dhe mos i beso se ai vetëm mendon se si me dinakëri të të hedhë rrjetën, siç ia hedhin tigrit për ta kapur. Ai do të çrrënjos nga faqja e dheut të krishterët, për këtë ti I je kundërvënë gjithmonë sepse Zoti të nxorri në krye, siç e ke thënë vet jo njëherë. A e di se gjithë të krishterët i janë kundërvënë, madje dhe vet ipeshkëvi më i lartë Enea Silvio (Eneasz Silvius) po marshon në fushatën kundër atij Tirani që me ndihmën e Zotit, ta dëbojnë nga Greqia dhe nga gjithë Evropa. Ai ka nxjerrë këtë vendim që kush bashkohet në këtë fushatë , do të jetë i falur nga mëkatet. Mos u lëkund, mos nguro në asgjë. Papa, venedikasit e t’u do të marshojnë bashkë me ty, ujit e tokës, po ashtu francezët, spanjollët, polakët, çekët, italianët, gjermanët, hungarezët dhe gjithë të krishterët. Kur Papa do të vijë së pari në Durrës (Durachium), ty do të bekojë në krye të mbretërisë shqiptare dhe do të emërojë prijës në fushatën kundër Tiranit Mehmet. Pra zgjoi fuqitë e tua fizike e mendore, mblidhi princat e luftëtarët e tu nga të gjitha anët e marsho në këtë fushatë së bashku me të gjithë të krishterët. Për këtë arsye , venedikasit dhe papa Silvio më dërguan tek ty që të bashkosh luftëtarët e tu me të tyre. Venedikasit për këtë fushatë do të plotësojnë të gjitha kërkesat. Vetëm ar, argjend dhe armatime ata kurrë nuk japin. Kur Tirani do të dëgjojë për këtë bashkim do të marrë arratinë për në Azi. Dhe ne atëhere do të themi se ia vlejti kjo punë. Por dije, ai me siguri do të dërgojë përfaqësues të tjerë që të të kandisë, duke të premtuar shumë gjëra që ta mbash besëlidhjen me të. Largo mendjen nga ligësitë e tij të lindura, mbylli veshët para gënjeshtrave të tij, pra të jesh i vetëdijshëm për degjenerimin e tij”.
Skënderbeu, pas kësaj bisede, mblodhi princat fqinjë dhe Këshillin e tij, për të vendosur si të veprojnë. Pasi u mblodhën të gjithë , njëzëri ranë dakord që të bashkohen me të krishterët e tjerë kundër turqve, aq më tepër kur printe arqipeshkvi më i lartë (Papa), i cili kishte ardhur në Ankonë (ë Ankonie) me një numër të madh të krishterësh.
*Përktheu nga origjinali
Arqile TETA

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.