MILOSAO

Poezia/ Klithma e fluturës alter-ego

10:53 - 08.01.18 Nga Sokrat PASKALI
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

1.
i mjeri unë për mjerimin tim
në trup lemzë në shpirt sqimë
të gjitha të gjitha të gjitha
mi mbyti një klithmë
flutur flutur flutur
e bukur e qiellit o shpirt pse klith
gjunjët pse mi mpin mishin pse ma ngjeth
buzën pse ma nxin syrin pse ma tremb
eci i kërrusur nga pesha e emrit
kristale në buzë kukuza e helmit vaksinë
flutur e bukur e qiellit o shpirt pse klith
në abise ç’pe
mos ca të uritur ca babëzitur pse
gojë e dhëmbë mbërthyer pleksur kacafytur
sa porta pa hapur pa shkelur sa vise
në mendje palimpsest protezat
atavizmë tabutë hakërrim nënkresa
i mjeri unë për mjerimin tim nga ëndrra në zgjim
flutura s’më flatron më klith
s’jam manekin
s’jam manekin
s’jam manekin
sikur manekinin kish sjellë tek unë
zhgjëndrra
mos ki frikë o shpirt
ti s’je zhurmë e manekinit
as vetëm një emër konvencion sakral
ti je rend i qiejve
paragon paskal
asnjë poet se ka në dorë fatin e vet
ka diçka prej puple fati i tij
diçka prej pende diçka prej damari
diçka prej lazari
më ler të të dua fati im
me pushin pur dhe fin më ndih
ëngjëjve kerubinë – sizifë
bëm’ju gur mbi shpinë
qiej të braktisur zbuteni mërinë
ju lutet një flutur
një klithmë




2.
i mjeri unë për mjerimin tim
në trup lemzë në shpirt sqimë
të gjitha-të gjitha ç’mi mbyti kjo klithmë
flutur e vogël e bukur e qiellit o shpirt pse po klith
në nebulozë ç’pe ç’luminozë
mistiken e vjetër tretur mos
artin që po ndodh pse
ration e trembur në apori ngecur
vrimat e zeza i kemi edhe në sy simbiozë
yjet që shkëlqejnë janë kaq të rremë pompozë
i padukshmi yll pikon pikë-pikë pikëllimin e pistë
në abis
në qiej s’ka varre ka shkallare
që ngjiten me dhëmbë e me thonj
atëherë entelekia loz
pastaj oh ç’ndodh pastaj
boshi që le pas zbrazëtia
më vë poshtë më mposht
flutur e vogël o shpirt ç’po të tremb
mos vallë korbi i Poe-së
nevermor-i s’ish krrokamë e tij fjalë e paladës ish
perënditë e vjetra s’kanë vdekur
ato prapë na zgjedhin
na lindin e na vdesin
flutur krahëpush mos të lëndoi tigri i blek-ut
kthetrat apo sytë
të hutoi demi i guernikës dronet dhe bomba atomike
mos ki frikë o shpirt
s’ka vegël njeriu që matet
me klithmën e tij

3.
i mjeri unë për mjerimin tim
të gjitha ç’mi mbyti kjo klithmë
shpirti buzagaz zbrazëtinë plas
perëndeshë me shenjë nëna ime e vjetër perëndi
në tënden tekë më linde poet pse
poetët nga republika u përzunë
ende këmbëzbathur në shkretin pa vesk
shohin oh ç’shëmti
mbi zhur e nën zheg
gojëshkumë drithma nëpër dhëmbë klithma
flutura e trembur matrioshkë me shemrën
eci i kërrusur nga pesha e emrit
kristale në buzë kukuza e helmit ç’vaksinë
o burrë i dheut me kë u zhgënjeve
mos me pitian që fliste mbi pirosti me erën
mos pse s’njihte ylbin e pse-ut e mjera juri e plebe-ut
era vjel urtësi
siç dinosaurin sheh gjurma e tij
atëherë tani e në jetë të jetëve
poezia s’bëhet me shkronja
as me mjeshtëri
poezia klithma në anteleki
vogëlushe qiellore erëra të balonës ëndërr
ju dua sa s’thuhet me fjalë
o porta të zanafillës jeni të përrallës
vogëlushë të shelbët
mos kërkoni të bëheni mbretër
shpalosjani gjoksin qiejve
sisën e nënës kafshoni ti kullojë silikoni
lart shihni mëndeshën
më lart akoma te yjet e padukshëm rrjedh
likuidi i ri elisir safi
kordonët e prerë të gjenive nobël
kërthiza e botës i le në breg lëkurë gjarpërinjsh
është kohë dinosaurësh
të pangopur me mish lirish
fantazma klikojnë në fejsbuk e tuitër
ëngjëj me bisht

4.
i mjeri unë për mjerimin tim
trupi lemzë shpirti sqimë
të gjitha të gjitha të gjitha
ç’mi mbyti një klithmë
eci i kërrusur nga pesha e emrit
kristale në buzë kukuza e helmit vaksinë
e bukura e qiellit o flutur pse po më klith
shkallareve të qiellit lart më ngre
dhe shakull më përplas përdhe
jam kaq i rëndomtë e di
e dashura ime grua që shpirtin ma mbush
me push dhe me prush
dua të ta them troç jam i shkretë një hiç
dhe aspak i denjë për ty
bir i menduar të qëllova poet
kaq i brishtë e i mjerë
sa s’të sheh dot në sy
de(liri) de(gjenerimi) de(kadenca)
festojnë fitoren e fëlliqur
ëngjëjt janë të vegjël si kerubini
arsyen shtetërore mashtrimi e kalbi
shtetin e arsyeshëm e kallpi
manekini
poet-ushtarit nga qiejt i bie breshka në kokë
si eskilit
dhe mbi varr i shkruhet epitaf qesharak
poeti mbret perandor zjarrin i ve qytetit
klithni flutura të qiejve dhe tokën kthejeni përmbys
mos i pranoni plehrat
shporrini
lumi i heraklitit sjell oh ç’llum
llum brezash
llum gënjeshtrash
jeta tjetra
shemra
poezia s’është flaka e qiriut janë shkëndijat
poeti s’është zjarri është gacat e tij
me to nuk qëndiset klithet
ajo që s’bëhet hi
mos harroni
këtej lindin shpirtra të mëdhenj
nëntokë
në biblioteka
në muze
gërmoni
të lexuarit për korifejtë
ata që me mëkate gatuar
kanë pjesë të së shenjtës
atëherë tani e në jetë të jetëve
klithni flutura të abiseve
në viset e pashkelura të shpirtit tim
klithni flutura të ëndrrave
poezinë
le të ngrejë republika kate mbi rërë si kupidë
në pasqyra të lagura kukullat le të këlthasin
e bukura nuk e shpëton botën me operacione plastikë
globi im
s’je i ndarë me shtete
as me gjini
ke vetëm shpirtra dhe pashpirtësi
kufijtë gozhdë të ngulura në kryq dhembin
gjinitë valë gravitacionale në thyesë çmendin
tranden dhe përplasen qiejt nga klithmat
ato s’bërtasin s’këlthasin s’hungërijnë
pylli po ai i vjetri dhe i egri
kënga për lavdinë e marrëzisë
kush kujtoi se jemi majmunë të zbutur
kot ja ka futur
Himarë, 19.08.2017


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Nje poezi e shkelqyyer,e re,e vjeter,e perjetshme
    Qe me ben te ngjethem sa here qe e lexoj ,me ben te ndjehem flutur e me grushtin e klithmes pasqyren e vjeter te coptoj,ta thyej me urrejtje
    Ta zhduk nga faqa e dheut ate,qe turbull me tregon te verteten,e te hedh syte ne pasqyren e
    paster te se shkuares,te sotmes ,qe jane ata,ju njerezit e didur e ardhmja e vendit.

    Përgjigju ↓