OPINION

Groko-gjermane përballë urgjencave evropiane

07:20 - 09.01.18 Jorgji Kote
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

GROKO është termi që po ndeshet më shpesh ditët e fundit në Gjermani. Ai është shkurtimi i «Grosse Koalition» në shqip «Koalicioni i Madh» për të cilin po negociohet intensivisht këtë javë ndërmjet CDU/CSU të Angela Merkel/Seehofer dhe SPD-së të Martin Schulz. Ky term u bë më i zakonshmi në ligjërimin politik dhe mediatik gjerman pas largimit mbi një muaj më parë të Partisë Liberale (FDP) nga tryeza e bisedimeve për krijimin e koalicionit të ri qeveritar të ashtuquajtur «Xhamaika» që simbolizonte ngjyrat e katër partive të saj përkatëse.




Në shkrimin tonë të datës 22 nëntor «Tërmet politik dhe për Evropën» nënvizohej se pas dështimit të lartpërmendur, për krijimin e një qeverie të qëndrueshme pas zgjedhjeve parlamentare federale të datës 24 shtator 2017 në Gjermani mbeteshin tri alternativa, njëra më e vështirë se tjetra. E para, krijimi i një qeverie të pakicës të kryesuar nga Merkel nuk është fare praktik dhe efikas për një vend të madh Gjermania, me një kompleksitet reformash dhe axhendash që i kapërcejnë kufijtë e këtij vendi. Ai do të ishte vetëvrasje politike për vetë Kancelaren Merkel, e cila do ta kishte të pamundur që për çdo ligj të rëndësishëm, dhe të tillë janë shumë, të siguronte konsensusin e nevojshëm të shumicës parlamentare, duke qenë përherë nën rrezikun e rrëzimit të saj.

Kësisoj, në një kohë kur SPD-ja kishte deklaruar nxitimthi menjëherë  pas disfatës së saj në zgjedhjet e lartpërmendura se do të kalonte pa kthim në opozitë, politikës gjermane i mbetej alternativa e zgjedhjeve të reja të parakohshme. Këto zgjedhje, që do të ishin të parat gjatë 70 viteve të fundit në Gjermani do të tregonin dukshëm mungesën e stabilitetit politik dhe institucional në vendin më të madh dhe me të përparuar evropian. Veç cenimit të imazhit, ato do të ishin me plot të panjohura dhe surpriza të pakëndshme dhe për fatin politik të Merkel dhe Schulz. Kurrkush nuk jepte dot garanci se zgjedhjet e reja do të sillnin ndonjë ndryshim te formacionet kryesore politike.

Për pasojë, pas përfundimit të tyre mund të përsëritej e njëjta situatë e dhimbshme dhe më e vështirë për t’u zgjidhur. Sepse sipas ligjit gjerman, zgjedhjet e parakohshme do të zhvilloheshin diku nga mesi i muajit mars 2018. Do të rifillonte sërish procesi i lodhshëm dhe i gjatë i fushatës dhe pastaj i bisedimeve për krijimin e qeverisë së re; nëse gjithçka do të ecte pozitivisht e pa pengesa, ajo do të mund të krijohej diku në prag të verës së ardhshme; për rrjedhojë, deri atëherë Gjermania do të vazhdonte të drejtohej nga një qeveri kujdestare me Merkel tejet të dobësuar, tashmë vetëm e ngarkuar si Kancelare, në pamundësi për të bërë asnjë hap përpara në drejtim të reformave deri në vjeshtën e vitit 2018. Në një kohë kur axhenda e brendshme gjermane është plot me çështje që kërkojnë urgjentisht zgjidhje efikase.

Por, siç theksojnë pothuajse të gjithë ekspertët dhe analistët politikë, pasojat më të rënda të kësaj, vonesë e madhe do t’i shkaktoheshin axhendës me plot urgjenca ndërkombëtare e sidomos atë evropiane të Gjermanisë. Kjo pasi 2018 është viti i fundit kur BE duhet të miratojë vizionet dhe reformat e saj, të brendshme dhe të jashtme, përfshirë dhe zgjerimin e mëtejshëm drejt Ballkanit Perëndimor. Themi kështu sepse gjatë vitit 2019, institucionet e BE-së dhe të 27 vendet anëtare do të jenë tërësisht të angazhuara me zgjedhjet e reja për Parlamentin Evropian dhe rindërtimin e të gjitha strukturave përkatëse; ky proces do të përfundojë në fund të vitit 2019 ose fillimin e vitit 2020. Mirëpo BE nuk mund të shkojë në këto zgjedhje me «duar bosh», d.m.th. pa pasur të «kopsitura» propozimet madhore që janë hedhur për diskutim për të ardhmen e BE-së.

Presidenti i Komisionit Evropian Juncker ka shpalosur disa pak muaj më parë planin e reformimit të BE-së; po kështu, Presidenti francez Macron ka bërë propozimet e tij intriguese në këtë fushë, duke mbetur në pritje të krijimit të qeverisë së re gjermane.

Po aq e ngarkuar është dhe dosja e BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke përfshirë dhe çeljen e negociatave me vendin tonë. Veç të tjerash, në maj 2018 do të zhvillohet në Sofje Samiti i posaçëm i BE-së, kushtuar rajonit tonë, ndërsa në qershor, Këshilli Evropian do të miratojë vendimet e tij dhe në përgjithësi strategjinë e re të BE-së mbi Ballkanin Perëndimor që do të jetë gati në mars të vitit të ardhshëm.

Në një plan më të gjerë ndërkombëtar, prej BE-së dhe, në radhë të parë, Gjermanisë pritet me urgjencë një dinamikë e re lidhur me qëndrimet ndaj diktatorit të Koresë së Veriut dhe kërcënimeve të tij bërthamore; po kështu lidhur me takimet e formatit të Normandisë për trajtimin e krizës në Ukrainë që është ndërprerë prej mbi një viti për shkak të zgjedhjeve në Gjermani; më urgjente bëhet situata në Lindjen e Mesme, sidomos pas vendimit të Presidentit Trump që njeh Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit ; shqetësime të mëdha janë krijuar dhe presin zgjidhje lidhur me ndryshimet klimatike, krizën e azilit, terrorizmit ndërkombëtar, etj.

Sfida të tjera madhore për BE-në dhe Gjermaninë janë synimi i shpallur i Kinës për t’u bërë fuqia me e madhe politike, ekonomike dhe ushtarake e botës, prirjet e reja të politikës së jashtme ruse, turke, etj.

Mirëpo, këto qëndrime dhe vendimet përkatëse nuk mund të merren pa fjalën dhe votën vendimtare të Gjermanisë si vendi më i madh i BE-së në bashkëpunim me Francën dhe partnerë të tjerë të mëdhenj, të cilët janë ende në pritje të krijimit të qeverisë funksionale gjermane.

Nisur nga sa sipër, alternativa e vetme dhe urgjente rezultoi krijimi i koalicionit të madh ose më mirë të themi vazhdimi i tij, sepse gjatë periudhës 2013 – 2017 të dy këto parti janë në një aleancë të tillë. Këtë e pohoi publikisht pak kohë më parë vetë Merkel kur u shpreh se «bota pret krijimin e GROKO».

Nga pikëpamja politike dhe ligjore nuk ka asnjë problem. SPD-ja doli partia e dytë më e madhe në zgjedhjet e 24 shtatorit me 20 për qind të votave. Kësisoj, ligjërisht asaj i takon e drejta të hyjë në bisedime me CDU/CDU që ka dalë e para. Të dyja këto parti kanë shumicën absolute në Bundestag.

Më tej, të dy këto parti kanë qeverisur në përgjithësi me sukses vendin gjatë 70 viteve të fundit me aleatët e tyre më të vegjël; nuk kanë munguar dhe defektet e dështimet e tyre, sidomos gjatë 2 – 3 viteve të fundit, për çka elektorati i ka gjykuar duke «gërryer» pjesën e tyre. Kësisoj, mesazhi zgjedhor për to ka qenë që të vijojnë punën, në mënyrë që të meritojnë besimin e tyre, edhe pse të lëkundur.

Të dy këto parti i kanë dhënë vendit reputacionin dhe liderë të kalibrit botëror, si Adenauer, Kohl, Brandt dhe Schmidt. Mbi të gjitha ato kanë përvojë dhe në bashkëpunimin e tyre, sepse kanë qeverisur së bashku edhe gjatë periudhës 2005 – 2009 dhe 2013-2017.

Së bashku ato do ta kenë shumë më të lehtë të përballojnë një opozitë të zgjeruar krahas liberalëve, me të majtët komunistë dhe një AfD tejet agresive.

Padyshim që GROKO pritet me shumë interes dhe në vendet e rajonit dhe në Shqipëri; sepse si konservatorët dhe social- demokratët gjermanë dhe liderët e tyre Merkel dhe Schulz janë treguar mbështetës të fuqishëm të lëvizjeve tona integruese, Procesit të Berlinit dhe statusit kandidat në BE.

Në këto kushte, pas thirrjes së Presidentit të vendit, Walter Steienmeir, Merkel dhe Schulz me 15 grupe të përbashkëta pune filluan më 7 janar bisedime intensive mbi problematikën e qeverisjes, konsensusin për temat e diskutueshme dhe përbërjen e kabinetit të ri qeveritar.

Gjithsesi Groko nuk është ende i sigurt për shkak të dozave mosbesuese në radhët e të dy partive e sidomos të SPD-së; kjo e fundit do të jetë e detyruar të qëndrojë për të tretën herë brenda 12 viteve të fundit si partnerrja e vogël e Kancelares Merkel. Ndaj, Groko pritet të jetë shumë më tepër se një «remake» i koalicionit të tanishëm, dhe ca më pak «koalicion kooperues» ose KOKO, siç pati zëra brenda SPD-së, që nuk do të ishte «as mish dhe as peshk».

Për pasojë, vazhdimi i këtij koalicioni do të jetë më i vështirë për Merkel. Kësaj radhe, SPD nuk do të hyjë thjesht për të qeverisur, por duke e parë këtë koalicion si «trampolinë» që në zgjedhjet e ardhshme të vijnë në pushtet si aleati më i madh. Kësisoj, SPD do të kërkojë të përsërisë legjendarin Brandt që në vitin 1966 e detyroi të futet në koalicion të djathtën e Adenauer, për të fituar bindshëm 3 vjet më vonë më 1969. Edhe pse kjo duket e vështirë sot kur SPD-së i mungon një lider i atij formati dhe karizme të tillë.

Qeveria e re pritet të krijohet shumë shpejt diku në fund të muajit janar, nëse gjithçka ecën sipas parashikimeve, duke kapërcyer edhe skepticizmin në bazën e të dy këtyre partive, që gjithsesi është në rënie përballë domosdoshmërisë politike gjermane dhe urgjencave jetike evropiane të përmendura më lart.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.