OPINION

Leo, Eriglisa dhe kryeministri baba(gjysh)xhan

07:30 - 10.01.18 Halil Rama
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fëmija 9-vjeçar Leart Hasanllari nuk e bën më me karrocë rrugëtimin për në shkollë, përgjatë Rrugës “Myslim Keta”. Që nga e hëna, atë e merr nga shtëpia dhe e sjell nga shkolla në shtëpi, autovetura që i dhuroi kryeministri baba(gjysh)xhan, pasi kishte lexuar letrën e tij mjaft prekëse për babagjyshin e Vitit të Ri 2018.




E meritonte Leo këtë përkujdesje kryeministrore, qoftë edhe për faktin se me gjithë problemet e mprehta shëndetësore, ai është nxënës i shkëlqyer. Dhe jo vetëm kaq, por në karrocën e tij me rrota ai mban edhe motrën tremuajshe, për t’i ardhur sadopak në ndihmë mami Angjelës, që s’resht së dhuruari dashuri të pakufishme për të birin e vetëm.

Leo, ky fëmijë shumë i fortë dhe shumë inteligjent, ndonëse ka përballuar 14 operacione, asnjëherë s’e ka humbur shpresën që një ditë edhe ai do të mundë të ecë me këmbët e veta si gjithë bashkëmoshatarët e tij. Madje, ashtu siç preku ëndrrën tek “E diela shqiptare” në TV “Klan”, kur në rubrikën e fundvitit të kaluar “Ka një mesazh për ty”, si babagjysh u paraqit kryeministri Rama, duke i premtuar autoveturën për në shkollë, kukullën për motrën, Lean dhe shërbimin falas të masazherisë, ai ka të drejtë të ëndërrojë që një ditë të mund të bëhet i famshëm si futbollisti fenomenal Lionel Mesi, ëndërr të cilën e pohoi edhe në ditën e ndërrimit të viteve në rubrikën “Ka një mesazh për ty”. I ftuar special ishte kryeministri Edi Rama, i cili pasi ka dëgjuar historinë tronditëse, i impresionuar njëherësh nga 9-vjeçari kurajoz Leart Hasanllari, nuk ka nguruar t’ia plotësojë atij dëshirat si “babagjysh” i Vitit të Ri.

 

Në të njëjtën pozitë u shfaq kreu i ekzekutivit shqiptar edhe përballë Eriglisës, vajzës nga Laçi që i përket komunitetit egjiptian. Ajo është 26 vjeçe. Ka mbaruar studimet e larta për mësuesi dhe vazhdon masterin për mësuese. Si përfaqësuese e komunitetit egjiptian, ajo pohon se ky komunitet përballet me vështirësi. Familja e saj përbëhet nga 6 pjesëtarë, prindërit dhe 4 fëmijë. E pyetur nga Gjebrea se si ka qenë fëmijëria e saj, Eriglisa u përgjigj kështu: “Prindërit e mi gjatë gjithë jetës së tyre kanë mbledhur hekurishte të ndryshme, bidonë dhe kartonë, pasi ka qenë e vetmja mundësi. Fëmijëria ime ka qenë shumë e vështirë”.

 

Por vështirësia më e madhe për të ka qenë braktisja dhe mopërfillja nga pushteti vendor. Është vërtetë tronditëse përgjigja që ka marrë nga autoriteti vendor i Bashkisë së Laçit, kur ajo ka shkuar t’i kërkojë punë pasi është diplomuar për mësuesi, ndërsa i është ofruar profesioni i fshesares për të pastruar rrugët e qytetit gjatë natës! Por, siç pohoi Eriglisa, jo të gjithë pushtetarët janë të të njëjtit rang. Për herë të parë ajo provoi t’i gëzohej profesionit të mësueses, falë përkujdesjes të ish-ministrit të Punës e Çështjeve Sociale, Erion Veliaj (sot kryetar i Bashkisë së Tiranës) që i ofroi praktikën mësimore për gjashtë muaj në një shkollë të Laçit.

 

E etur për dije, ajo deri në fund të vitit që sapo u mbyll, krahas punës vazhdonte edhe studimet master, duke e përballuar koston financiare të tyre nga një kredi bankare.

Edhe për Eriglisën qe krejt e pabesueshme ajo që arriti pikërisht në ditën e ndërrimit të viteve, kur nga kryeministri Rama iu ofrua vendi i këshilltares së ministres të Çështjeve Sociale. E kush më mirë se ajo, që megjithëse ka provuar barrën e rëndë të vuajtjeve të shumta familjare ka arritur të shkollohet pothuajse në të gjitha nivelet, mund ta këshillojë ministren në fjalë!

Siç pohoi kryeministri Rama, Leo dhe Eriglisa janë Shqipëria reale, ndaj dhe mediat tona, audovizive dhe ato të shkruara duhet t’u japin më shumë zë dhe figurë këtyre njerëzve.

 

Disa nga TV kombëtare e publike, në rubrika e emisione të tilla si “Njerëz dhe fate”, “Ka një mesazh për ty”, etj., “Koha për t’u zgjuar” “Ora juaj” etj., si edhe shtypi i shkruar, thuajse çdo ditë e javë kanë evidentuar me qindra raste fatkeqësh, por jo në çdo rast konstatohet më pas përkujdesja e duhur nga instancat përkatëse. Është koha që këto struktura, qendrore apo lokale të mbajnë shënim nëpërmjet emisarëve të tyre për rastet që publikon media dhe të bëjnë të gjitha përpjekjet për t’u ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë.

Shembulli më sinjifikativ është Bashkia e Tiranës dhe vetë kryebashkiaku Veliaj, që nuk nguron të shërbejë edhe vetë në mensat sociale dhe ku tregohet përkujdesje maksimale për shtresat vunerabël. Përparësi këtu i jepet strehimit social dhe dhënies së bonueseve për rastet më evidente. Por ashtu siç vepron Bashkia e Tiranës, është koha që politika jonë t’i largohet konfliktualitetit dhe të mendojë e punojë për ndërtimin e një shteti social, për të cilin, sot më shumë se kurrë kanë nevojë Shqipëria dhe shqiptarët. Po ashtu, janë me dhjetëra fondacionet që kanë bërë emër në këtë fushë, sidomos “Fundjave ndryshe” e “Vullnetarët e rinj të Tiranës”, duke u fokusuar tek familjet më në nevojë. Por edhe këto fondacione e shoqëri kanë nevojë për mbështetjen e duhur qeveritare. Vetëm kështu do të pakësohen sadopak vuajtjet dhe dhimbjet njerëzore të njerëzve në nevojë, për të cilat statistikat, edhe ato zyrtare, flasin se janë të shumtë.

Politikat sociale mbulojnë të gjitha dispozitat dhe masat që synojnë të parandalojnë, të mënjanojnë ose të lehtësojnë situatat e varfërisë dhe problemet sociale, në nivel individual ose kolektiv, ose që kërkojnë të favorizojnë mirëqenien e grupeve më të brishta të shoqërisë. Një politikë sociale efikase ndihmon individët të jetojnë pa ankthe dhe të përshtaten me mundësitë e reja të rritjes ekonomike. Në të kundërtën, një politikë e keqe sociale është sinonim i mbetjes në varfëri ose i përjashtimit social.

Është koha kur legjislativi dhe ekzekutivi shqiptar t’u rikthenen politikave sociale, të cilat në kuptimin e ngushtë, përcaktojnë masat që shërbejnë drejtpërdrejt në luftën kundër varfërisë ose parandalimit të saj, në rradhë të parë sigurimet shoqërore dhe ndihma shoqërore, si dhe pagesa të tjera në mvartësi të burimeve të mundëshme. Mbi të gjitha Shteti Social bazohet mbi solidaritetin midis grupeve shoqërore të ndryshme dhe në kërkimin e drejtësisë sociale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.