OPINION

Ndërtesa virtuale e dijes shkencore

07:35 - 10.01.18 Zija Lika
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Tërmetet apo vullkanet, rrebeshet apo ciklonet, stuhitë diellore apo cunamet, mund të shembin dhe shkatërrojnë gjithçka që ekziston  në botë, por ato kurrë nuk do të mundin të bëjnë të njëjtën gjë, me atë që në gjuhën metaforike quhet: “Ndërtesa virtuale e dijes shkencore”.




Në këtë ndërtesë, janë dhe do të mbeten të pavdekshme në përjetësi, si dhe kanë ardhur dhe do të vijnë gjithmonë duke u lartësuar: arritjet, vlerat dhe kontributet e të gjithë shkencëtarëve, artistëve dhe sportistëve, më të mëdhenj të të gjitha kohëve, deri në ditët e sotme dhe në ditët  që do të vijnë.

Çdo kontribut i tyre, është një gur i rëndë i skalitur  dhe i vendosur  në themelet dhe muret kryelarta të kësaj ndërtese dhe është shumë herë më me vlerë, sesa  tonelata të tëra diamantesh, nga më të rrallat dhe më të shtrenjtat në botë. Çdo fushë dhe disiplinë shkencore përbën një kolonë të fuqishme dhe të palëkundshme të kësaj ndërtese që është më e larta në univers.

Gjithçka e krijuar nga dora dhe mendja e njeriut, duke përfshirë edhe mrekullitë më mahnitëse, të jashtëzakonshme dhe brilante, të rralla dhe super të shtrenjta, qëndron e heshtur, kokulur, fëminore dhe plot respekt, përpara “ndërtesës virtuale të dijes së përjetshme shkencore“.

 

Aty gjenden thesaret e arta, të të gjitha zbulimeve, të ligjësive universale të shkencave natyrore dhe shoqërore, të shpikjeve, novacioneve dhe racionalizimeve, të drejtimeve efiçente  të sistemeve demokratike, ekonomike e shoqërore, të prosperitetit  dhe progresit të gjithanshëm  të  të  gjitha fushave, në funksion të përmirësimit të vazhdueshëm të standardeve cilësore të jetës njerëzore.

“Eureka”, kaq tha Arkimedi e kjo mjaftoi për ta vendosur emrin e tij një herë e përgjithmonë në kolonën e shkencave natyrore, që mban rëndesën më të madhe       të gjithë këtij shumëkatëshi virtual. Krahas tij shohim emra të tjerë mendjendritur si: Galilei, Njuton, Maxwell, Nobel, Ajnshtajn dhe Hawking në fizikë; Dekart, Lajbnic, Dalamber, Lagranzh, Laplas dhe Gaus në matematikë; Talesi, Pitagora, Eudoksi, Euklidi, Euleri dhe Lobaçevski në gjeometri; Alan Turing në shkencat kompjuterike; Darvini  në biologji; Mendelejevi dhe Marie e Pier Kyri në kimi; Adam Smith, Alfred Marshall, Joan Robinson dhe John Maynard Keynes në ekonomi.

Shkencat natyrore dhe ato ekonomike, nuk janë vetëm sisteme të  përsosura dijesh, por edhe mjete të pazëvendësueshme  për të hulumtuar, eksploruar e depërtuar ne të fshehtat e natyrës dhe ekonomisë, për të ndërtuar saktë çdo sistem dijesh, si dhe për të arritur  në përfundime të sakta për çdo sistem e studim të dhënash.

 

“Premtoj solemnisht se jetën time do ta vë në shërbim të humanitetit”, Hypocratus.

Hipokrati  në mjekësi; Xhon Kened dhe Margaret Thatcher, në politikë;

Aristoteli, Sokrati, Platoni  dhe  Niçe  në filozofi; Zigmund Froid në psikologji;

Ia vlen të ndalojmë këtu për një hapësirë të shkurtër letraro-artistike.

Do të njihemi shkurt me ata që i dhanë frymë nga fryma e tyre kolonës së arteve         të bukura: Omar Kahyam, Uiliam Shekspir, Honore De Balzak, Viktor Hygo, Franc Kafka, Zhyl Vern, Tolstoi dhe Dostojevski në letërsi; Bethoven, Shtraus, Moxart, Luçiano Pavaroti, Plaçido Domingo, Maikëll Xhekson dhe Uitni Hjuston, në muzikë;

“Teatri është gracka, ku shpirti i mbretit kapet si laraska”, SHEKSPIR.

Teatri, kinemaja dhe filmi janë treshja e arteve që mbajnë një kolonë të tërë të ndërtesës sonë gjigande të dijes dhe kulturës në shekuj.

Aty gjejmë të shkruar me shkronja të arta, emra të tillë por jo vetëm si: Ezopi, Eskili dhe Aristofani në vargje dhe dramë; Tom Hanks, Robert De Niro, Al Pacino, Johny Depp, Leonardo Dicaprio dhe Tom Cruise në fushën e aktrimit; Sergei Urusevski, Vittorio Storaro, Gregg Toland, Gordon Willis, Christopher Doyle dhe Charles Rosher në regjizurën kinematografike.

 

“Arti është gënjeshtra që na lejon të kuptojmë të vërtetën”, Pablo Pikaso.

Me këtë thënie Pikaso kërkon t’u shpjegojë njerëzve të thjeshtë sesi edhe piktorët, skulptorët e arkitektët e meritojnë vendin e tyre brenda kësaj ndërtese: Leonardo Davinçi, Van Gogu, Rembrandi dhe Pikaso në pikturë; Mikelanxhelo në skulpturë; Andrea Palladio, Antoni Gaudi, Santiago Calatrava e Norman Foster në arkitekturë.

Por, atje qëndrojnë gjithashtu të gjalla e të freskëta  edhe kontributet e rekordmenëve më të mëdhenj olimpikë të të gjitha kohëve dhe sporteve, të politikanëve kryesorë të ndershëm botërorë, të cilët kanë hedhur themelet fondamentale të sistemeve demokratike, ekonomike e shoqërore dhe i kanë drejtuar ato me eficiencë; të nobelistëve më të mëdhenj të paqes, sigurisë, stabilitetit dhe prosperitetit, si dhe të kolosëve të sipërmarrjeve gjigande të suksesshme botërore, duke përfshirë  edhe  ata që i përkasin fillim-shekullit të XXI si: Donald Tramp, Bill Gates, Lerri Peixh, Steve Jobs, Mark Zuckerberg e të tjerë.

 

“Gjeniu i ngjan çdokujt, e atij askush”, Balzak.

Ata, megjithëse u përkasin kombësive, nacionaliteteve apo gjuhëve të ndryshme, kanë folur, flasin dhe do të flasin përjetësisht me të njëjtën gjuhë të përbashkët ndërkombëtare. Dhe kjo është gjuha universale dhe e pavdekshme e shkencës, muzikës, arteve dhe sporteve. Këtë gjuhë përpiqen ta mësojnë dhe dashurojnë të gjithë, qysh atëherë kur njerëzit janë ende fëmijë dhe sapo kanë filluar të hedhin hapat e para të jetës. Ky është një proces i gjatë dhe i pafundmë në fushën e përvetësimit të dijeve, shkencës, artit  dhe sporteve  dhe mund të krahasohet me  një ortek dëbore, i cili fillon krejt rastësisht nga disa thërrmija  të vogla dhe vazhdon përgjatë lëvizjeve rrokullisëse, derisa  rritet pa masë,  por ndërsa ai në fund të procesit shpërbëhet në miliona thërrime, të cilat shuhen dhe zhduken  shumë shpejt pa lënë asnjë gjurmë, dija universale e të gjitha fushave të jetës, formohet, rritet, integrohet, konsolidohet dhe mbetet e përjetshme, duke tentuar të shtojë sadopak më shumë lartësinë dhe bukurinë e “ndërtesës virtuale të dijes së përjetshme shkencore”, e cila ka qenë dhe do të jetë shtëpia e përbashkët  mikpritëse, frymëzuese, bujare dhe e dashur për të gjithë.

 

Të gjithë këta emra të mëdhenj e të tjerë mendjendritur të ngjashëm me ta për veprimtarinë e tyre madhore në dobi të njerëzimit, të cilët jetojnë në ndërtesën tonë virtuale të dijes shkencore, kanë kontribuar dhe do të vazhdojnë të kontribuojnë pafundësisht për përmirësimin e vazhdueshëm të standardeve  cilësore të jetës së shoqërisë njerëzore, por megjithëse ekonomikisht kanë përfituar infinit herë më pak prej saj, kanë fituar lavdinë e përjetshme, madhështinë dhe pavdekësinë, si dhe statusin më të ndritur, të pranuar e miratuar unanimisht nga mbarë njerëzimi, atë të të qenit gjeni dhe superelitë, të ngritur në majën më të lartë të piramidës së vlerave pozitive të shoqërisë njerëzore, prandaj ata  kanë merituar dhe do të meritojnë përherë në përjetësi: respekt, nderim dhe mirënjohje pa kufi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.