MILOSAO

Fëmijëria dhe vitet e emigrimit në Rumani

09:22 - 15.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nga Nazmi Seitaj




 

Mbiemri Mio është transformim i mbiemrit Mihali. Gjyshi i Vangjush Mios ka qenë Anastas Mihali nga Vithkuqi i Korçës. Në kohën që Vithkuqi u dëmtua nga Ali Pashë Tepelena Anastas Mihali u shpërngul prej andej dhe u vendos në Korçë. Gjyshi i piktorit ka qenë njeri me kulturë. Ai lexonte Enciklopedinë Fetare, Psalmet e Davidit, Gjeografinë e Europës e të tjera libra në gjuhën greke. E ëma e Vangjush Mios quhej Polikseni, i ati Thimi. Thimi kishte studiuar në Manastir dhe e njihte mirë greqishten. Në rini ai u mor me tregti, kurse më vonë me bujqësi. Kishte një arë në Fushën e Korçës dhe një luadh në fshatin Melçan. Vangjush Mio, që vinte i dyti nga të tre djemtë, u lind më 5 mars 1891 në një nga lagjet e vjetra të Korçës.

Shtëpia e tij karakteristike korçare ( sot shtëpi­ muze e piktorit), ngrihet një një kthesë rrugice me kalldrëm të lashtë. Është një nga ato shtëpi e një nga ato rrugica tipike, prej të cilave frymëzohej për të hedhur në pëlhurë dashurinë e madhe që kishte për vendlindjen e tij. Që kur ishte i vogël në shkollën fillore, Vangjush Mios i pëlqente të merrej me pikturë. Kur zhvilloheshin karnavalet dhe banorët gazmorë të lagjes bënin kostume, Vangjushi i zbukuronte ato me varak. Ia kishte ënda të vizatonte edhe heronjtë e Homerit, Akilin, Odisenë, Anteun etj. Këta i vizatonte gjithmonë me mburoja. Më tepër se çdo gjë atij i përqente të skiconte shtëpitë korçare. Në vitin 1908, kur u hapën shkollat shqipe, Vangjush Mio u shkëput nga shkolla greke dhe hyri në shkollën amtare. Këto shkolla mbylleshin herëpashere nga forcat e errëta të reaksionit grekoman, megjithatë Vangjush Mio nuk iu nënshtrua shkollës greke.

I edukuar që në vogëli me ndjenja patriotike, ai përpiqet me çdo kusht të përvetësojë gjuhën e bukur shqipe. Për këtë detyrohej të hynte fshehur në shkollën e vajzave, të cilën nuk kishin mundur ta mbyllnin. I shtyrë nga nevoja të ngutshme ekonomike, i ati i Vangjushit shet tokat. Djali i madh, Anastas Mio, përpiqet të ndihmojë të atin që nga Rumania, por këto ndihma ishin të pamjaftueshme. Në këto rrethana të vështira Vangjushi i ri ndërpret mësimet e gjimnazit dhe në vitin 1908 rreh pas të vëllait në rrugën e vështirë të kurbetit. Mjaft e dhimbshme ishte për Vangjush Mion largimi nga atdheu i tij i dashur dhe vendlindja, që kish filluar ta inspironte këtë piktor të ri me bukuritë magjepsëse të natyrës. Po kaq prekëse dhe pikëllimtare ishin edhe ndarja nga prindërit, përcjellja e birit të tyre që ishte aq i dashur dhe delikat. Lëndina e Lotëve, kjo dëshmitare e sa e sa ndarjeve dhe hidhërimeve të mëdha, mbeti në zemrën dhe në mendjen e piktorit si një brengë e hapur dhe e pangushëllueshme. Në Bukuresht piktori i ardhshëm vuajti e hoqi shumë. Në fillim punoi te dyqani i të vëllait, Anastasit1, i cili shiste dru. Midis dy vëllezërve lindën grindje. Anastasi nuk donte që Vangjushi të merrej me pikturë. Ai nuk besonte në talentin e të vëllait, por mbi të gjitha kjo i dukej punë pa interes. I fyer rëndë nga kjo, Vangjushi largohet nga i vëllai dhe hyn në punë si arkëtar te dy tetot e tij, të cilat kishin një restorant në Bukuresht. Gjatë kohës së punës, kur kishte kohë, piktori skiconte klientët me lapsin që mbante llogaritë. Vangjushi skiconte shpejt.

Tetove nuk u pëlqenin “zografisjet” e nipit. Këto gra fodulle dhe injorante mblidhnin buzët dhe pëshpërisnin me njëra­tjetrën, se Vangjushi ishte një djalkë i çartisur nga mendtë. Më e padurueshme u bë jeta e piktorit në shtëpinë e tyre. Ato e pengonin që ai të punonte në orët e vona. Madje filluan të talleshin hapur me të. Vangjushi largohet përsëri, por këtë herë strehohet te një shok i mirë dhe i vërtetë, i cili e donte dhe ia çmonte punën. Ky ishte patrioti korçar, Irakli Duro. Irakliu trashëgonte një pasuri të konsiderueshme nga xhaxhai i tij. Këtë pasuri ai e shkriu për qëllime patriotike, duke ndihmuar koloninë shqiptare në Rumani. Ky patriot qe i pari që e inkurajoi dhe e ndihmoi piktorin me mjete financiare, që të vazhdonte shkollën e arteve të bukura në degën e pikturës. Në Bukuresht Vangjush Mio lidhet e miqësohet me patriotë shqiptarë dhe bëhet menjëherë anëtar i kolonisë shqiptare. Nga shokët me të cilët ka pasur kontakte Vangjushi, kanë qenë Mihal Ciko, Asdreni dhe Lasgush Poradeci. Piktori aktivizohet në jetën artistike, duke u bërë pjesëtar i Shoqërisë Shqiptare “Lira”. Në vetvete kjo ishte një shoqëri artistike e politike dhe kishte një program të pasur patriotik. E ku nuk e gjeje Vangjushin në atë kohë.

Ai merrte pjesë në kor me grupin teatral dhe në celulën organizative. “Arti është gjëja më e bukur që ka krijuar njeriu,­ i thoshte Vangjushi M.Cikos. ­ Ju me muzikë dhe unë me piktorë t’i dhurojmë popullit shqiptar vepra të bukura.”2 Vangjush Mio bënte dekoret e korit dhe për grupin teatral. Në kor, midis shumë shqiptarëve të kolonisë, merrnin pjesë dhe dy këngëtarë të dëgjuar nga Drenova. Këta ishin tenori Mihal Toskani3 dhe basi Petraq Marko. Mihal Ciko ishte dirigjent i korit. Grupi teatral me regjisorin Vasil Antoniu4) dhe skenografin Vangjush Mio, vunë në skenë dramat “Vdekja e Pirros” të Mihal Gramenos dhe “Besa” të Sami Frashërit. Në thelb shfaqjet artistike kishin përmbajtje të thellë patriotike. Ato kishin për qëllim të bënin jehonë në koloninë shqiptare, duke ngritur lart moralin patriotik. Këto dy drama u dhanë në Teatrin Nacional dhe në teatrin “ Eforia”. Trupa doli edhe në turne, duke dhënë shfaqje në Kostancë dhe Braila. Shfaqjet patën shumë sukses. Vangjush Mio kishte ngulmuar që arti i tyre të mos ishte diletant dhe vërtetë shoqëria “Lira” arriti të kultivojë në gjirin e saj artistë dhe art të klasit të parë. Vangjushi kishte mjaft shokë shqiptarë të talentuar, të cilët, duke parë aftësitë e piktorit të ri, e shtynë që t’i hynte seriozisht artit të pikturës. Ai s’priste gjë tjetër në jetë, veç atyre inkurajimeve të zjarrta dhe të sinqerta. Vangjush Mio hyri në shkollën e arteve të bukura. Ky ishte viti 1915, atëhere kur djali mbushte njëzet e katër vjeç. Në ato vite motoja e Vangjushit ishte “Gjithçka për pikturën”.

Në shkollë shoqërohet me shokë të talentuar e të mirë. Pedagogët më të mirë të shkollës së artit e donin dhe e mbanin pranë. Atë e donin të gjithë, ngaqë peizazhisti i ri ishte njeri me karakter të sinqertë dhe, veç të tjerave, ishte mjaft i ndjeshëm dhe bujar. Në një nga blloqet e tij të shënimeve piktori ka shkruar: “Nuk linim muze dhe ekspozitë arti pa vizituar. Atje gjenim shpresën dhe ngushëllimin tonë. S’na bënte përshtypje asgjë përpara artit, se ishim të veshur keq.” E tërë jeta studentore e artistit të ri ka qenë me vuajtje e sakrifica. Të hollat e pakta që mund t’i ndodheshin në xhep, i harxhonte për vizita ekspozeshë e galerishë arti, për të blerë bojëra e pëlhura. I tillë kishte qenë fati i shumë artistëve në botë. Shumë prej tyre, që Vangjushi u shihte veprat në muze, e kishin shkuar jetën të uritur, madje edhe kishin vdekur në mjerim, por në fund të fundit kishin triumfuar si artistë, duke lënë prapa vepra të pavdekshme. Kujtoni fjalët “atje gjenim shpresën dhe ngushëllimin tonë.” Nga klasikët rumunë që e tërhoqën më shumë dhe nga të cilët u ndikua piktori shqiptar, ishin Teodor Aman, Lukioni, Oktave Bënçila, Kostandin Stahi dhe Nikolla Grigoresku. E gjithë shkolla rumune dhe këshillat e profesorëve më të mirë të asaj kohe ishin të prirë në zbërthimet teorike të arsenalit që patën lënë këta artistë të mëdhenj në fushën e pikturës.

Gjatë viteve 1917­1919 piktori ka punuar gati tetëdhjetë vizatime e skica. Këto janë punime mjaft të larmishme, të vizatuara me tush e laps. Në të gjitha vizatimet spikat zemra e zjarrtë e piktorit për të arritur majat e larta të artit. Në këto punime pasqyrohet një botë e tërë: kopshtet e praruara të Bukureshtit të vjetër, natyra e qetë e fshatrave me atë purpurinë e lashtë e të ndritur, fytyra të njerëzve të dashur dhe intimë, gra e vajza të bukura me shpirt të ndezur e fisnik, fëmijë të varfër e çamarrokë, studentë gazmorë, rrugë në periferitë e varfra të Bukureshtit me ato pajtonet që lëviznin me shpejtësi nga trokthet bubullues të kuajve, fusha të gjëra, liqene mes luleve të brishta, të spërkatura me bulëzat e tisit mëngjesor dhe monumentet madhështore, të lara nga dielli i qeshur pranveror. Piktori ndjek ngado natyrën. Zemrën e tij e ka pushtuar peizazhi, hapësirat e lira, dielli vërshimtar.

Të duket se në këto piktura ka më tepër individualitet sesa influencë. Që në ato vite piktori e kishte përcaktuar rrugën e tij, duke hedhur me guxim hapat e para në gjininë e vështirë dhe të bukur të peizazhit. Në vitin 1919 Vangjush Mio hapi në Bukuresht ekspozitën e parë personale. Në këtë ekspozitë ai kishte mbledhur gjithë veprat që pati punuar në degën e arteve dhe ato që kishte punuar në natyrë. Kjo ishte një ekspozitë me vlerë dhe mjaft dinjitoze për një piktor të ri. Sipas kujtimeve të Mihal Cikos, veprat e Mios në atë ekspozitë kishin një vlerë të tillë, saqë i kapërcenin sukseset e piktorëve kontemporanë të Bukureshtit. Gjatë kësaj ekspozite shiti mjaft piktura, por ca më shumë ua fali shokëve shqiptarë të Bukureshtit. Pas ekspozitës së Mios u hapën edhe dy ekspozita të tjera. Të dy piktorët që i çelën ishin njëri nga Boboshtica dhe tjetri nga Drenova. Vlen të përmendet se ishte Viktor Eftimiu ai që nxiti të hapeshin ekspozita në radhët e kolonisë shqiptare të Bukureshtit. Në vitin 1920, i pajisur me një certifikatë nga shkolla e arteve të bukura, se kishte mbaruar vitin e katërt të kursit komunal, Vangjush Mio u kthye në Shqipëri.
***
1- Anastas Mio me pseudonimin “Pika”, nxori dhe drejtoi në Bukuresht gazetën “Tribuna e mendimeve të lira”. Kjo gazetë i kundërvihej obskurantizmit në Shqipëri. Shumicën e artikujve i shkruante vetë Anastasi. Në disa prej tyre ai pati fshikulluar edhe satrapin Ahmet Zogu. Në këtë gazetë abonoheshin shumë shqiptarë. Një kopje të saj e merrte edhe F.S.Noli. Anastas Mio është marrë edhe me shkrime kushtuar gjuhës shqipe. 2- Nga një bisedë e autorit me M. Cikon në shtëpinë e tij, dhjetor 1980.
3- Mihal Toskani, themelues i teatrit lirik rumun dhe tenori i saj i parë.
4- Vasil Antoniu, shqiptar nga Boboshtica e Korçës, i cili gjatë asaj periudhe qe sekretar i Viktor Eftimiut.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.