MILOSAO

Marcin Czerminski për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Bosnjën

09:26 - 15.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Përkthyesi Leonard Zissi duhet vlerësuar për durimin, punën dhe sjelljen në shqip të tri punimeve të Martin Czerminskit, misionarit jezuit polak, kushtuar Shqipërisë, Malit të Zi dhe Bosnjës. Duhet thënë se informacioni i tij për këto tri vende, i cili lidhet me fillimin e shekullit të shkuar, të jep mundësi të kesh një panoramë të mirë e shumëkëndore të atyre kohëve…




 

Nga Ben Andoni

Pas librit të parë kushtuar Shqipërisë, Marcin Czerminski vjen edhe me dy libra të tjerë kushtuar Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës. Leonard Zissi, përkthyesi i tij, njëkohësisht nga punëtorët më të pasionuar të gjuhës dhe kulturës polake në vendin tonë duhet vlerësuar se me iniciativën e tij arriti jo thjesht të mblidhte informacione për misionarin jezuit, por edhe të sillte të përkthyer tre librat, që ishin produkt i udhëtimit të para një shekulli të misionarit jezuit polak në Ballkan.
Czerminski erdhi në territorin shqiptar, kur vendi ynë ishte pjesë e perandorisë turke në shekullin XIX. Ai duke njohur kulturën e kohës, botimet që lidheshin me historinë dhe etnografinë e saj, shumë materiale të botuara dhe të pabotuara, por edhe epistolarë të ndryshëm, ndërtoi një përshkrim të territorit të vendit tonë, duke folur me shumë respekt. Ai identifikoi si të gjithë udhëtarët para dhe pas tij, ndarjen Geg dhe Toskë, cilësitë fizike dhe kulturën materiale të paraardhësve tanë. Ai u ndal kryesisht në zakonet dhe organizimin e tyre shoqëror por edhe i kushtoi shumë historisë së kishës katolike në territorin shqiptar. Libri jo vetëm u mirëprit nga komuniteti katolik në vendin tonë, por në shenjë respekti ajo iu dhurua Papa Françeskut, në vizitën e tij në Shqipëri në Universitetin katolik. Në një farë mënyre, botimet e Czerminskit, të asaj kohe, mund të konsiderohen nga qasjet më patriote të këtij komuniteti ndaj shqiptarëve.

Duhet të theksojmë se libri mbart kujdesin e madh të përkthyesit të saj, i cili është munduar ta sjellë me një gjuhë shumë të përshtatshme por edhe me të gjithë ngarkesën e duhur të kohës. Një meritë tjetër e Zissit është skrupuloziteti për të mos iu shmangur as edhe një momenti, por duke na e dhënë sa më të plotë veprën e Czerminskit. Prej këtij fakti, ne kemi një kuadër të plotë të veprës së tij.

Duke parë rëndësinë e kësaj vepre për shqiptarët dhe më gjerë, Shoqata jezuite e Provincës Jugore të Polonisë me qendër në Krakow, por edhe peshën e një mendimtari dhe vëzhguesi të tillë, ndihmoi edhe për botimin e dy librave të tjerë, të cilat tashmë janë në shqip. Pra, përveç “Shqipëria-përshkrime historike, etnografike, kulturore dhe fetare” (1893) në vitin 2014 dhe “Në Dalmaci dhe në Malin e Zi” (1896) dhe “Nga Udhëtimi nëpër Bosnjë dhe Hercegovinë” (1899), Shoqata Jezuite nuk hezitoi të ndihmojë botimin.

Pasja parasysh e faktit se si gjini punët e Czerminskit shkojnë pak afër reportazhit dhe se Polonia ka një traditë të spikatur në këtë lëmë atëherë duhet të kujtojmë se autori u përball në të gjallë me shumë reagime të lexuesve, një traditë e cila sot është harruar krejtësisht. Pikërisht në bazë të këtyre mesazheve, ai vendosi ta shkruante edhe librin për Bosnjën, që z.Zissi na e solli në shqip me durimin dhe përkushtimin e tij.
Librat e klerikut polak kushtuar vendeve të Ballkanit e përcjellin atë vetë si personalitet përtej misionit të tij fetar dhe e bëjnë autorin një qenie tejet të interesuar për arritjet më të mëdha të këtyre vendeve, por edhe të veçantat e tyre, mënyrat e jetesës, të përbashkëtat në Perandorinë Osmane dhe mbijetesën. Në të tre vëllimet, ai ka qenë i fokusuar, ashtu si mund të merret me mënd, edhe në mbijetesën e vështirë të komunitetit katolik, ku Perandoria Osmane kishte peshë të madhe specifike, por edhe habitatin sesi vetë komunitetet mbijetonin.

E veçanta e Dom Czerminskit është se ai i kundron me shumë kujdes tiparet karakteristike të nacionaliteteve por edhe stereotipet e ndryshme, të cilat ekzistonin asokohe mes tyre. I bën përshtypje se bashkëvendasit e tij që janë pjesë e administratës austro-hungarezë si ushtarakë apo si pjesë e administratës kanë lënë përshtypje të mirë në popull. Megjithatë, edhe kjo është pak, sepse ai merret edhe me mjedisin sesi jetonin komunitetet e ndryshme duke e përshkruar arkitekturën dhe artin sakral por edhe monumentet e ndryshme të kulturës. Kaq i pasionuar është, saqë vendasit që e shoqërojnë misionarin janë të përkushtuar t’i tregojnë gjithçka, që nga bazilikat dhe deri te kishat e thjeshta, qelat dhe manastiret, xhamitë, minaretë, varreza dhe shumë kështjella…Nga ata merr materialin burimor, që e përshtat me kujdes.

Ai qëmton kulturën e mbetur të antikitetit në këto vende, por ai përcjell edhe kulturën e madhe e të gjithanshme të Shqipërisë, Dalmacisë, Malit të Zi dhe Bosnjës e Hercegovinës. Duke thënë se kontributi i tij dhe skrupuloziteti i shërbejnë sot studimeve për të ndërtuar krahasime me atë kohë.
“Shqipëria e tij, thotë Bogusllab Stecek SJ, Drejtor i Arkivit të Shoqatës Jezuite të Provincës të Polonisë Jugore me qendër në Krakoë, përbën një vetvete një enciklopedi kushtuar këtij vendi, që nuk ndodh në vendet e tjera, duke përshkruar historinë e saj, fenë, kulturën dhe zakonet, organizimi e jetës shoqërore. Kemi marrë sinjale se do të ishte i nevojshëm ribotimi i tij në gjuhën polonisht për turistët polakë, të cilët gjithnjë e më shumë po vizitojnë Atdheun e Skënderbeut. Polakët e dinë mirë dhe e vlerësojnë se çdo të thotë të jetosh për shumë vite në robëri dhe të luftosh për lirinë e Atdheut”.

Dom Czerminski kishte interes për Shqipërinë që shumë vite më parë se të botonte, pasi ai e kishte bërë një udhëtim në trevat shqiptare që më 1878 dhe pikërisht në Janinë, ku një vit më pas ai do të shkruajë një artikull të gjatë me titull “Nga udhëtimi nëpër Shqipëri”. Ai e shtriu pikëpamjen e tij dhe kërkimet në faktin që do e shprehë edhe më vonë se: territoret e banuara në të shumtën me popullsi shqiptare t’i quajë Shqipëri.

Czerminiski është lindur më 7janar të vitit 1860 në Glinsk. Ai i kreu studimet e mesme në Krakow, kurse studimet teologjike i mbaroi në Romë, ku edhe u shugurua kapelan. Kultura e shkollës e bëri që të studionte gjuhët klasike por edhe shumë nga ato bashkëkohore, që e ndihën shumë në misionet dhe pasionet e veta. Ai hyri në Shoqatën e Jezuitëve që nga 8.8.1885, kurse në vitin 1889 mori përsipër të drejtonte redaksinë e revistës “Misione katolike”, një revistë mujore me ilustrime. Librat e tij janë të shumtë dhe të natyrave të ndryshme, kurse në fushën didaktike do të mbahet mënd pasi nga viti 1885 deri më 1930 dha 306 leksione për sakramentin e rrëfimit dhe për misionet popullore.

Shqiptarët, malazezët, dalmatët dhe boshnjakët i janë mirënjohës për vëzhgimet dashamire që la për vendet e tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.