AKTUALITET

Prokurori amerikan në Shqipëri: Vettingu nis në shkurt. Shumë të korruptuar do humbasin vendin e punës

11:23 - 17.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ai është një nga 8 këshilltarët ndërkombëtarë të procesit të Vettingut në Shqipëri. Fjala është për John Leonardon, i cili për 19 vite me radhë ka shërbyer në postet më të larta të drejtësisë amerikane.




Ish-Kryeprokurori i Arizonës, ka thyer heshtjen së fundmi në një intervistë të shkurtër të dhënë për portalin amerikan Tucson.com.

71-vjeçari ka komentuar procesin e vettingut në Shqipëri, ku ka paralajmëruar se 800 gjyqtarë dhe prokurorë shqiptarë do t’i nënshtrohen kontrollit me qëllim pastrimin e figurave të korruptuara.

“Në këtë vend ka një korrupsion galopant në shumë fusha: Polici, gjyqtarë, prokurorë. Është hera e parë që provohet një metodë e tillë e veçantë. Nuk ka asnjë model të mëparshëm. Pritshmëritë janë shumë të larta në një vend ku shumë gjyqtarë dhe prokurorë do të humbasin vendin e punës.” thotë Leonardo.

I pyetur se cili është roli i tij, ai nënvizon se trupa prej 8 këshilltarësh ndërkombëtarë është të orientojë institucionet e vettingut për çështje ligjore dhe teknikat investiguese.

“Jemi tetë nga ne, në një dhomë të madhe. Të gjithë kemi të paktën 15 vite si gjykatës ose prokurorë në vendet tona. Është një grup me goxha eksperiencë- shumë prej nesh kanë punuar në vende të tjera më parë. Ne duhet të japim këshilla ndaj institucioneve të vetingut për çështjet ligjore dhe teknikat investiguese, strukturat organizative dhe interpretimet e ligjit të vetingut” shprehet 71 vjeçari

Por sa do të zgjasë procesi?

“Seancat e para dëgjimore do të nisin në shkurt. Mendojmë se procesi do të zgjasë katër deri në pesë vjet. Është vështirë të imagjinosh se si do jetë procesi kur të nisin seancat dëgjimore, pasi do jetë intensiv. Dhomat e seancave janë shumë të vogla. Ato zënë deri në shtatë njerëz. Po flitet se mund të ketë transmetim me video”.

I pyetur se si e kanë pritur, Leonardo thotë: “Është qetësuese të shohësh që shqiptarët në tërësi presin kaq shumë nga Amerika. E ndjej se unë kam më shumë besueshmëri tek komuniteti ligjor dhe personat e vetingut sesa evropiano-perëndimorët”.

Por si ka qenë mbështetja ndaj tyre?

“Ambasadori amerikan këtu ka qenë një përkrahës i madh i këtij procesi. Shqiptarët kanë shumë vlerësim dhe besim tek ne. Ambasadori Donald Lu u tha në një takim me gjyqtarët se nëse shohin kyçet e tyre dhe aty gjendet një orë që kushton më shumë se një makinë mesatare, me shumë gjasë nuk do jenë vërdallë vitin që vjen”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.