OPINION

Që Kuvendi, të rrijë larg imunitetit për arrestimin e deputetit

21:26 - 18.01.18 Mero Baze
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Lexova me vëmendje projekt-ndryshimet në rregulloren e Kuvendit në nenin 118, që bën fjalë për heqjen e imunitetit të deputetëve, dhe nenin që është sot aktualisht në fuqi. Përtej spekulimeve, në të vërtetë nuk ka ndodhur asgjë, përveçse janë qartësuar procedurat për shkak të problemeve që hasën në rastin kur u zbatuan për deputetin Saimir Tahiri.




Nuk është prekur as thelbi i kompetencës që ka Komisioni i Mandateve për të gjykuar bazuar në prova, nuk është prekur as e drejta e Kuvendit për ta mbrojtur, ose jo deputetin.

Zhurma e opozitës rreth kësaj çështje, më ngjan se është më shumë një mërzitje që nuk ka ndryshuar ndonjë gjë e rëndësishme në këtë drejtim, që t’i nxirrnin gështenjat me duart e të tjerëve, se sa që ka ndryshuar.

Ajo që unë dua të them, është diçka që nuk po e thotë çuditërisht opozita. Në të vërtetë, do ishte një ide e mirë që ky nen të hiqet fare nga rregullorja e Kuvendit dhe të ndryshohej Kushtetuta, duke kërkuar dhe votat e opozitës, me qëllim që heqja e imunitetit dhe autorizimi i arrestimit të një deputeti, të mos ishin fare në dorë të Kuvendit, por të Gjykatës. Pra, të mos shkonte një herë kërkesa në Kuvend dhe pastaj në Gjykatë, por direkt e në Gjykatë të Lartë.

Ajo që më duket absurde dhe që  është edhe në rregulloren aktuale, dhe në rregulloren e qartësuar më shumë, Komisioni i Mandateve merr atributet e një trupe gjykuese mbi fajësinë ose jo të një deputeti, në raste jo flagrance. Dhe në të gjitha rastet, ne e dimë se ky është thjesht një gjykim politik, sado profesionistë të hiqen deputetët.

Një deputet nën akuzë, nuk duhet të lihet fare në dorë të deputetëve, dhe opozita e qeveria, duhet të bashkohen për ta ndryshuar këtë kompetencë në Kushtetutë dhe t’ia delegojnë Gjykatës së Lartë vendimin për t’u arrestuar ose jo një deputet, jo në kushtet e flagrancës.

Pra, Prokuroria të mos i kërkojë Parlamentit autorizim për arrestim, por Gjykatës së Lartë, duke i çuar dosjen me provat që ka. Gjyqtarët janë në të gjitha rastet më të përgjegjshëm profesionalisht se sa deputetët, dhe kanë më pak emocione politike para fakteve.

Kushtetuta jonë autorizon Kuvendin të japë autorizim për arrestimin e një deputeti jo në kushtet e flagrancës, dhe pastaj rregullorja detajon dhe procedurën. Kjo gjë nuk ndryshohet me rregullore Kuvendi, por me Kushtetutë.

E di që kjo gjë ha shumë debat, sidomos në kushtet e një klime puritane kundër politikës dhe lidhjeve të saj me krimin.

Por ajo që është e çuditshme, është që opozita nuk i kërkon qeverisë të ndryshojnë Kushtetutën dhe t’ia heqin Parlamentit nga duart këtë kompetencë, por spekulojnë me ndryshime në rregullore, që në fakt nuk ndryshojnë as thelbin e çështjes, dhe as shtojnë ose pakësojnë të drejta që deri tani nuk i ka shumica në Kuvend.

Kjo që unë propozoj është një praktikë që e kanë shumë vende, ashtu si ka vende si Italia që kanë këtë praktikë që kemi ne me Kuvendin. Kjo nuk do të thotë se kjo që kemi është praktikë e dështuar, por në kushtet kur duam ta mbajmë larg politikën nga krimi, dhe duke qenë se ajo është vetë nën akuzë, është mirë të mos jetë “vetë Ali, e vetë Kadi”. Kjo do të kishte kuptim të ishte një nisëm politike për ta mbajtur politikën larg nga drejtësia për një deputet. Por për këtë që opozita që duhet të ishte e para, bën sikur nuk e ka mendjen./ TemA


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.