KULTURË

Ekspozohen pllakat e rralla me zërin e Aleksandër Moisiut e Fan Nolit

12:30 - 24.01.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

18 gramafonë të viteve të ndryshme, prodhime të ndryshme, në madhësive të konsiderueshme, me punime në dru, që dikur stolisnin sallone të mëdha, kanë zënë vend tanimë në katin e dytë e të Muzeut Historik Kombëtar.




Përkrah tyre ka edhe pllaka gramafoni, që ruajnë regjistrime të rralla që lidhen me Shqipërinë dhe personalitete të shquara të kulturës shqiptare si zëri i aktorit të skenave evropiane Aleksandër Moisiut, apo mesha e mbajtur nga Fan Noli.

Më tej është një pllakë ebaniti, mbi të cilën është gdhendur kënga e vjetër shqiptare “Leshverdho”.

E veçanta e këtyre objekteve qëndron edhe te realizimet që vijnë në formë artizanale dhe elektronike. Veçohet një prej gramafonëve më të hershëm që daton në vitin 1904 dhe që është në formë cilindrike.

Të tjerët, modelet e hershme, janë sa të bukur edhe elegantë, të punuar me kujdes, në frone të larta prej druri, të vëna së bashku në një holl vetëm për ta, krijojnë një realitet paralel, sidomos nëse prej tyre, do të dilnin ende tinguj. Veç publikut të dhënë pas koleksioneve dhe atij të specializuar dhe krejt të afërt me muzikën, objektet janë të panjohur për publikun gjerë.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave dhe Muzeu Historik Kombëtar çelën dje në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, ekspozitën “Magjia e Gramafonit”. Të pranishëm qenë edhe drejtori i përgjithshëm i Arkivave, dr. Ardit Bido dhe drejtori i Muzeut Historik Kombëtar dr. Dorian Koci.

KOLEKSIONI
Më 1986 koleksionisti britanik Martin Moir i dhuroi AQSh-së mbi 18,000 pllaka gramafoni, 20 gramafonë mekanikë dhe elektrikë, 2 fonografë dhe një mori revistash periodike kushtuar muzikës në pllaka (gramafoni apo vinyl). Në njoftimin për ekspozitën, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave lajmëronte se kjo çoi në krijimin e Fonotekës së AQSh si sektor i zgjeruar.

“Objektet sot ruhen në fonotekën e AQSh dhe përveç një katalogu të lëndës muzikore, asgjë tjetër nuk i është bërë e njohur publikut. Në këtë ekspozitë paraqitet në origjinal koleksioni i fonografëve dhe gramafonëve, si dhe disa disqe gramafoni, LP dhe vinyl-e. Përmes kësaj ekspozite AQSh shpalos një anë të panjohur të tij, pasurinë muzikore që ruan heshtazi prej 30 viteve”, – bëhej me dije nga Arkivi.

Pjesë e dhuratës së vitit 1986, ishin edhe disa seri revistash, si “The Monthly Letter”, “The Strand”, “Gramophone” apo botime lidhur me historinë e gramafonit dhe muzikës, që u ekspozuan dje pranë koleksionit të gramafonëve për herë të parë.

“Nga shpikësi i një telegrafi, i cili duke modifikuar aparatin e telegrafit kaloi tek prodhimi i një cilindri, i cili ka të regjistruar zërin. Qëllimi i tij ishte të krijonte një lloj sekretarie telefonike dhe dalëngadalë kaloi tek regjistrimi i teksteve dhe i pjesëve muzikore. Modeli që kemi është i vitit 1903.

Ai është gramafon, parlafon ‘Index’ prodhim i viteve të Luftës së Dytë Botërore, i cili nuk është prodhuar më pa asaj kohe për shkak të përfshirjes në kinematografinë e kohës është konsideruar epik”, tha Sokol Çunga, specialist e studiues i Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, që është marrë me realizimin e ekspozitës.

Ai shtoi se “ekspozita paraqitet në origjinal koleksionin e fonografëve dhe gramafonëve, si dhe disa disqe gramafoni, LP dhe vinyl-e, ku evidentohet zëri i emrave të njohur të artit, kulturës e politikës, jo vetëm shqiptare. “Kemi pllaka gramafoni të hershme me zërin e tenorit të famshëm Enriko Karuzo”, tha Çunga, duke shtuar se “ai ka qenë ndër të parët që ka regjistruar disqe. Kemi disqe me zërin e Aleksandër Moisiut, monologun e ‘Makbethit’, zërin e Winston Churchill, kemi regjistrimin e meshës së parë shqipe”.

DEKLARATAT

Dy drejtorët e Arkivit dhe Muzeut në fjalët e rastit u ndalën te rëndësia e koleksioneve dhe arkivave. “Shqipëria është një vend shumë i pasur dhe pasuria nuk është një vlerë monetare e matshme, por është trashëgimia kulturore, që i jep vlerë më të madhe këtij vendi. Arkivi Qendror Shtetëror ruan jo vetëm trashëgiminë dokumentare të shtetit shqiptar, por ka edhe mjaft objekte muzeale, të cilat e pasqyrojnë më së miri këtë lloj trashëgimie”, tha Ardit Bido.

Ai shtoi se në kuadër të VMGJKS është dhe kjo ekspozitë në mënyrë që ne të mund t’i japim publikut sa më të thjeshtë të gjithë këtë pasuri të veçantë të kombit tonë. “Kjo ekspozitë me gramafonë do të qëndrojë rreth një javë në Muzeun Kombëtar, sepse në kuadër të bashkëpunimit mes dy institucioneve tona ne kemi vendosur të gjithë këtë trashëgimi ta pasqyrojmë atje ku të gjithë qytetarët e kanë më të lehtë të aksesueshme”, – tha z. Bido, ku ftoi qytetarët që kanë mundësi të shijojnë jo vetëm gramafonët, por edhe muzikën që luhet me to.

Nga ana tjetër, Dorian Koçi, falënderoi gjithë të pranishmit dhe në veçanti Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave për bashkëpunimin dhe kontributin në këtë ekspozitë, e cila tregon një mundësi më tepër në ndriçimin e Historisë së Shqipërisë. “Në këtë ekspozitë kemi menduar të marrim detaje nga historia sociale e Shqipërisë. Kjo ekspozitë do të qëndrojë për një javë e hapur, për t’u dhënë mundësi të gjithë qytetarëve, nxënësve të shkolla dhe kujtdo që ka interes dhe dëshirë të vijnë ta shikojnë këtu në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar”, – tha Koçi.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.