OPINION

A ekziston miqësia mes një djali dhe një vajze?

11:20 - 24.01.18 Ervisa Lula
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

A mundet një vajzë ta ketë shok një djalë? Kjo është një pyetje e cila ngjall shpesh debat. Disa mendojnë se është e pamundur, ndërsa të tjerë besojnë të kundërtën. Secili mund t’i referohet eksperiencave të veta, njohjeve dhe miqësive të tij.




Për ta kuptuar më mirë këtë lloj raporti e nisim nga fëmijëria. Nëse do të vizitoni një kopsht, do të shihni se duke filluar nga mosha 4-vjeçare, djemtë luajnë përgjithësisht me djem, ndërsa vajzat me vajza. Kjo ndarje rritet akoma më shumë gjatë viteve të hershme të shkollës. Një arsye për këtë ndarje është se vajzave u pëlqen të luajnë lojëra të ndryshme nga djemtë. Ata priren të luajnë me lojëra më agresive, ndërsa vajzat preferojnë të organizojnë lojëra më afër realitetit dhe marrëdhënieve familjare.

Djemtë shpenzojnë më shumë kohë për të konkurruar me njëri tjetrin, ndërsa vajzat shpenzojnë më shumë kohë për të komunikuar. Deri në moshën 7-vjeçare, djemtë kanë tendencën të bëhen shokë me disa djem të tjerë (e zgjerojnë pak grupin e shokëve) ndërsa vajzat luajnë me një grup të madh vajzash, por pasi e kalojnë moshën 7-vjeçare, djemtë e zgjerojnë grupin e tyre të shokëve, ndërsa vajzat priren të rrinë vetëm me shoqet e tyre më të mira. Të luajturit veçmas njëri-tjetrit, i rrit akoma dhe më shumë dallimet mes tyre në mënyrën se si ata ndërveprojnë.

Diferencat në grup mes vajzave dhe djemve janë interesante, por patjetër që ka edhe fëmijë të veçantë të cilët jo domosdoshmërisht u përshtaten këtyre modeleve të përgjithshme. Studime të ndryshme kanë zbuluar se 80 përqind e djemve nuk dallonin dhe aq shumë nga 80 përqind e vajzave që luanin me lojëra të përafërta. Miqësitë e djemve dhe vajzave kanë gjasa të ndodhin gjatë shkollës. Këto miqësi më së shumti ndodhin se fëmijët mund të jenë fqinj ose vëllezërit apo motrat e tyre janë miq ose familjet përkatëse dalin dhe shpenzojnë kohë së bashku.

Këto njohje mund të jenë një bazë e shëndetshme për një miqësi afatgjatë mes një djali dhe një vajze. Këto lidhje u mundësojnë fëmijëve që t’i shohin personat e seksit të kundërt si njerëz të zakonshëm dhe jo si misteriozë, të ndryshëm apo edhe të frikshëm.

E teksa vijmë tek të rriturit, situata vjen e ndërlikohet. Shumë mendojnë se meshkujt janë ata që e kanë seksin në kokë gjithë kohës dhe kjo bën që t’i ndërlikojnë raportet me gjininë tjetër e të keqinterpretojnë gjestet e tyre.

Ky lloj konfuzioni që vjen nga keqinterpretimi i sinjaleve nga secila palë, mund ta kompromentojë miqësinë e tyre, por pavarësisht të gjithave, miqësia mes një djali dhe një vajze i ka të gjitha shanset të ekzistojë. Studime të ndryshme e kanë vërtetuar këtë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.