Sociale

Pro dhe kundër nismës së re “3 lëndë në 6 orë”

12:25 - 24.01.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Prej 1 shkurtit të këtij viti, në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar në vend do të vihet në jetë nisma “3 lëndë në 6 orë”.




Në këtë mënyrë do të ndryshojë skema e programit mësimor, ku nxënësit do të zhvillojnë vetëm 3 lëndë në ditë, me 90 minuta secila.

Ministria e Arsimit, Sportit e Rinisë vendosi të ndërmarrë këtë ndryshim në mes të vitit me argumentin se çantat e fëmijëve tejmbusheshin me libra çka kishte sjellë jo pak ankesa nga prindërit e vetë nxënësit.

Ndërkohë, pas lançimit të nismës së re që do të hyjë në zbatim brenda pak ditësh, ka pasur reagime të shumta pro dhe kundër nga nxënësit, prindërit e mësuesit. “Gazeta Shqiptare” ka qenë e pranishme ditën e djeshme në shkollën 9 vjeçare “1 Maji” dhe gjimnazin “Ismail Qemali” në kryeqytet ku ka pyetur nga afër prindërit, nxënësit, por edhe mësuesit në lidhje me nismën e re të MASR.

Nxënësit

“Mendoj se është mirë pasi ngarkesa për çantat mund të jetë më e lehtë. Nuk besoj se do kem probleme në pjesën e të mësuarit. Por ende nuk e kam provuar si është të mësosh me një sistem të tillë”,-shprehet për “GSH” nxënësja në vitin e dytë në gjimnazin “Ismail Qemali”.

Ndërkaq, për maturantët zbatimi i kësaj nisme është paksa i “frikshëm” për vetë faktin që ndryshimet po bëhen në mes të vitit, çka i ka gjetur të papërgatitur.

“Është deri diku mirë pasi kemi mundësi lehtësimi, pasi shpesh më ka ndodhur që të mos arrij t’i mësoj dot 6 lëndë për të nesërmen e koha nuk tepron. Por ka dhe disavantazhe pasi nuk e kuptojmë sesa mësime do merren brenda 90 minutëshit, a do na bjerë radha për t’u pyetur shumë shpesh…

Lëndët teke do bëhen një herë në dy javë. Një reformë e tillë duhej marrë që në fillim të vitit shkollor, jo në shkurt, të paktën për ne që jemi maturantë.

Absolutisht nuk mendoj se ndryshimet mund të bëhen kështu në mes të vitit”,-thotë për “GSH” një nga maturantet e “Ismail Qemali”.

Kjo e fundit më tej thekson se skema e re i prek shumë maturantët, çka do të çojë në çorientimin e tyre deri sa të stabilizohen e të mësohen me orarin, madje shton se do ishte më mirë që në matura mos të vihej në jetë nisma e re. Ndërkaq, disa prej nxënësve të shkollës 9 vjeçare “1 Maji” e shohin ndryshimin “3 lëndë në 6 orë” si një lehtësim të madh të çantave plot libra.

“Më duket shumë mirë, sepse s’do të marrim më kaq shumë libra me vete. Sa për lëndët se dimë fare si do i bëjmë, por do e shohim, shpresojmë të jetë mirë”-tregon një nxënëse e klasës së tetë në këtë shkollë.

Mësuesit e prindërit

“3 lëndë në 6 orë” ka qëndrime të ndryshme edhe nga ana e prindërve apo mësuesve. Disa mësues mendojnë se ndryshime të tilla duhen bërë para në klasa eksperimentale, ndërsa të tjerë e shohin si një nismë shumë të mirë.

“Ne akoma nuk e kemi filluar këtë program të ri, por më duket shumë mirë, shkëlqyeshëm”,-tregon njëra prej mësuesve të gjimnazit për “GSH”. Ndërkaq, disa prindër shprehen të kënaqur pasi kjo nismë do të lehtësojë çantat e fëmijëve e do të shmangë problemet me shpinën.

“Më pëlqen që do marrin vetëm 3 libra me vete, jo 6 si më parë. Për të tjerat nuk di çfarë të them se nuk jemi ende të qartë. Kur ta shohim ça do bëhet do e nxjerrim një përfundim nëse është mirë apo keq për fëmijët.

Te shkolla “1 Maji” mësojnë dy vajzat e mia, njëra në klasë të III ndërsa tjetra në të VII, por di të them që çanta e vajzës së madhe nuk mund të mbahet në kurriz. Gjithë kohës e kam mbajtur unë çantën se më duket sikur do i deformohej shtylla kurrizore e ankohej nga pesha e madhe.

Ndërsa për pjesën e programeve nuk e di se çfarë do bëhet”,-tregon për “GSH” nëna e dy nxënëseve që mësojnë në 9-vjeçaren “1 Maj”. Por, një tjetër prind thotë se realizimi i një lënde në 90 minuta do të bëjë që fëmija të humbë interesin për mësimin.

“Djali im është në klasë të tetë e nuk mund të përqendrohet të bëjë 2 orë fizikë e matematikë në ditë. Me frikë e kemi por të shohim çfarë do ndodhë me këtë eksperiment”,-tregon nëna e një tjetër fëmije që mëson te “1 Maji”.

Prononcime
Nxënësja e “I. Qemali”
“Mendoj se është mirë pasi ngarkesa për çantat mund të jetë më e lehtë. Nuk besoj se do kem probleme në pjesën e të mësuarit. Por ende nuk e kam provuar si është të mësosh me një sistem të tillë”,-shprehet për “GSH” nxënësja në vitin e dytë në gjimnazin “Ismail Qemali”.

Maturantja
“Një reformë e tillë duhej marrë që në fillim të vitit shkollor, jo në shkurt, të paktën për ne që jemi maturantë. Absolutisht nuk mendoj se ndryshimet mund të bëhen kështu në mes të vitit”,-thotë për “GSH” një nga maturantet e “Ismail Qemali”.

Nxënësja e “1 Majit”
“Më duket shumë mirë, sepse s’do të marrim më kaq shumë libra me vete. Sa për lëndët se dimë fare si do i bëjmë, por do e shohim, shpresojmë të jetë mirë”-tregon një nxënëse e klasës së tetë në shkollën “1 Maji”.

Mësuesja e gjimnazit
Program i shkëlqyer – “Ne akoma nuk e kemi filluar këtë program të ri, por më duket shumë mirë, shkëlqyeshëm”, -tregon njëra prej mësuesve të gjimnazit “Ismail Qemali” në kryeqytet.

Nëna e nxënësit
“Djali im është në klasë të tetë e nuk mund të përqendrohet të bëjë 2 orë fizikë e matematikë në ditë. Me frikë e kemi, por të shohim çfarë do ndodhë me këtë eksperiment”,-tregon nëna e një tjetër fëmije që mëson te “1 Maji”.

Alma Lama: Entuziazmi i momentit duket i frikshëm

Mësuesja: Skeptike për nismën, ndryshimi të provohej në klasa eksperimentale

Ka dhe nga ata mësues që shprehen skeptikë në lidhje me nismën “3 lëndë në 6 orë” që do të fillojë të zbatohet nga shkurti i këtij viti në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në vend. E pyetur nga “Gazeta Shqiptare”, Alma Lama, mësuese kimie në shkollën 9-vjeçare “Androkli Kostallari 2” tregon se gjithë entuziazmi për ndryshime të tilla është i frikshëm. “Nismat në arsimin parauniversitar duan një kohë për t’u perceptuar dhe një tjetër kohë për të matur realisht rezultatet. Entuziazmi i momentit mua sinqerisht më frikëson. Nxënësit duhet të zhvillojnë 90 minuta kimi, matematikë, fizikë në klasat e VIII-ta. Por në eksperiencën time si mësuese me aq sa njoh vëmendjen e nxënësve dhe kohën e përqendrimit të tyre, e shoh këtë nismë me skepticizëm. Mbetet për t’u parë…”-thotë Lama. Kjo e fundit shton më tej se ky ndryshim në mes të vitit duhej provuar fillimisht në klasa eksperimentale. “Eksperimentet në arsim jo gjithmonë na kanë entuziazmuar. Ndryshimet në koncept i bën një grup ekspertësh bazuar në një studim të mirëfilltë. Duhej provuar në klasa eksperimentale, aq më tepër që jemi në mes të vitit e do të ketë ndryshim oraresh, plan-konceptesh”,-shton më tej mësuesja.

Ajo, gjithashtu, thekson se në Shqipëri ende nuk kemi tekste të përshtatura për këtë nismë, e aq më tepër që Ministria e Arsimit me ndryshimin që do të bëjë do të hedhë poshtë edhe udhëzimin e fundvitit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.