KULTURË

Tinka Kurti, Teatri i Operës: E vërteta e rolit të saj te “CARMEN”

10:08 - 25.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Teksa pritej që Tinka Kurtin ta shihnim në datën 30 janar në Pallatin e Kongreseve si pjesë e Operës “Carmen” që vjen me regji të baritonit Gëzim Myshketa, u duk se koncepti i rij regjisorial u ‘përmbys’, kur papritur aktorja u sëmur.




Ajo parashikohej të kishte një vend special në opera, si për të ngjallur disi pasionin e rinisë së kahershme- dhe një vend special po ashtu do të kishte balerina Anbeta Toromani. Megjithatë, infeksioni pulmonar që e preku të martën, theu shpresat se dalja në skenë e Kurtit, do të ishte e mundur.

Ndërkaq, prej asaj dite, zërat se aktorja u ftoh në prova për shkak të mungesës së kushteve u përhapën, pa marrë një përgënjeshtrim.

Çfarë ka ndodhur në të vërtetë?
‘Gazeta Shqiptare’ ka pyetur dje zyrtarisht Teatrin Kombëtar te Operës dhe Baletit nëse ka tanimë ndryshime në mënyrën se si Carmen do të vinte në skenë, nëse mungesa e Tinka Kurtit pritet të ndryshojë idenë fillestare të Myshketës apo nëse ajo do të zëvendësohet, në rast se nuk arrin të përmirësohet sa duhet për të qenë në skenën e Pallatit të Kongreseve, e kthyer tanimë në skenë të projekteve të TKOB gjatë kohës që godina në qendër do të jetë në rikonstruksion.

Në reagimin e vet TKOB, mohoi se Tinka Kurti do të ishte në skenë, paçka se ftesa për shfaqjen e shpërndarë në adresat zyrtare të teatrit flet për pjesëmarrje të Tinka Kurtit në të e paçka se regjisori i shfaqjes, Myshketa e ka reklamuar “Carmenin” me emrin e Tinkës.

Në reagimin e vet, TKOB i tha dje “GSH” se Tinka nuk do të ishte në skenë dhe se përfshirja e saj në premierë do të ishte tjetërsoj. “Është një element audovizual i regjistruar, por nuk është rol fizik. Eshtë rol i nënës që përmendet në vepër, por del në skenë fizikisht. Myshketa duke pasur dashuri dhe vlerësim të madh për Tinka Kurtin, e ka futur në platformën dhe konceptin e vet regjisorial. Ndaj ka një material audiovizual që do të shfaqet me projeksion. Tinka Kurti nuk ka qenë në prova dhe as nuk do të dilte në skenë”, përfundon reagimi zyrtar në emër të Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit.

Reagimi i mësipërm hedh poshtë zërat që i lënë në duar teatrit përkeqësimin e Tinkës për shkak të kushteve të punës për përgatitjen e “Carmen”. Por, nga ana tjetër, e vërteta duket se qëndron diku në mes.
Tinka Kurti, thonë burime të “GSH”, do të ishte në skenë. Sigurisht, jo pothuaj tri orë sa zgjat Carmeni, dhe as një orë. Tinka Kurti do të bënte një kalim në skenë, në çastin kur libreti dhe regjia e operës “Carmen”, parasheh letrën që nëna e Don Jose i shkruan të birit- një letër në formën e një lutje. Gjatë kësaj kohe, Tinka do të bënte një kalim në skenë, një lloj etydi. E vërtetë është se ajo nuk ka bërë dhe nuk kishte pse të bënte prova sa trupa e TKOB.

Për çka, ditë më parë është bërë regjistrimi i një materiali, që tanimë, me mungesën e mundshme të Tinkës në skenë, do të transmetohet në ledwall-in e Pallatit të Kongreseve, i njëjti ledwall që shoqëron projeksionet skenike dhe skenografitë e përshtatura sipas mundësive që ofron Pallati i Kongreseve për shfaqjet e TKOB.

Vetë Myshketa pati shkruar “Një MIT i Kinematografisë Shqiptare, e cila vihet në shërbim të pasionit të saj të parë të operës lirike. Vetëm një fjalë: Faleminderit Tinka Kurti. – Në foto një moment nga xhirimet për Operën Carmen ditë më parë”.

Ndërkaq, detaje më të shumta do të bëhen publike sot paradite, gjatë konferencës që TKOB pritet të mbajë para mediave për premierën, “Carmenin”, risitë dhe çfarë ka mbetur pa u thënë.

Për sa më sipër, mësohet se gjendja shëndetësore e Tinka Kurtit është konstante dhe se ajo vijon të jetë e shtruar në një spital privat.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.