SHËNDET

Ylli Merja: Kuroni cistet në veshka me boronicë e dëllinjë

11:30 - 29.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Mosfunksionimi i mirë në veshkë në drejtim të qarkullimit të gjakut, të filtrimit të urinës, përqendrimit të saj dhe të largimit nga organizmi krijon mundësinë e shpeshtë për formimin e cisteve.




Te disa njerëz arrijnë të krijohen qeska të vogla me ujë të pastër ose të turbullt me përmasa 1-2 milimetra, ose edhe më të mëdha, që njihen si ciste. Këto të fundit vendosen në pjesën e brendshme, poshtë panrenkimës dhe zënë një sipërfaqe jo më të vogël se 5-10% të volumit të veshkës.

Në këto raste, kemi të bëjmë me sëmundjen polikistike të veshkës, ku cistet mund të formohen brenda në të, ose midis kapsulave, ose midis membranave bazale të kapilarëve. Veshkat polikistike mund të prekin afërisht deri në 50% të popullsisë, pra gjysmën e saj, por jo që të gjithë individët mund ta dinë që kanë ciste në veshka ose dhe në pjesë të tjera të trupit.

Pra, te disa persona ato shfaqen dhe ikin vetvetiu, pa u mjekuar apo trajtuar me medikamente të ndryshme farmaceutike.

Por jo në mënyrë të rastësishme, mund të largohen këto ciste nga disa njerëz, të cilët janë të predispozuar të kenë trashëgimi familjare, sëmundje të zemrës apo vuajnë nga diabeti.

Pra çrregullimi i funksionit të veshkës, trashja e gjakut, moslargimi i ujit të tepërt nga organizmi, mosfunksionimi i mirë i membranave bazale të kapilarëve bëhen shkak për mbajtjen e ujit brenda veshkës midis kapsulave dhe sjellin në këtë mënyrë problematika të caktuara.

Simptomat
Në momentet fillestare, kur cistet nuk janë më të mëdhenj se 1-2 milimetra, njerëzit nuk ndjejnë asgjë, pra nuk shfaqin asnjë lloj shenje. Ndërsa më vonë kur cistet fillojnë të rriten e të përhapen në volum, atëherë japin dhimbje mesi e djegie të urinës.

Nëse bëjmë një analizë të kësaj të fundit, te personat e sëmurë do të dallojmë një rritje të numrit të leukociteve dhe eritrociteve që shkon deri në 10-20 për fushë. Kjo tregon se ndonjëherë këto ciste fillojnë të plasariten e gjaku e uji rrjedh nga veshka në drejtim të vezikës urinare dhe del jashtë.

Nëse konstatohet hematuri (gjak) në urinë, personi i sëmurë duhet të marrë 50 ml nga urina e mëngjesit, ta çojë në laborator e të bëhet analiza urinë komplet. Nëse të dhënat e analizave tregojnë se pehashi, ph është në vlerën 4.5-5.5, leukocitet e eritrocitet paraqiten mbi 5, 10, 15, 20, 30, 40 për fushë atëherë duhet të nënkuptojmë se kemi të bëjmë me ciste.

Pas kësaj, duhet të bëhet një ekzaminim me ultrasound ose rezonancë magnetike, por edhe ekoja arrin t’i dallojë cistet në veshka. Pas dhimbjes së mesit, rëndesës, apo djegies së vazhdueshme në fund të barkut, duhet të fillojë trajtimi e kurimi i cisteve në veshka.

Trajtimi
Për të bërë kurimin e cisteve në veshka duhet të përcaktohet një strategji e veçantë.

Pra, të identifikojmë fillimisht shkaktarët që çuan në këtë gjendje polikistike të veshkës dhe si mund t’i shmangim. Kur shfaqja e cisteve vjen nga një çrregullim i qarkullimit të gjakut, presioni i ulët i tij, e mosaftësia e veshkës për të larguar ujin nga organizmi mund të përdorim bimë medicinale për t’i kuruar.

Çaji i boronicës dhe murrizi janë dy nga bimët më kryesore, që zgjidhin pjesën më të madhe të problemit të qarkullimit të gjakut në veshka. Pra, falë acideve organike e vitaminës C që ndodhen te këto bimë, arrijmë të realizojmë rritjen e presionit arterial të gjakut, të bëjmë që gjaku të hyjë lirisht në brendësi të kapsulës dhe të ndikojë në largimin e ujit të tepërt nga veshkat.

Pra, tubulat e veshkave do të filtrojnë gjakun e njëkohësisht të largojnë jo vetëm ujin, por edhe sasinë e kripërave minerale kur janë mbi vlerat normale. Doza minimale e boronicës për fëmijët shkon 5-7 gramë, për të rriturit 8-12 gramë, pra nga një lugë supe deri në një lugë gjelle.

Po e njëjta praktikë duhet të ndiqet edhe me bimën e murrizit, qoftë kjo lule apo frut, pasi arrin të shkrijë pllakëzat dhjamore, të cilat ngushtojnë nga brenda enët e qarkullimit të gjakut. Mështekna është një ndër të parat bimë që nxit epitelin renal të veshkës të largojë ujin e tepërt nga organizmi, pra të pastrojë cistet, në veçanti kur janë më të mëdhenj se 2 milimetra.

Edhe dëllinja e zezë është një tjetër produkt natyral që nxit epitelin renal të veshkës të funksionojë më së miri, por njëkohësisht të përmirësojë funksionin e membranave për ruajtjen e kripërave minerale në organizëm.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.