KULTURË

“SHARE” Tirana 2018, mblidhen në Shqipëri arkitektët më të mirë nga e gjithë bota

16:28 - 30.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play
Një nga evenimentet më të rëndësishme të botës profesionale të lidhur me arkitekturën dhe inxhinierinë sjell në Tiranë më datë 20 shkurt, Forumin ndërkombëtar të arkitekturës “SHARE”, një histori suksesi e konsoliduar tashmë në kryeqytete të ndryshme të Evropës.

Pas një organizimi te jashtëzakonshëm vitin e shkuar në Shkup të Maqedonisë, Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë do ta sjellë këtë takim në Tiranë, me synim njohjen me zhvillimet e fundit arkitektonike në Shqipëri, njohjen dhe gërshetimin me karakteristikat dhe specifikat lokale të fushës së ndërtimit në tërësi me arkitekturën e inxhinierinë e vendeve rajonale, evropiane e më gjerë. Në të njëjtën kohë, ky eveniment unik kthehet në një shans të jashtëzakonshëm për arkitektët shqiptare, në një moment kur përballja me zhvillimet rajonale e globale e cila lidhet me disiplinën e arkitekturës dhe urbanistikës është kthyer në një domosdoshmëri.




Ky aktivitet do të organizohet më 20 shkurt 2018, në Hotel Plaza në Tiranë, e  do të ndiqet nga mbi 200 arkitektë e profesionistë nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia si dhe midis folësve do të ketë arkitektë të cilët paraqesin projektet e tyre ndërkombëtare nga 9 vende:

Shqipëria, Kosova, Bullgaria, Italia, Belgjika, Rumania, Irani, Maqedonia, Holanda dhe Mbretëria e Bashkuar.

SHARE Tirana 2018 organizohet bashkërisht nga Shoqata Kulturore PRO EVENT & Abplus events me seli ne Bukuresht si dhe 4 shoqata të mëdha kombëtare rajonale të arkitektëve:

Shoqata e Arkitektëve të Shqipërisë, Asociacioni e Arkitektëve të Kosovës, Shoqata e Arkitektëve të Maqedonisë, Dhoma e Arkitektëve në Bullgari dhe Urdhri i Arkitektëve të Rumanisë. Forumi ka si qëllim të dallojë dhe promovojë shembujt e praktikës më të mirë në arkitekturën bashkëkohore, për më tepër për të pasuruar rrjetin profesional nëpër botë me ndodhitë e fundit në këto vënde e më gjerë.

E veçanta e këtij forumi, ne raport me shume konferenca apo forume te zhvilluara se fundmi ne Shqipëri lidhur me arkitekturën, është fakti se ai fokusohet tek profesionisti, si dhe ne aplikimet e fundit ne fushën e projektimit e implementimit. Ky fakt, bën diferencën me evenimente te tjera me karakter vetëm akademik.

Forumi është konceptuar në dy ngjarje kryesore; një seri folësish shqiptare e nga rajoni qe përfaqësojnë studiot me ne zë te arkitekturës ne dekadën e fundit ne Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Bullgari do të ndërthuren me studiot dhe arkitektet të cilët kanë fituar çmimet më prestigjioze botërore të arkitekturës.

Gjithashtu një takim i dyte i quajtur “Junior Session” sjell me një ligjëratë pranë studenteve te arkitekturës në sallën e madhe të Universitetit Politeknik të Tiranës, përfaqësuesin e një prej studiove te arkitekturës me ne zë ne rang botëror, Zaha Hadid Architects si dhe arkitektë të tjerë.

Për Shoqatën e Arkitektëve të Shqipërisë, ky eveniment shënon një nga organizimet më të mëdha e më të rëndësishme të viteve të fundit të organizuara prej saj për vetë arkitektët dhe dashamirësit e arkitekturës në Shqipëri.

Përveç botes akademike e studenteve, forumi shfaqet si një moment tejet interesant e i veçantë për komunitetin e arkitekteve e urbanistëve shqiptare. Si të thuash, ka ardhur koha për tu ndalur pak e për të reflektuar mbi atë çka bëjmë e si e bëjmë, e për tu qasur ndryshe midis nesh, pse jo edhe në nivel ndërkombëtar.

Së pari, kjo qasje krijon hapjen për herë të parë në një audience ndërkombëtare, duke u dhënë mundësi pjesëmarrësve vendas të ndajnë eksperiencat e tyre dhe në të njëjtën kohë të përballen me koncepte, risi apo qëndrime alternative mbi çështje të lidhura me arkitekturën e projektimin urban.

Se dyti, ai kthehet ne një pike takimi mes komuniteteve lokale profesionale e përfaqësuesve te fushave me kualitet te lartë në biznesin e rëndësishëm të ndërtimit.

SHARE Tirana, do të arrijë të kontribuojë në pasurimin e agjendës kulturore të kryeqytetit, duke zgjuar interes të madh përtej komuniteteve thjesht profesionale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.