KULTURË

Kosova i kërkon Shqipërisë orën e xhamadanin e Isa Boletinit

11:37 - 01.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Kujtim Gashi, ka qenë në Tiranë për të realizuar vizitën e tij të parë zyrtare, me ç’rast ka takuar homologen e tij, ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro Furxhi.




Sipas njoftimit të Ministrisë së Kulturës së Kosovës, ministri Gashi gjatë takimit me ministren Kumabaro ka diskutuar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit midis dy ministrive përkatëse në fushën e kulturës, trashëgimisë kulturore dhe atë të së drejtës së autorit, duke krijuar edhe hapësira dhe mundësi për intensifikim e bashkëpunimit edhe ndërmjet skenës së pavarur kulturore të të dyja vendeve.

MK e Kosovës bën me dije se ndër temat konkrete të bashkëpunimit të dy Ministrive të Kulturës, asaj të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë për vitin 2018 u nënvizua nënshkrimi i kalendarit të përbashkët kulturor, si një traditë e mirë dhe shumë domethënëse për kulturën në të dyja vendet, gjë e cila do të ndodhë brenda muajit shkurt. Marrë parasysh që viti 2018 është shpallur edhe Viti mbarëkombëtar i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, dy ministrat u pajtuan që të ketë më shumë aktivitete për të shënuar këtë përvjetor me rëndësi për shqiptarët.

Ministri Gashi me këtë rast ka kërkuar nga ministrja shqiptare “huazimin” e disa eksponateve që i përkisnin Heroit Kombëtar Isa Boletinit, për të qenë pjesë e ekspozitës së përhershme në Muzeun e Kosovës, që do të hapet më 17 shkurt – Përvjetorin e Dhjetë të Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar se ekspozimi i gjërave që i përkasin Isa Boletinit në Muzeun e Kosovës është një ngjarje me rëndësi për kulturën dhe historinë tonë, meqë kjo është një dëshmi që personalitetet nga Kosova kanë dhënë shumë për çështjen kombëtare. “Një kërkesë tjetër që ia adresova ministres, ekzistojnë 6 objekte në Muzeun Kombëtar të Shqipërisë, objekte të Isa Boletinit, përfshirë xhamadanin, orën dhe disa vegla tjera, ku kërkova që këto të na sjellin përkohësisht në Kosovë, t’i kemi në ekspozitën e përhershme, të cilën jemi duke e përgatitur për ta hapur më 17 shkurt”, theksoi Gashi.

Ministri Gashi ka shtuar: “Biseduam po ashtu rreth aktiviteteve të përbashkëta që do t’i kemi edhe me shënimin e 10-vjetorit të vitit jubilar të shpalljes të Pavarësisë të Kosovës, për çka kërkova që të kemi edhe aktivitete të përbashkëta Kosovë-Shqipëri”.

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, tha se fokus i diskutimit me homologun e tij kosovar ishte përgatitja për kalendarin e përbashkët kulturor Shqipëri-Kosovë, si dhe diskutuam për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve kulturore të dy vendeve.

Ministri Gashi gjatë ditës ka vizituar edhe Muzeun Kombëtar të përgjimeve “Shtëpia e gjetheve” si dhe ka takuar drejtues të institucioneve të kulturës në Shqipëri.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.