Sociale

Gazetari Bashkim Hoxha ka sot ditëlindjen, ja si zgjedh ta festojë 64-vjetorin  

12:21 - 02.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Bashkim Hoxha, gazetari dhe shkrimtari i njohur, sot zgjodhi ta festojnë ndryshe 64-vjetorin e tij. Me të mbaruar emisionin e mëngjesit “Koha për t’u zgjuar”, të cilin e drejton prej më shumë se 20 vitesh dhe ku qytetarët shqiptarë shprehin problematikat e tyre, vrapoi t’i bashkohej aksionit për mbjelljen e 100 pemëve të reja pranë nënkalimit Mjull-Bathore. Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj e vlerësoi gjestin e tij, si një detyrë qytetare, e cila së pari jep shembullin e mirë për të kontribuar në më shumë ajër të pastër për fëmijët e kryeqytetit.




Veliaj tha se një profesionist i mirë është edhe një qytetar i mirë, që kontribuon për zgjidhjen e problemeve aty ku është nevoja. “Jam posaçërisht i lumtur sot që në këtë aksion, edhe pse ditë me shi, na është bashkuar një nga njerëzit më të dashur për shqiptarët, Bashkim  Hoxha, i cili sot ka edhe ditëlindjen. Nuk besoj se ka mënyrë më të bukur për të festuar ditëlindjen se me mbjelljen e 100 pemëve në këtë zonë të Pyllit Orbital të Tiranës. I jam pafund mirënjohës sot Bashkimit për qytetarinë e treguar. Nuk mjafton të jesh vetëm gazetar i mirë, nëse s’je qytetar i mirë”, tha ai.

Kryebashkiaku e vlerësoi nismën për mbjelljen e pemëve të reja që do e rrethojnë kryeqytetin me një kurorë të gjelbër për mjedis më të shëndetshëm për qytetarët dhe shtoi se vetëm gjërat që kanë përkushtim ditor, jetojnë edhe më gjatë, duke mbetur thellë në kulturën e një vendi. “Vetëm kur diçka bëhet me durim, ndershmëri dhe përditë, ka duk. Emisioni i Bashkimit është prova e diçkaje që bëhet me durim, ndershmëri dhe përditë. Besoj se edhe fushata jonë e pemëve, pavarësisht për ndonjë cinik që thotë: “Ore na çmenden përditë”, tregon se vetëm gjërat që bëhen me përkushtim ditor hedhin rrënjë, jo vetëm në kuptimin fizik si pemët sot, por edhe në kuptimin moral e kulturor për vendin tonë. Dikush që angazhohet, shkon dhe jep një dorë aty ku është nevoja dhe e falenderoj posaçërisht sot që mëngjesin e ditëlindjes, pas emisionit, e kaloi në Tiranë për këto mbjellje. Dua t’i uroj jetë të gjatë dhe e falenderoj me gjithë zemër për qytetarinë dhe kontributin e shkëlqyer në Shqipëri”, theksoi Veliaj.

Gazetari Bashkim Hoxha përshëndeti nismën e ndërmarrë nga Bashkia e Tiranës për shtimin e sipërfaqeve të gjelbra, si një garanci për të ardhmen e brezave. “Është një ditë e veçantë për mua. Është ditëlindja ime dhe gjëja më e mirë dhe më simbolike është pikërisht të mbjellësh një pemë për të ardhmen sepse ditëlindja, në moshën time, numëron vitet që ikin. Pikërisht, në këtë ikje vitesh, mbjellja e një peme për të nesërmen bëhet akoma më e domosdoshme dhe është një iniciativë që unë e përshëndes me gjithë shpirt”, tha Hoxha.

Pylli Orbital, i njohur ndryshe edhe si unaza e 5-të e Tiranës, sjell mbjelljen e një muri të gjelbër me 2 milionë pemë dhe lidh 14.671 hektarë parqe, fusha bujqësore, pyje dhe forma të tjera të vegjetacionit rreth qytetit, duke ndikuar jo vetëm në përmirësimin e anës estetike të qytetit, por edhe në përmirësimin e cilësisë së ajrit për qytetarët.

 

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.