AKTUALITET

Akreditimi, “Luarasi” vlerësohet maksimalisht

10:41 - 03.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ka përfunduar raporti final i akreditimit të institucioneve të arsimit të lartë në vend, ku Kolegji Universitar Luarasi ka marrë një vlerësim ekselent.




Agjencia britanike mori në shqyrtim plot 35 universitete e në bazë të intervistave apo dokumentacionit, vetëm 4 prej tyre, përshirë këtu edhe “Luarasin”, arritën të marrin pikët maksimale duke u akredituar për 6 vite.

Kjo agjenci arriti në konkluzionin se “Luarasi” i përmbush maksimalisht të gjitha standardet shtetërore të cilësisë në të 5 fushat e akreditimit.

E pranishme në prezantimin e raportit final, ishte dhe ministrja e Arsimit, Sportit e Rinisë, Lindita Nikolla e cila theksoi se procesi i akreditimit ka qenë tërësisht i ndarë nga politika.

“Nuk ka asnjë përfaqësuese të kabinetit të ministres së Arsimit, dhe për këtë unë jam absolutisht mirënjohëse dhe e vendosur për të ecur përpara, si një parakusht për të thënë edhe në mënyrë qartë, që është një bord akreditimi tërësisht i ndarë nga politika”,-u shpreh Nikolla.

Kjo e fundit bëri me dije se do të vijojnë më tej me inspektimet për verifikimin e kritereve ligjore në mënyrë që cilësia e diplomave të jetë e krahasueshme me ato të vendeve më të mira.

“Jemi në momentin e duhur pas këtij verifikimi serioz, për të vijuar më pas me akreditimin e programeve, por ne do të vijojmë me detyrën tonë për të proceduar me inspektimin e radhës për verifikimin e kritereve ligjore. Prioriteti ynë në shëndoshjen e institucioneve, cilësi të diplomave të krahasueshme me ato të vendeve më të mira, por patjetër për t’i lidhur në mënyrë integrale me vendet e punës”,-shtoi ministrja e Arsimit.

Ndërkaq, të gjithë ata universitete që plotësonin pjesërisht kriteret kanë marrë rekomandimet nga agjencia e sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë për përmirësimin e kushteve. Më tej, kreu i bordit të akreditimit, Arjan Gjonça, listoi disa nga faktorët ndikues që i renditën universitetet private më mirë se ata publikë.

“Nuk është e rastësishme që një grup institucionesh private me 5-6 vite akreditim, kanë dalë në vendin më të mirë. Mos harrojmë që këto institucione kanë pasur një eksperiencë akreditimi dhe vlerësimi, sepse ligji i ka detyruar ato, ndërkohë që ligji duhet të detyronte dhe institucionet publike, por nuk është zbatuar”,-theksoi në fjalën e tij Gjonça. Ndërkohë, anëtarët e bordit të akreditimit nënvizuan se 1/3 e shpenzimeve të procesit mbulohet nga buxheti i shtetit, ndërsa pjesa tjetër nga vetë universitetet. I gjithë procesi deri në hartimin e raportit final, mori nën vëzhgim plot 53 universitete, ku 22 prej tyre ishin private dhe 13 të tjerë publikë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.