MILOSAO

Prozë urbane evliatë…

14:28 - 04.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në formën e aluzionit, shkrimtari kosovar përcjell subjektin e tij pa u kujdesuar aq shumë për formën sesa përmbajtjen…




Nga Bajram Sefaj

… u shfaqen shpejt, rrufeshëm…,
po aq shpejt, si për ngut, për fat, u zhdukën, u zhbënë, u zhbinë…!
e qenë shfaqur aq befasishëm, aq fuqishëm, sa që pushtuan sakaq trojet tona varfanjake. gjeten terren të përshtatshëm: atje poshtë, në mykun e fundshekullit, në fund pus, të varfërisë e skajshme shumëshekullore në fshatrat tona të vrara lie e të mbytura në zhganin e errët mesjetar…
u zgjua evlia!
zbardhur evlia, dje!
njehu evlia, sot!
nesër…?!
pasnesër sigurisht, jashtë çdo dyshimi…
diçka e tillë, do të ndodhë…!

*
fjala evlia, aq e ngulitur në gjuhen tonë, nuk është fjalë turke, se më fjalë shqipe, jo se jo, hiç se hiç!
fjala evlia, arabishten e ka gjuhë amtare, gjuhë të prejardhjes.
asnjë fjalor s’ka pse të shfletohet, të gjurmohet se, s’bëhet gjë tjetër, veçse ngatërrohen punët e dilet në mal krejt, si prashitje në ujë!, mjafton dijenia se evliatë janë robër të perëndisë, të zgjedhurit e madhërisë saj, besimtarët e përpiktë, të devotshëm e vetëmohues…
nuk është fjala për kushedi çfarë njerëzish të mistershëm, fsheh e mbështjellë faqesh të vrugëta të defterëve të besimit mysliman, por që, megjithatë, ndjellin një lloj frike të mistershme, mbuluar me një me plaf si të frikshëm religjioz…
po, po, vërtetë…

*
po, pra, ra në me fjetur, si kudo në gjithë botën mbarë, shëndosh e mirë, sytë mbylli, kur gjumi i rëndoi mbi qepalla.
përralla, nis përrallë…
përralla…
fillon, ajo…
përrallë dite e nate, ditenate!
kur gjysma e botës mbështillet me rrobën e vrugtë të territ të zi.
në terr, mund të ndodhë çdo gjë.
e papritura gjë.
e pabesueshmja gjë.
e panjohura gjë…
metamorfozë, qoftë ajo!
(nuk bëhet fjalë për metamorfozën e njohur të kafkës, por megjithatë, në pyetje është një gjë e tillë, e ngjashme me te, që ndodhte netëve të gjata, në gjumë të trazuar, a të pa gjumë fare!, mbytur në pusin e skamës shekullore, të prapambeturës shqiptari, në dimrat të saj, të pa fund e të pashpresë…!).
*
si askund tjetër, në botën shqiptare, evliaja nuk njihte gjini tjetër, pos gjinisë femërore!
ajo “godiste” vetëm nuset e reja, kryesisht, ndonjë të vajzë të re, aty-këtu, ndonjë çobaneshë të shëndetshme, kofshë nxehtë, me vorbull të valë nën brez, kur duhej të bëhej nuse, pa pasur qejf, pa e begenisur burrin çoban, që ia impononin prindër e familje. këto ishin të përzgjedhurat e perëndisë! në këtë punë kishin gisht hoxhallarët e ri hileqarë, kur si ndërmjetësues të ishin, me koqe të mbushur, si hamshorë të ishin, nuseve të reja, jo të kënaqura me martesë, gjë merrej vesh e për botohej vetëm disa ditë pas natës së parë të dasmës, për tua larguar demonët shejtanë e, për tua afruar shenjtërinë, në birë të veshit plot pështymë e djersitje, ua derdhin porositë e të madhit, pse jo edhe të fortit, se ç‘ duhej bërë e vepruar, si lipsej të silleshin (të loznin) brenda kornizave të atij skenari mirë të studiuar e me përpikëri të sajuar. diçka të turbullt birveshi, (a të ndonjë bire tjetër, helbete!), i hipnotizonin duke i porositur ato, për diçka tepër top sekret e të fshehtë që askush nuk bënte të dinte se cila është enigma e saj.
*
të nesërmen, me sabah, e reja duhet që zgjohej nga gjumi e, si e zgjedhur e perëndisë, pra si evlia dhe duhej të vepronte si pas një skenari të nxënë mirë dhe të mësuar përmendesh…
duhej të rrinte shtrirë, pa ndërruar më askënd asnjë një fjalë goje, duhej t’i gozhdonte sytë në një qosh të tavanit, të priste sinjal nga tavani e pastaj të fillonte bisedën memece me melaqet e qiellit… ideale do të ishte po qese në atë çast, mbi atë qyshe tavani të parakalonte ndo mijë ose shumë sish, veçse mbi dërrasa të tavanit të shkel këmbe e ndonjë shenjtërori të padukshëm, hoxhe të ri, kur mbase vetë autor i tërë këtij maskarallëku, atëherë, suksesi do të ishte i plotë, qëlluara mu në shënjestër. pas lidhjes misterioze me qiellin dhe emisarët e tij të padukshëm gjithmonë, evliaja e re, mund t’ia kriste një gjumi të rehatshëm, duke pritur çastin kur “melaqja”, hoxha i ri, atin e ti përdore, të vij e nuses-evlia t’i jep gajret, ta ngushëlloj t’ia freskoi sadopak sikletin. edhe nëse nusja apo vajza e re, zihej me të linjta neper këmbe edhe kësaj i gjendej qarja. evliaja kishte hipë në tavan, kishte zbritur në podrum, apo në ndonjë zgëq stalle, ahuri, a diku tjetër, ajo ishte punë e saj, mision i saj, kontakt me zëdhënësit koqe forte të perëndisë. e me evlia nuk bën, hiç nuk bën, të flitet për asgjë, të qortohet ajo aq më pak, kur është në thelbin e ëndrrës, syhapur.
*
Fatmirësisht, evliatë tona sikur i pa sy’ i keq. shpejt e për ngut, u zhdukën, pa zënë rrënjë të forta bima e tyre e fatkeqe!
fatbardhësisht!
(diku në shqiptari)

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.