KULTURË

Viti i parë pa Dritëroin, Sadija: Ai më jep forcë dhe kurajë për jetën

09:00 - 04.02.18 Darina Tanushi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Me një cigare, ulur pranë varrit të tij, Sadije Agolli ka përcjellë dje, miq, bashkëpunëtorë e të afërm të Dritëro Agollit në 1-vjetorin e ndarjes së tij nga jeta. Në varrezat e Tufinës, është krijuar një kënd i veçantë për shkrimtarin.




Aty ka një bust, vendprehjen të rrethuar me pemë e lule si dhe dy stola betoni, në mënyrë që ata që ta vizitojnë t’i shkëmbejnë dy fjalë, ashtu siç, në fakt, ndodhte sa herë që shkoje për vizitë në shtëpinë e tij.

Në njërin prej stolave dje, qëndronte bashkëshortja Sadija, me një cigare në dorë, zakon, të cilin ja ka “vjedhur” të shoqit prej kohësh. Ka qenë një vit tepër i vështirë.

Netët kanë qenë të pagjuma për Sadijen, ashtu siç ajo u shpreh dje. “Ai ka qenë gjithnjë afër gjatë gjithë këtyre kohëve, sepse kam vuajtur nga pagjumësia kështu që ditë dhe natë ka qenë bashkë me mua. Falënderoj të gjithë njerëzit që e kanë dashur dhe e duan Dritëroin përsëri!”, tha ajo, ndërsa ka pritur fillimisht në shtëpinë e saj, që vazhdon ta mbajë hapur si zakonisht edhe kur ishte gjallë Dritëroi. Mbesa e tij, Ana nuk i ka ndalur lotët as dje, për gjyshin e saj. Homazhet në nderim të shkrimtarit të njohur kanë mbledhur në varrezat e Tufinës njerëz të penës, mes të cilëve ishte edhe studiuesi dhe mikun e familjes Agolli, Moikom Zeqo. “Është një vend, i cili nuk do të zihet nga askush, në të gjitha ceremonitë që mund të bëhen edhe për njerëz të tjerë, ky është vendi i Dritëroit. Ky vendi këtu që është dhe përmendorja dhe varri i tij që pushon Dritëroi, të jenë të bindur se do të jetë një vend pelegrinazhi”, u shpreh ndër të tjera Zeqo.

Aktiviteti
Më pas, familja kishte organizuar edhe drekën e rastit për miqtë, në hotel “Tirana”, ku veç njerëzve të letrave e gazetarisë morën pjesë edhe politikanë. Aty u bënë bashkë të vjetrit e PS-së që nga Sabit Brokaj, Namik Dokle, Arta Dade. I pranishëm ishte edhe kreu i bashkisë së Tiranës, Erjon Veliaj. “Pas 100 vjetësh në një gjimnaz, nëse do të ketë gjimnaze atëherë në Tiranë, mësuesja do t’iu bëjë pyetje nxënësve: Dini gjë kush ka qenë Nano, Berisha, Rama etj., nxënësit të gjithë do të heshtin. Më i zgjuari ndër ta do të japë këtë përgjigje: Mos janë ca politikanë që kanë jetuar në kohën e Dritëro Agollit?”, tha në fjalën e rastit, Namik Dokle. Një vit pas vdekjes, Agolli u vlerësua me certifikata mirënjohje dhe çmime vlerësuese nga Kryegjyshata botërore e Bektashinjve dhe Unioni i Gazetarëve për kontributin e dhënë në vite në publicistikë, gazetarë në të përditshmen “Zëri i popullit”, dhe për shumë vjet ka qenë Kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.

Intervista

Në një intervistë për TCH, pas ceremonive përkujtimore, Sadije Agolli rrëfeu disa çaste të jetës së saj me Dritëroin.
Si ishte të bashkëjetonte një shkodrane me një devolli?
Në fillim çdo çift e ka të vështirë të bashkëjetojë me njëri-tjetrin. Derisa të mësohen me njëri tjetrin. Sigurisht është dashuria ajo, më madhja që nuk i ve re veset e njëri-tjetrit. Por më vonë ka vështirësi, se secili kishte trashëguar nga krahina e vet. Por gjithmonë jemi munduar ti zbusim gjërat. Unë bile edhe kam shkruar këtë.
Si e keni pritur idenë e shndërrimit të shtëpisë suaj në muze në të ardhmen?
Do të vazhdoj të qëndroj deri në fund. Unë e kam të prerë. Nuk ka diskutim ky vendim i imi. Kur të vdes unë, atëherë le të bëjnë fëmijët çfarë të duan. Por tani për tani unë ja kam kushtuar jetën atij dhe aty do ta mbyll jetën time.
Çfarë keni për t’i thënë Dritëroit në këtë ditë. Është pak furtunë. Fryn era përtej xhamave dhe mbase ai është duke na dëgjuar.
Të gjitha mendoj që i ka dëgjuar. Se unë nuk mendoj që ka vdekur. Akoma nuk e besoj. Ndofta më vonë mund të them. Por tani për tani. mendoj që ai më ka dëgjuar dhe ai më jep forcën dhe kurajën sot që jam ulur bashkë me ju.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.