Intervista

Besa Shahini: Rreth 70% e nxënësve pro nismës “Bëjmë detyrat e shtëpisë”

10:01 - 06.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Projekti pilot “Bëjmë detyrat e shtëpisë” ka nisur të vihet në jetë në shkollat e Lezhës, si dhe në shkollën “Betim Muço” në Tiranë ditën e djeshme.




Kjo nismë fillimisht do të zbatohet në 20 shkolla 9- vjeçare të pesë prej Drejtorive Arsimore Rajonale më të mëdha në vend ku përfshihet Tirana, Elbasani, Lezha, Korça dhe Fieri.

Në një intervistë për News 24, zëvendës-ministrja e Arsimit Besa Shahini tregon se kjo nismë ka lindur si nevojë pasi jo të gjithë nxënësit i kanë kushtet dhe mundësitë për t’i bërë detyrat në shkollë. Më tej Shahini shpjegon nismën dhe shprehet se rreth 60-70% e nxënësve kanë rënë dakord për t’u bërë pjesë e projektit.

Në çfarë konsiston nisma “Të bëjmë bashkë detyrat e shtëpisë”?
Të bëjmë detyrat në shkollë është një projekt pilot ku ne e kemi zgjatur ditën që fëmijët kalojnë në shkollë në mënyrë që t’i bëjnë detyrat e shtëpisë dhe mësimet për të nesërmen aty. Në këto 5 DAR-e kemi zgjedhur nga 4 shkolla, të cilat kanë kushte për të mbajtur ditën më gjatë, që punojnë vetëm me një turn si dhe që plotësojnë kushtet infrastrukturore të mundshme për ta aplikuar këtë projekt në mënyrë që nxënësit të rrinë pak më gjatë e të bëjnë detyrat aty.

Kjo nismë ka filluar të aplikohet fillimisht në Lezhë. Si shkoi ky projekt-pilot?
Lezha e ka filluar që tani, ndërsa në DAR-et e tjera do të fillojë zbatimi i pilot projektit gjatë kësaj jave e në fillim të javës tjetër. Në Lezhë deri më tani ka vijuar si duhet, pa probleme, ashtu si ne e kemi planifikuar dhe kanë sjellë ushqimet në shkolla. U nis nga muaji janar ku kemi bërë edhe trajnimet për mësuesit për t’i orientuar drejt asaj çka duhet të bëhet pasdite.

Cilat janë shkollat e kryeqytetit ku nxënësit do të bëjnë detyrat e shtëpisë në klasë?
Në Tiranë do të aplikohet në 4 shkolla: “Betim Muço”, “Ardian Klosi”,
“Hasan Tahsim” si dhe në shkollën “E Kuqe”. Në shkollën “Betim Muço” projekti pilot do të nisë sot (dje), ndërsa në shkollat e tjera gjatë javës. Këto janë shkolla të reja që punojnë me një turn e i kanë të gjitha kushtet e përshtatshme për zbatimin e nismës.

Si do të jetë programimi i ditës tashmë për nxënësit që studiojnë në shkollat ku po zbatohet nisma?
Pasi përfundon mësimi i zakonshëm (për nxënësit e klasës 1-3 përfundon rreth orës 11.30 ndërsa për klasat më të larta rreth orës 13.15) bëhet një orë pushim dreke e cila në shkolla të ndryshme realizohet me kohëzgjatje të ndryshme që variojnë nga 40-60 minuta. Gjatë kësaj ore nxënësit hanë drekën, luajnë pak e fill pas kësaj ata kthehen në klasë për të bërë detyrat e shtëpisë. Pra, janë programuar dy orë për bërjen e detyrave dhe 1 orë tjetër shtesë për aktivitete që shkolla mund t’i organizojë me nxënësit.

Cili ka qenë reagimi i prindërve dhe a ka pasur ndonjë kërkesë nga ta?
Për prindërit që punojnë, projekti është një lehtësim shumë i madh pasi kur të kthehen në shtëpi, mund të kalojnë pak kohë me njëri-tjetrin, pa qenë e nevojshme të bëjnë detyrat. Ndërsa për prindërit që nuk e kanë ngritjen akademike për ti ndihmuar fëmijët me detyrat, projekti është parë si një ndihmesë shumë e madhe pasi fëmijët e tyre kanë mundësi të jenë të suksesshëm. Për fëmijët e klasave nga e para në të tretën, prindërit kanë kërkuar që mos t’i mbajmë nxënësit shumë vonë në shkollë dhe të lirohen më herët që të mund të shkojnë në shtëpi rreth orës 14:00-14.30 dhe ndoshta orën e tretë të aktiviteteve nuk mund të qëndrojnë gjithmonë, por vetëm hanë drekën e bëjnë detyrat e shtëpisë.

Sa përqind e nxënësve kanë rënë dakord me nismën?
Prindërit në përgjithësi kanë rënë dakord, por ky deri më tani është një pilot projekt e iu kemi dhënë mundësinë që të shprehen vullnetarisht ata që duan të marrin pjesë. Aktualisht 60-70% e nxënësve që i kemi nëpër shkolla kanë qenë dakord për të marrë pjesë në programin e pasdites. Por nëse projekti shtrihet në të gjithë vendin, projekti do të vihet në zbatim për të gjithë nxënësit, pra do të jetë i detyrueshëm.

Cilët janë mësuesit që janë angazhuar për zbatimin e këtij projekti pilot?
Mësuesit që po merren me zbatimin e këtij projekti pilot janë grupe të ndryshme ku mund të përfshihen ata të paradites që nëse kanë orën e plotë mund të marrin deri në 6 orë shtesë e të paguhen sipas normave që ofrohen për punën shtesë. Në këtë projekt angazhohen edhe mësuesit praktikantë të cilët do të ndihmojnë me një pjesë të orëve si dhe ata mësues, që pas verifikimeve në sistem) nuk e kanë plotësuar normën në shkollën ku punojnë dhe janë në dispozicion për ta bërë këtë pjesë të punës pasdite. E rëndësishme është që mësuesi duhet të mbikëqyrë procesin e ai nuk ka nevojë që të angazhohet shumë në shpjegime, por thjesht të mbajë nën vëzhgim nxënësit teksa kryejnë detyrat e shtëpisë që të krijohet shprehia që fëmijët të mësohen me këtë mënyrë.

A u bë një trajnim për këta grupe mësuesish?
Ne kemi bërë takime të vazhdueshme me mësuesit ku u kemi shpjeguar nismën dhe ato çka presim nga ata pasdite. Për shkak se ky projekt nuk është zbatuar më parë në Shqipëri, e kemi parë të nevojshme që të realizojmë këto diskutime me mësuesit e kjo konsiston në bashkëbisedimet me ta në lidhje me çfarë do të thotë të bëhen detyrat e shtëpisë në klasë, mësimet për të nesërmen, çfarë lloj ndihme do i jepet nxënësit në rastet kur nxënësi ka nevojë për ndihmë në lëndë që mësuesi nuk i jep në shkollë.

Si lindi ideja e vënies në jetë të nismës “Të bëjmë detyrat e shtëpisë”?
Nga testet e ndryshme që kemi bërë nëpër shkolla dhe studimet në sistemin shkollor në Shqipëri e dimë që nxënësit të cilët kanë një gjendje sociale-ekonomike të mirë, nënat me arsim të lartë e që marrin ndihmë nga prindërit në detyrat e shtëpisë, dalin më mirë më rezultate. Kjo nismë ishte e nevojshme pasi duhet të ketë një barazi mes nxënësve, por meqenëse është një ngarkesë shumë e madhe për sistemin menduam ta pilotonim në disa shkolla, për ta shtrirë më tej në gjithë Shqipërinë. Zbatimi i kësaj nisme koincidon edhe me nismën tjetër “3 lëndë në 6 orë”.

Cili është mendimi juaj për nismën “3 lëndë në 6 orë?
Me zbatimin e nismës “3 lëndë në 6 orë” është lehtësuar orari i nxënësve, të cilët kanë shumë më pak lëndë për të nesërmen e nxënësit me shumë lehtësi janë ulur për të bërë detyrat për të nesërmen.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.