Sociale

Fillon “gara” për Universitetin e Mjekësisë, kriteret e reja të pranimit

12:45 - 10.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Universiteti i Mjekësisë ka shpallur kriteret për pranimin në degët e ciklit të parë dhe programet e integruara në ciklin e dytë për vitin akademik 2018-2019.




Të gjithë studentët e interesuar për të vazhduar studimet në një prej degëve të parapëlqyera në këtë universitet tashmë mund të njihen me kushtet, plotësimi i të cilave mund t’i bëjë fitues. Respektivisht, kandidatët që do ndjekin vitin akademik 2018-2019, duhet që të kenë mesataren mbi 8.5 për të fituar në degën Mjekësi e Përgjithshme,

Farmaci e Stomatologji; ndërsa ata që duan të aplikojnë për programin e studimit Shëndet Publik, duhet të kenë një mesatare më të lartë se 8.

Më tej, në vendimin numër 4 të marrë nga senati akademik bëhet me dije se një mesatare mbi 7.5 është e domosdoshme për të aplikuar në degët Infermieri e Përgjithshme, Fizioterapi, Mami, Teknikë Imazherie, Teknikë Laboratori e Logopedi. “Nota mesatare minimale përllogaritet si mesatare aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm dhe mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të maturës shtetërore”,-citohet në vendimin e Universitetit të Tiranës.

Kriteret
Në vendimin e marrë nga senati akademik i Universitetit të Tiranë theksohet se kriteret e pranimit në programet e studimeve të ciklit të parë dhe ato të integruara të ciklit të dytë përbëhen nga notat mesatare. Përkatësisht bëhet fjalë për notën mesatare aritmetike të provimeve të Maturës Shtetërore, e cila kap 35% të vlerësimit, ku nëse një kandidat jep provim lëndë me zgjedhje: Kimi (bërthamë), Fizikë (bërthamë), Biologii (bërthamë), atëherë nota e provimit shumëzohet me 1.15. Ndërkohë nëse një kandidat jep provim me zgjedhje lëndët Kimi e thelluar, Fizikë e thelluar, apo Biologji e thelluar, atëherë nota e provimit do të shumëzohet me koeficientin 1.25.

Në rastet kur maturanti zgjedh të japë si provim me zgjedhje lëndë të ndryshme nga të sipërpërmendurat, atëherë nota e provimit do të shumëzohet me koeficientin 1. Në vendim citohet gjithashtu se nota mesatare aritmetike e shkollës së mesme për të gjitha vitet ka një peshë prej 35%, ndërsa nota mesatare aritmetike e lëndëve formuese, të zhvilluara në gjimnaz, zë 30% të vlerësimit. Koeficientin më të lartë në vlerën 1.4, çka i favorizon gjatë përllogaritjes së pikëve përfundimtare të maturës, do e kenë aplikantët që do të kenë mbaruar maturën në gjimnaz, në një seksion 2 gjuhësh shqip-frëngjisht, shqip-italisht apo shqip-gjermanisht. Ndërsa të gjithë institucionet e tjera të arsimit parauniversitar, koeficientin do e kenë 1.

Formula e përllogaritjes së pikëve për kryerjen e procesit të rankimit të kandidatëve që do të aplikojnë në programet e studimit të ciklit Bachelor dhe të cikleve të integruara (Mjekësi, Stomatologji, Farmaci) të Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, për vitin akademik 2Ol8-2O19, do të ketë të përfshira pikët e përgjithshme në rankim, notën mesatare, provimet e detyruara, ato me zgjedhje si dhe koeficientin e shkollës së mesme.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.