Sociale

Foshnja 8 muajshe nga Puka, viktima e parë e fruthit në vend

11:20 - 10.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Virusi i fruthit ka shënuar viktimën e parë në vendin tonë, ndërkohë që ISHP bën me dije se aktualisht rezultojnë 65 të prekur deri më tani.




Foshnja 8 muajshe nga Puka ka ndërruar jetë orët e vona të së dielës për shkak të komplikacioneve nga fruthi, por edhe nga bronkopneumonia, e nuk ka mundur të shpëtojë. Burime nga Instituti i Shëndetit Publik bëjnë me dije se shkaku i vdekjes së fëmijës kanë qenë problemet pneumonare, por që foshnja është prekur edhe nga virusi i fruthit. “ISHP normalisht që është në dijeni të rastit, por kjo foshnje nuk ka vdekur nga fruthi, pasi ka pasur probleme të mëparshme pneumonare e po trajtohej, por që është infektuar dhe nga fruthi”, theksojnë burime nga ISHP për “Gazeta Shqiptare”.

Vajza 8 muajshe ende nuk e kishte mbushur moshën për të bërë vaksinën MMR kundër fruthit e nuk ka mundur të mbijetojë për shkak të problemeve të shumta me frymëmarrjen, e temperaturës së lartë të shkaktuar nga virusi i fruthit. Ndërkaq, edhe Zyra e Marrëdhënieve me Publikun në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tregon se pas komplikacioneve nga bronkopneumonia, foshnja nga Puka ndërroi jetë, në një kohë që familjarët nuk kanë bërë asnjë denoncim. “Foshnja e seksit femër, 8 muajshe ka vdekur ditën e diel në darkë, ka qenë me bronkopneumoni, ka ardhur nga Puka e është shtruar në QSUT.

Familjarët nuk kanë bërë asnjë denoncim pasi spitali nuk ka pasur asnjë faj që ne ta mbanim të fshehtë”,-thotë për GSH, Alvi Bajramaj, përgjegjës i sektorit të Marrëdhënieve me Publikun në QSUT. Ndërkaq deri më tani numri i të prekurve nga fruthi ka arritur në 65 në vendin tonë e fëmijët po mbahen të izoluar në dhoma të veçanta. Përgjithësisht grupmosha më e prekur nga virusi është 0-1 vjeç, normalisht të pavaksinuar duke qenë se vaksina MMR bëhet pas moshës 1 vjeç, por egziston edhe një kontingjent tjetër më i vogël i moshës 1 deri në 4 vjeç e gjysmë me fruth, vaksina e të cilëve është neglizhuar nga ana e prindërve për shkak të frikës nga autizmi. Më tej mjekët bëjnë thirrje që fëmijët të vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur, e ISHP thekson se edhe personat e lindur në vitet 80′-90′ duhet të rivaksionohen nga e para.

Epidemi gripi, 23 mijë të sëmurë në javë
Këtë muaj, epidemia e gripit ka arritur shifra alarmante në vendin tonë, ku brenda një javë mbi 23 mijë persona janë paraqitur pranë spitaleve për të marrë ndihmë. Ndërkohë, në spitalin “Shefqet Ndroqi”, 9 prej të shtruarve janë në gjendje të rëndë, në një kohë që në urgjencën e Sanatoriumit mbi 50 të sëmurë kërkojnë ndihmë brenda 24 orëve. Mjekët bëjnë me dije se një pjesë e personave të paraqitur në spital, kanë nevojë urgjente për shtrim pas komplikacioneve që shfaqin. Sipas statistikave, deri më tani kategoritë më të prekura rezultojnë fëmijët si dhe të moshuarit. Aktualisht si në Europë, edhe në Shqipëri po qarkullon virusi AH1N1 çka shkakton probleme të shumta në rrugët e frymëmarrjes si dhe pneumoni.

Statistikat për fruthin

– 1 i vdekur – foshnja 8 muajshe nga Puka humbi jetën si pasojë e komplikacioneve të shkaktuara nga bronkopneumonia e temperatura e lartë që jep fruthi.
– 65 të prekur – aktualisht numri i personave të prekur nga fruthi ka arritur në 65 e të sëmurët janë izoluar në dhoma të veçanta.
– 0-1 vjeç – kjo është gruopmosha më e prekur për shkak se ende nuk e kanë bërë vaksinën MMR pasi nuk kanë mbushur moshën.
– Vitet 80-90′ – ISHP bën thirrje që të gjithë të lindurit në vitet 1980-1990 të rivaksinohen sërish për fruthin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.