OPINION

Kur patatja vazhdon të jetë edhe ushqim, edhe bukë dhe histori të ngjashme me kryeministra

07:45 - 15.02.18 Dr. Valbona Nathanaili
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në librin “Si vdiqën demokracitë”, autorët Steven Levitsky & Daniel Ziblatt shkruajnë se historia “rimon”. Kanë hequr dorë nga togfjalëshi historia “përsëritet” dhe kanë gjetur një term tjetër – në fakt, më poetik, por shumë më tepër dramatik.




Sepse fjala “rimon” tregon se historia ka qenë aty, e shkruar kohë më parë, por ose sepse nuk e njohin, ose sepse nuk duan, ose sepse aq dinë, ata që drejtojnë vendet e popujt, kohë më pas, vazhdojnë të bëjnë të njëjtat gabime dhe vazhdojnë të shkruajnë të njëjtën dramë në zhvillimin e historisë, me po ato pasoja fatale për një pjesë të mirë të popullsisë.

Një nga “rimat” më tragjike është tendenca e vazhdueshme e politikanëve për të drejtuar gishtin e fajit te viktimat, sa herë mungojnë politikat publike dhe qeveria zgjedh “të mosveprojë”, ose hartimi i tyre rezulton një dështim.

Afro 200 vjet më parë (mesi i viteve 1800), Irlanda u godit nga një uri e jashtëzakonshme: patatja, një nga asortimentet kryesore të menysë ditore ushqimore të irlandezëve, u shkatërrua nga një lloj sëmundjeje. Zia e patates shkaktoi afro një milion viktima dhe detyroi po aq të tjerë të merrnin rrugën e emigrimit.

Charles Edëard Trevelyan, kreu i Thesarit të Anglisë në atë kohë, përgjegjës për politikat ekonomike britanike, e vuri gishtin e fajit mbi irlandezët e thjeshtë dhe tek tendenca e tyre për të ngrënë vetëm patate, duke u shprehur: “Vështirë se gjen një grua nga klasa fshatare në Irlandën Perëndimore, arti i gatimit të së cilës shkon përtej zierjes së një patateje”. Pra sipas tij, – shprehet Amartya Sen, – viktimat kanë ndihmuar vetveten drejt rrënimit, pavarësisht përpjekjeve më të mira të administratës së Londrës për ta parandaluar atë.

Më shkurt 2018, kryeministri i vendit, z. Edi Rama, në një bashkëbisedim me studentë të Universitetit Bujqësor, zgjodhi t’u thotë studentëve kandidatë për fermerë që fajin pse kalben patatet e fermerëve të Korçës e ka superprodhimi i patates dhe fakti që ata dinë të kultivojnë vetëm këtë kulturë. Rima e historisë është në të njëjtën qasje: për të drejtuar gishtin e fajit tek viktimat (sigurisht që nuk mungon edhe ajo folklorike, si dhe shumë të tjera që lexuesi mund të gjejë). Pra, nga njëra anë kryeministri i vendit kërkon të distancohet nga ajo që ndodh në një nga zonat më të begata dhe me traditë në bujqësi, sikundër është Korça, për më tepër me të njëjtin lloj superioriteti që e karakterizon sa herë që flet për fusha që i njeh vetëm nga filmat e viteve 1980 ose bisedat me taksistin që e çon në Surrel; nga ana tjetër, i stigmatizon fermerët korçarë si përtacë, të paaftë në ndërmarrjen e riskut dhe indiferentë ndaj asaj që ndodh me tregun.

Sipas kryeministrit, e vetmja gjë që duhet të bëjmë për të zgjidhur çështjen e patates dhe të mollëve të Korçës e të Peshkopisë që kalben nga të katërta anët, është t’u mësojmë fermerëve të këtyre zonave se përveç këtyre kulturave, mund të mbjellin edhe të tjera, që dikton tregu. Ndoshta një këshillë e mirë, nisur gjithmonë nga kërkesa e tregut, mund të ishte mbjellja e palmave, por çfarë t’i bëjnë klimës fermerët? Ndoshta edhe mund ta provonin dhe të mos merrnin parasysh faktet kokëforta të shkencës, por tharja e atyre që u mbollën në autostradën që të çon në Durrës ishte një mënyrë e mirë për t’i vënë gishtin kokës.

Enver Hoxha e kishte kuptuar dhe theksonte se patatja është edhe bukë, edhe gjellë. Nuk sugjeronte bananen. Ndërsa palma kishte mbjellë vetëm disa në Vlorë.

Varësia ndaj klimës, shoqëruar me mungesën e politikave që ndihmojnë lëvizjen e këtij produkti në të gjithë vendin dhe ndoshta edhe për eksport është mënyra për të nisur një bashkëbisedim të sinqertë për këtë problem. E njëjta varësi që i detyron të gjithë ata që jetojnë përgjatë bregdetit të merren me turizmin e plazhit dhe jo me turizmin malor; e njëjta varësi që i detyron ata që jetojnë në zona që përmbyten, të ikin nga sytë këmbët kur bie shi. Dhe këtu nuk bëjnë derman as PPP-të. Dhe problemi nuk është se patatja që kalbet nuk dëmton vetëm të ardhurat dhe të drejtat e fermerëve korçarë për t’u mbrojtur me politika ekonomike nga shteti që i paguajnë taksat, por indirekt të gjithëve ne.

Drama e fermerëve në zona të ndryshme të vendit ka vite që luhet. Angazhimi i politikës ka qenë gjithnjë në rolin e spektatorit, por sot doli edhe në rolin e denoncuesit, duke bërë me faj të pafajshmit, viktimat, ata që duhet të promovohen e mbrohen, të ndihmohen e inkurajohen.


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Valbona,nder te madh po i beni ketij lloj kryeministri ,qe simbas nje te mencuri,meriton te quhet gangsteri Edkulla,duke e permendur vend-e pa vend (qofte edhe duke i permendur te metat),sepse vec te metave,nuk ke c’te thuash tjeter per te.Si nje intelektuale e denje,perpiqu te thuash te vertetat,qe kjo rilindje,si levizje e social-komunisteve,po e vjedh dhe shkaterron Shqiperine,duke e marre ne qafe,popullin,i cili per fatin e keq (te Shqiperise),shume i neneshtruar ndaj kesaj levizjeje,por qe nuk din te revoltohet dhe t’i tregoje vendin ketyre kuqalosheve,por ama pa ja permendur emerin kryesorit te tyre,per dy aresye: 1.Te gjithe e njohin shkaktarin kryesor. 2.Nuk e meriton te thirret me emer.

    Përgjigju ↓
  2. Problem i mprehte i ngritur me shum largpamesi nga autorja. Kur te kemi fabrika afer super prodhimit fermeret do ken interes te punojn dhe disa emigrant do mendojn te kthehen e ndoshta te investojn. Mundesi per te ecur perpara. Kto i bejne europianet dhe na japin leksone si te ecim para.

    Përgjigju ↓