Kronikë

“Ne s’kemi mundur që t’i shlyejmë në kohën e duhur disa prej tyre, jemi kërcënuar”

13:09 - 15.02.18 Senad Nikshiqi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një shpërthim me tritol, i ndodhur mesnatën e së mërku-rës ka tronditur banorët e qytetit të Shkodrës. Burime zyrtare nga policia lokale bënë me dije se ngjarja u shënua rreth orës 23:50 në lagjen “Tophanë” dhe se objektiv i këtij atentati është biznesmeni Sadetin Kiri.




Mësohet se ka qenë një sasi e vogël tritoli prej rreth 100 gr, e dyshuar e llojit C4, që është vendosur në garazhin e makinës së 62-vjeçarit.

Ngjitur me garazhin ndodhen edhe dy dyqane, po ashtu në pronësi të biznesmenit shkodran. Mbi garazh ku ndodhi shpërthimi është shtëpia ku banon Sadetin Kiri. Sipas bluve, nga shpërthimi janë shkaktuar vetëm dëme materiale në garazhin e makinës. Fatmirësisht nuk ka pasur persona të lënduar, pasi në momentin kur ka ndodhur shpërthimi, në lagjen në fjalë nuk ka pasur lëvizje.

Pas sinjalizimit për ngjarjen, policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe vënien në pranga të autorëve të krimit.

Paraprakisht dyshohet se shpërthimi ka marrë shkas për shkak të borxheve që djali i biznesmenit, Fatjon Kiri u kishte marrë personave të ndryshëm. I riu është një emër i njohur në Shkodër, për shkak të angazhimit të tij si futbollist. Ai luan me ekipin e Tërbunit të Pukës. Pas kryerjes së veprimeve paraprake hetimore, policia ka shoqëruar dhe marrë në pyetje 8 persona, tek të cilët kishte dyshime se mund të ishin ata autorët. Një pjesë prej tyre janë persona që djali i biznesmenit u ka borxhe. Të shoqëruarit kanë mohuar se ata kanë lidhje me vendosjen e tritolit dhe se nuk kanë asnjë informacion mbi atë që ka ndodhur. Në këtë mënyrë, policia i ka lënë të lirë, duke qenë se deri tani tek ata nuk ka asnjë indicie apo dyshim të fortë, ose ndonjë provë se mund të jenë ata autorët e vendosjes së tritolit.

SHPËRTHIMI
Biznesmeni Sadetin Kiri ndodhej në banesën e tij, kur ka dëgjuar shpërthimin me eksploziv. Fillimisht ai dhe komshinjtë kanë menduar se mund të jetë ndonjë kabinë elektrike që ka pësuar defekt dhe ka sjellë edhe shpërthimin, por sapo është ulur poshtë banesës, ka parë se në katin e parë, në garazhin e tij ishte vendosur sasia e tritolit duke e dëmtuar atë. Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forcat të shumta policie për shkak se rrugica e “Tophanës” ku ndodhi shpërthimi ndodhet shumë afër rrugës kryesore “Xhabiej”.

Shërbimet që kanë qenë në patrullim kanë shkuar në vendngjarje duke bërë të mundur rrethimin e zonës. Sipas burimeve, mendohet se dy janë autorët që kanë vendosur sasinë e tritolit, të cilët janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur kështu gjurmët dhe duke u shpëtuar forcave të policisë. Një grup i forcave “Shqiponja” të policisë vendore të Shkodrës është vënë në ndjekje të autorëve të dyshuar, por pa arritur që t’i ndalojë, sepse kanë arritur që të largohen në drejtim të paditur. Pas ngjarjes së ndodhur dhe sasisë së tritolit të vendosur në garazhin e makinës së Sadetin Kirit, në banesën trekatëshe, i njohur si biznesmen, policia e Shkodrës pohoi se nga verifikimet e para, dyshohet se shkak i shpërthimit me tritol mund të jenë borxhet që ka djali i biznesmenit, shtetasi Fatjon Kiri. Ky i fundit është futbollist dhe ka luajtur në disa ekipe të ndryshme.

Sipas burimeve policore, Fatjon Kiri ka borxhe tek një numër i konsiderueshëm personash në Shkodër, gjë e cila mund të ketë sjellë edhe ngjarjen në fjalë. Në fillim të rrugicës, rreth 50 metra larg nga vendi i ngjarjes policia e Shkodrës ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë, por mbetet e vështirë për t’u identifikuar autorët përmes pamjeve filmike, për shkak të errësirës, por edhe vendit të largët ku ndodheshin kamerat. Gjithsesi, policia po punon për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

REAGIMI I BIZNESMENIT
62-vjeçari Sadetin Kiri është shoqëruar në policinë e Shkodrës për të dhënë sqarimet e tij mbi atë që ka ndodhur. Sipas burimeve të mësipërme, biznesmeni ka pranuar në polici se shpërthimi me tritol mund të ketë ardhur si shkak i borxheve që ka djali i tij ndaj personave të ndryshëm. “I vetmi dyshim që unë kam mund të jenë borxhet që djali im ka ndaj personave të ndryshëm në Shkodër. Ne s’kemi mundur që t’i shlyejmë në kohën e duhur disa prej tyre dhe në këtë mënyrë kemi marrë disa herë kërcënime, por jo në mënyrë të drejtpërdrejtë. Mendoj se nuk ka asnjë arsye tjetër. Nuk jam në gjendje të përcaktoj se kush mund të jenë ata që kanë vendosur tritolin, sepse s’kemi pasur kërcënime të drejtpërdrejta që të dyshojmë”, ka thënë biznesmeni Kiri në dëshminë e tij sipas burimeve të policisë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.