Një 27-vjeçar ka rrezikuar jetën e disa efektivëve të policisë. Bëhet fjalë për të riun Gazmend Osmani. Ai ishte shpallur në kërkim, pasi në 16 shkurt, rreth orës 11:00, në rrugën “Azem Meshi” në bashkëpunim me një 24-vjeçar, pas një konflikti të çastit kanë kanosur dhe plagosur lehtë me mjete të forta shtetasin A. D. Më pas janë larguar nga vendngjarja.
Një ditë më pas, shërbimet e policisë kanë konstatuar në Kashar automjetin me targë AA 064 NZ, që drejtohej nga Gazmend Osmani.
Punonjësit e Policisë i kanë bërë shenjë të ndalojë, por 27-vjeçari nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar duke u larguar me shpejtësi.
Makinat e policisë janë vënë në ndjekje, ku në afërsi të mbikalimit të Fushë-Krujës kanë bërë të mundur bllokimin e automjetit si dhe kapjen e Gazmend Osmani, i cili drejtonte mjetin.
Ndërsa 24-vjeçari T.Ll, që udhëtonte si pasagjer ka mundur të largohet dhe është shpallur në kërkim.
Gjatë kontrollit makinës u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale : dy maska dhe një karikatorë arme zjarri, pistoletë me pesë fishekë.