OPINION

Grykësit shqiptar

12:36 - 19.02.18 Fisnik Biba
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

A mos keni parë gjë, them, krejt rastësisht, të ngjeshur e të majur mirë gjer në supe, ndonjë grykës shqiptar?




E lehtë ta vështrojmë në fjalor fjalën grykës. Afërmend çdo lexues ia di si-do kuptimin. Por kurrsesi nuk haset shpjegimi grykës shqiptar; nëse për habi mund të gjendej një shpjegim i tillë, dyshoj se do kishte prirje shterruese.

Kjo vjen ngase grykësia shqiptare nuk skajohet mirë, pasi ka një shtrirje të gjerë.

Në radhë të parë, duhet të dijmë se grykësit shqiptar kanë një grushtë besimesh fort të kthjellta për veten. Këto besime nuk japin e marrin me Akademinë e Grushtave ku bënte pjesë Cesare Beccaria, por i shkojnë afër në përfytyrime, si të themi, kunjë-më-kunjë. Kjo e fundit ishte kundër dënimit me vdekje, ato përgjigjen me një kundër dënimit në tërësi. Të parët ishin kundër dhunës, të dytët janë kundër dhunës kundrejt tyre por e lejojnë të ushtrohet tek të tjerë.

Për një rasë kejèt të veçantë, më ranë në dorë një shuk letrash ku përmblidhen disa nga besimet e shkollës së tyre. Disa do i ndaj me lexuesin ashtu siç i kuptova unë, e të tjera do i jap si botëkuptime:

Grykësi shqiptar njeh vetëm urinë e tij!

Kjo qënie gjykohet vetëm nga grykës të tjerë, dhe është mirë të mos gjykohet fare se është i pafajshëm.

Grykësi sh. nuk vjedh ngaqë është i pangopur, është i pangopur ngaqë vjedh. Pra, logjika thotë: çdo vjedhje është e mirë dhe sjell vazhdimësinë e llojit.

Fjalitë janë mirë të ndërtohen pa kallëzuesor, pa kryefjalë, mund dhe pa folje, se.. kush flet shqip këtu?

Të zëmë besë verbërisht në një thënie të frëngut: Après moi le déluge! që, e përkthyer në partizançen tonë, fjafullon: Pas meje, kiameti!

Është mirë të vishesh keq. (Kjo më ngjan e pakuptueshme. Lexuesi t’ia nxjerr kuptimin vetë.)

Në besimet shqiptaro-grykëse, ndryshe nga ato të vjetëruara të Dantes, grykësit shkojnë në parajsë. Në po këto besime, ferri nuk duhet të jetë, por përfytyrohet si një rrugë pa karburante dhe kafe.

Më mirë një HEC sot, sesa një zonë e tërë e zhvilluar nesër. Që do të thotë: kur s’ke pulën, ha sorrën, dhe kur s’ke sorrën haju kokat njerëzve!

Lakmon mirë, kush lakmon shumë.

Teatrit i rri mendja veç tek fjala play. Dhe vetëm aty! Por po lozëm gjith’ ditën, kush do i ndërtojë pallatet..? (Sic!)

Çdo mendim ka nevojë për hapësirë. Teatri i rrethuar është shenjë e mirë e çmendimit. Ku i dihet, qëllon njerí ankohet se i zien koka nga kultura!

Kush lexon është i dënuar të mendojë.

Grykorët në këngët e Mujit dhe Halilit nuk duken gjëkundi. Kjo mbase kreshnikët nuk shfaqin akoma aftësitë shtetformuese të sotme. Sidoqoftë, me Jutbinën ka një ngjashmëri; dhe Gjetua kishte hapur bisedat me këngët epike të tjera evropiane; kronikat mbajnë dëshmi atë thënien: O Roland (ai i Chanson de Roland ), po pse, përrallë jam unë..!?

Është turp të japësh hesape. Thuaj: S’du!

Grykomanët kanë ofiçe. Biles sa më grykës të jesh, aq më lehtë ngjitesh në havanë e pushtetit, të shpallesh kryegrykës i republikës së.. popullit vëlla me dikë. (Këtu është e pasaktësuar se lenë hapur mundësi të ndryshme.)

Kur dikush kërkon diçka të vetën, mos ia jep!

G. druajnë tejet shprehjen: m’u lidh një komb në grykë.

,…………………

Por.. hëm.. si po iu thoja.. këta janë vetëm disa përsiatje të shkollës së tyre.. dhe.. shkollat janë shkolla këtejpari! Siç e zeza e zezë! E mbrapshtë dhe e imët është ajo çështja e cipës dhe e moralit..

Sidoqoftë, për t’u kthyer në kryeradhë, disi mosbesues, qashtër me ngae iu pyes: A mos keni parë gjë, të paturpshëm gjer në dhimbje, ndonjë grykës shqiptar?


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Dukesh Fisnik qe je edhe i lexuar edhe i zgjuar.Shqiptaret pa i pasur te gjithe keto vlera, e kane kuptuar grykesine shqiptare.Mbetet te flasim per tipiket e kesaje grykesie ndryshe shkrimi juaj ka vlera ,por vetem si nje nje ”rebus” sarkastik,litrar.

    Përgjigju ↓