Sociale

Vendimi, krijohet fondi social për përmirësimin e kujdesit shoqëror

12:25 - 24.02.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Për përmirësimin e politikave sociale, standardeve të mekanizmave të kujdesit shoqëror si dhe krijimin e shërbimeve të reja është vendosur krijimi dhe funksionimi i fondit social. Ky vendim është marrë ditën e djeshme gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave, pas propozimit nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministrisë së Brendshme si dhe Ministrisë së Financave.




Tashmë të gjitha shërbimet e përkujdesjes shoqërore, të parashikuara në ligjin për shërbimet e kujdesit shoqëror, të cilat konsiderohen si parësore nga bashkia, por që nuk mund të ofrohen prej saj, mund të ofrohen nga organizata jofitimprurëse, si ndërmarrje sociale apo struktura të ngjashme me to, që operojnë në këtë fushë private. Ndërkaq, njësia e vetëqeverisjes vendore do të merret me prokurimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror dhe do të lidhë kontratat me ofruesit e shërbimit, duke u dhënë përparësi ndërmarrjeve sociale në ofrimin e këtyre shërbimeve. Ofruesit privatë, të kontraktuar nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe organizatat jofitimprurëse, ofrojnë shërbimet e kujdesit shoqëror, si pjesë e kontratës ose e marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet palëve.

“Njësia e vetëqeverisjes vendore raporton, çdo katër muaj, në lidhje me ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, financuar me anë të fondit social, pranë Shërbimit Social Shtetëror. Njësia e vetëqeverisjes vendore, paralelisht, monitoron ofrimin e shërbimeve të kujdesit shoqëror, sipas standardeve e treguesve të performancës, përcaktuar në marrëveshjen kontraktuale me nënkontratorët privatë dhe sipas marrëveshjes së bashkëpunimit me organizatat jofitimprurëse.” – citohet në vendimin e miratuar nga Këshilli i Ministrave. Ky fond social krijohet me financimin e fondeve të kushtëzuara, që akordohen nga ministria përgjegjëse për çështjet sociale; fondeve nga buxhetet e njësive të vetëqeverisjes vendore, të parashikuara për shërbimet shoqërore; të ardhurave nga organizatat jofitimprurëse, individët e bizneset, si dhe donatorë të huaj e lokalë; si dhe nga tarifat për shërbimet për përfituesit e shërbimeve të kujdesit shoqëror.

Agjencitë private të punësimit
Tashmë të gjithë personat që kërkojnë një punë mund t’i drejtohen agjencive private të punësimit, pa paguar asnjë detyrim financiar në këmbim. “Shërbimet e agjencisë për punëkërkuesit janë falas.

Agjencia nuk e ngarkon punëkërkuesin me asnjë detyrim financiar, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, me përjashtim të pagesës së shpenzimeve të nevojshme për plotësimin e dosjes administrative të çdo punëkërkuesi”, – theksohet në vendimin e Këshillit të Ministrave. Ky i fundit, në mbledhjen e organizuar dje vendosi që agjencitë private të punësimit duhet të jenë të licencuara e të përmbushin kriteret e përcaktuara në ligj. Këto agjenci duhet të bëjnë regjistrimin si person fizik apo juridik dhe të ofrojnë informim, këshillim si dhe vlerësim të aplikimeve për punë. Më tej, ato duhet të kërkojnë vendet e punës e të bëjnë ndërmjetësimin për përcaktimin e kushteve dhe të lidhjeve e të marrëdhënieve të punës, ndërmjet punëkërkuesit dhe punëdhënësit.

Ndërsa, për punësimin e shtetasve shqiptarë jashtë shtetit, agjencia do të zbatojë të gjitha marrëveshjet dypalëshe të qeverisë shqiptare me vendet përkatëse. Në vendim theksohet, gjithashtu, se shpenzimet për shërbimin e ndërmjetësimit, të kryer nga agjencia, do të përballohen nga pala punëdhënëse. “Agjencia siguron trajtim të barabartë për të gjithë punëkërkuesit. Punëkërkuesi i ndërmjetësuar në punë nga agjencia gëzon të drejtën për negocimin kolektiv, pagën minimale, kohën dhe kushtet e punës, përfitimet e sigurimeve shoqërore, mbrojtjen e pasurisë dhe të shëndetit në punë”,-nënvizohet në vendim. Më tej, në këtë të fundit bëhet me dije se agjencia duhet të njoftojë punëkërkuesin për kushtet e punës dhe të punësimit, përpara fillimit të marrëdhënieve të punës. Këto agjenci private të punësimit nuk duhet të ndërmjetësojnë për punëkërkuesin në vende pune, që paraqesin rrezik e pasiguri për jetën dhe shëndetin e tij apo ku mund të jetë subjekt abuzimi apo trajtimi diskriminues.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.